Shqipëria

Tirana feston shpalljen “Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”

Mbrëmë, qindra të rinj festuan në Parkun Europa shpalljen e Tiranës si “Kryeqyteti Europian i Rinisë” për vitin 2022. Nën ritmet e muzikës, të rinj dhe të reja të kryeqytetit i janë gëzuar këtij lajmi fantastik për Tiranën, që e rreshton atë në një ndër qytetet më rinore në Europë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përcolli emocionet e ceremonisë në Amiens të Francës, ku juria prestigjioze ndërkombëtare e shpalli unanimisht Tiranën si kryeqytetin rinor evropian për vitin 2022.

Ai falenderoi në mënyrë të veçantë të rinjtë e Tiranës dhe të gjitha organizatat që mbështetën aplikimin e Tiranës për të qenë kryeqendra e rinisë evropiane pas dy vitesh.

“E pabesueshme! Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022. Nga nata e mbrëmshme në Francë me presidentin Macron, me gjithë kandidatët në finale, deri sot në mëngjes kemi qenë pa gjumë, por donim patjetër që të ishim në Tiranë dhe ta ndanim këtë gëzim me të gjithë çunat dhe gocat e Tiranës. E kam zemrën plot me mirënjohje, me gëzim, me falenderim për të gjithë çunat dhe gocat, nga ata në gjimnaz, tek ata në Universitet, tek ata që advokojnë për të drejtat e fëmijëve, për ata që punojnë pafund. Në gjithë këtë përpjekje, në gjithë këtë angazhim të jashtëzakonshëm, kishte vetëm pasion, energji pozitive, vetëm çuna dhe goca të mirë shqiptarë, që bashkëpunojnë, që i thonë njëri-tjetrit: Bravo të qoftë!, që kuptojnë se duke punuar bashkë mund të shkojmë shumë përpara”, tha Veliaj.

Po ashtu, ai përshëndeti edhe 4 qytetet finaliste në këtë garë të fortë dhe theksoi se Tirana mundi të triumfojë falë zemrës dhe vullnetit për të qenë evropiane, përcjell albinfo.ch.

 

Image result for Tirana feston festen e vitit te ri