Kosova

Thaçi: Marrëveshja Kosovë-Serbi e obligueshme për njëra-tjetrën

Presidenti Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme ka udhëtuar për në Bruksel pasi që aty parashihet të mbahet edhe takimi i radhës mes Thaçit, presidentit serb Aleksandar Vuçiq e Mogherinit.

Ai para se të mbahet takimi foli para gazetarëve duke thënë se marrëveshja do duhej të ndodhnte pasi që e njëjta marrëveshje është e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë.

“Sonte jemi këtu për të zhvilluar takimin e radhës për procesin final të mundësisë së arritjes së marrëveshjes së shtetit të Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo ligjërisht dhe obliguese për njëra tjetrën në rrafshin ndërkombëtar një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. E di se nuk do të jetë e lehtë, ka pengesa, ka ballafaqime por arritja e marrëveshjes është mundësia më e mirë për të lëvizur përpara drejt perspektives europiane të dy popujve tanë”, tha Thaçi.

Thaçi tha se Kosova po tenton të ketë fqinjësi të mirë me vendet e tjera dhe me Serbinë.

“Është mundësi e radhës e udhëhequr nga Mogherini prandaj dhe synimi i Kosovës është që të tentojë fqinjësi të mirë me të gjitha vendet edhe me Serbinë në mënyrë që të lëvizim në NATO e drejt Bashkimit Europian në mënyrë që të hapim perspektivë globale për shtetin e Kosovës”, shtoi ai.