Kosova

Thaçi: Kemi mbështetjen e ShBA-së për marrëveshjen e paqes me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Kosova ka mbështetjen e plotë të ShBA-së për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare të paqes me Serbinë, përcjell albinfo.ch.

Këto deklarata Thaçi i bëri në Facebook, pas takimit me kongresistin Ed Case. Thaçi po ashtu ka thënë se roli i Amerikës mbetet qenësor për Kosovën dhe rajonin.

“Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi të përbashkët angazhimin për paqe e liri në të kaluarën, por edhe pikëpamjet dhe vizionin për të ardhmen e Kosovës, rajonit dhe botës. Me kongresistin Ed Case u pajtuam se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet qenësor për Kosovën dhe rajonin, si dhe i shpreha mirënjohje për punën që bëjnë ushtarët dhe të gjithë amerikanët që shërbejnë në Kosovë. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon, duke ndërtuar marrëdhënie të mira me fqinjët dhe duke punuar për marrëveshje përfundimtare të paqes me Serbinë. Në këtë synim e kemi mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Thaçi.