Shqipëria

‘Tetori Gjerman’ për herë të 12-të në Shqipëri

Të hënën nisi zyrtarisht “Tetori Gjerman”, i cili tashmë po zhvillohet për herë të dymbëdhjetë në Shqipëri

Është hera e 12-të radhazi, që Ambasada gjermane në Tiranë, në bashkëpunim me partnerë të shumtë organizon javët e kulturës gjermane në Shqipëri, traditë e konsoliduar në jetën kulturore gjermano-shqiptare “Tetori Gjerman”.

“Për ne është kënaqësi që mund të vijojmë edhe këtë vit me traditën e ‘Tetorit Gjerman’ me një program të larmishëm“, u shpreh ambasadorja gjermane, Susanne Schütz gjatë prezantimit të programit në Ambasadën gjermane, transmeton “ATSH”.

Me moton: “Frymëzuar nga njerëzit” dëshirojmë edhe këtë vit të arrijmë që në aktivitetet tona shqiptarët dhe gjermanët të punojnë e përjetojnë së bashku, të shkëmbehen e mësojnë prej njëri-tjetrit”, tha ambasadorja.

Përgjatë gjashtë javëve në vijim në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në kuadër të ‘Tetorit Gjerman’. Programi, që partnerët e shumtë të ‘Tetorit Gjerman’ kanë hartuar, përfshin filma dhe letërsi, teatër, zbulime kulinarie, muzikë dhe vallëzim, sikurse diskutime dhe punëtori, përcjell albinfo.ch.

Më shumë rreth disa aktiviteteve pjesë muzikore të romantikës së vonë të kompozitorit gjerman Camillo Schumann (1872 – 1946) do të sillen në skenë nga pianistja Kristina Laço dhe violonçelistja, Dorina Laro. Ato do të sjellin për dëgjuesit magjinë e tyre me sonatat për violonçel dhe piano. Që kultura është më shumë se sa vetëm muzikë, teatër, letërsi, etj këtë e tregon projekti ynë me shefat e kuzhinës Slow-Food: Luka Lübke (Bremen / Gjermani) dhe Bledar Kola (Tiranë / Shqipëri). Në një punëtori të përbashkët gatimi të dy shefat e kuzhinës do të prezantojnë pjata të kuzhinës tradicionale dhe aktuale gjermane dhe shqiptare, për t’u zhvendosur më pas në kuzhinën didaktike të Shkollës Profesionale të Kamzës dhe gatuar së bashku me kuzhinierët e gjeneratës së re.

Këtë ‘Tetor Gjerman’ do të kemi një premierë edhe përsa u përket shfaqjeve teatrore. Ambasada gjermane dhe ajo franceze, në bashkëpunim me regjisorin shqiptar, Stefan Çapaliku do të vënë në skenën shqiptare pjesën “Dogfall”, të autorit australian Caleb Lewis.

Pjesa tematizon dimensionin njerëzor të luftës dhe synon që në këtë 100-vjetor të fundit të Luftës së Parë Botërore të nxisë diskutimet rreth raportit me historinë, pajtimin dhe të ardhmen e përbashkët në Ballkanin Perëndimor. Si mund të dallohen Fake News dhe cila është qasja ndaj tyre: kjo do të jetë tema e një punëtorie disaditore të organizuar nga qendra “Goethe” (Gëte) në Universitetin e Elbasanit.

Gjatë kësaj punëtorie pjesëmarrësit do të shohin vetë në një auto-eksperiment, se sa shpejt mund të përhapen faktet e rrezikshme alternative. Duke shkruar për ëndrrat mund të krijohen vepra letrare – këtë do të tregojë në seminaret e saj për shkrimin letrar shkrimtarja gjermane Sandra Hoffmann. Autorja e vlerësuar me çmime do të vijë në Shqipëri me ftesë së Qendrës “Goethe” (Gëte), Ambasadës gjermane dhe Shoqatës Letrare Poeteka. Ajo do të prezantojë gjatë dy mbrëmjeve letrare romanin e saj “Paula”, i cili në tetor 2018 do të botohet edhe në gjuhën shqipe.

“Tetori Gjerman” i këtij viti tematizon edhe ndarjen tradicionale dhe aktuale te roleve mes gjinive në Shqipëri. Dance-Teatri me titull “Jam Burrë! Burri i vërtetë?!” vihet përballë klishesë së “burrave të vërtetë të Ballkanit”. Artistja gjermane Katharina Maschenka Horn, artistja shqiptare Ema Andresa dhe ekipi i tyre ndërkombëtar dëshirojnë të realizojnë kësisoj përballjen e publikut shqiptar me rolet e gjithhershme të gjinive. Ndërsa Fatime Kosumi ka gjetur një hyrje tjetër, të natyrës muzikore në universet tradicionale vajzërore. Këngëtarja jeton në Berlin dhe do të sjellë këngë popullore shqiptare në një interpretim të ri. Së bashku me sociologen për çështje gjinore Delina Binaj dhe publikun do të diskutohet rreth situatës së vajzave të reja në Shqipëri.

Ashtu sikundër vitet e shkuara të dashuruarit pas kinemasë do të kenë gjithashtu pjesën e tyre këtë tetor: Ne do të shfaqim produksione të suksesshme gjermane apo gjermanofolëse të viteve të fundit me titra në shqip. Janë programuar “I riu Karl Marx” nga Raoul Peck dhe “Vëllezërit e zinj” nga Xavier Koller. Për fëmijët do të shfaqen filmat me tituj “Mbretëresha e Niendorf-it” dhe “Tim Taler apo e qeshura e shitur”.