Kosova

Thaçi paralajmëron vendime “në interes të shtetit”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar veprime dhe vendime, për të cilat thotë se janë në “interes të shtetit”.

“Në ditët dhe javët në vazhdim, institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime dhe vendime në interes shtetëror dhe të forcimit të partneritetit me aleatët tanë ndërkombëtarë. Të gjitha institucionet shtetërore janë në shërbim të mbrojtjes, avancimit dhe arritjes së qëllimeve tona strategjike shtetërore. Dialogu dhe marrëveshja eventuale paqësore vetëm sa e përshpejtojnë realizimin e synimeve tona për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Sipas tij: ”Këto synime janë të arritshme, për aq kohë sa jemi të bashkuar, pozitë, opozitë dhe shoqëri civile, flasim fuqishëm njëzëri dhe kemi mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, respektivisht mbështetjen e SHBA-së”.