CH-Ballkani

Anulohet takimi Thaçi-Vuçiq

“Marrëveshja përfundimtare ka kuptim vetëm atëherë kur do të ndodhë njohja reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë presidenti i Kosovës

Ka përfunduar takimi mes përfaqësuesve të Kosovës me Mogherinin në Bruksel.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit me përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka thënë se Kosova është e përkushtuar që të arrijë një marrëveshje përfundimtare.

“Bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacolli, sapo përfunduam takimin bilateral me përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Kosova është e përkushtuar që të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila garanton njohjen reciproke, anëtarësimin në BE, NATO dhe OKB. Ky rrugëtim do të jetë i vështirë, por i domosdoshëm për sigurimin e paqes afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe ka mbështetje të gjithanshme”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”, përcjell albinfo.ch.

Thaçi tha se po hymë në procesin përfundimtar të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë me besimin që do të shënohet një progres për të dy popujt dhe për paqen në rajon.

Sipas tij, dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, askush nuk mund ta ndërlidhë me ndonjë rast tjetër nëpër botë dhe të gjitha tonet për luftë apo refugjatë janë çështje absurde.

“Marrëveshja përfundimtare ka kuptim vetëm atëherë kur do të ndodhë njohja reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Takimi ndodh pak ditë pasi që të dy presidentët kërkuan mbështetjen ndërkombëtare në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë.

Vuçiq është takuar me Mogherinin, derisa sipas mediave ka anuluar takimin me Thaçin në Bruksel.