Maqedonia

Tragjedia me autobusin në Maqedoni, aktakuza ndaj 6 personave

Prokuroria ka ngritur aktakuzë për aksidentin e tmerrshëm që ndodhi në fshatin Llaskarcë, kur autobusi i kompanisë Durmo Turs doli nga rruga dhe jetën e humbën 16 persona, ndërsa 38 të tjerë pësuan lëndime të rënda. I akuzuar është pronari i kompanisë Durmish Beluli, shoferi i autobusit dhe katër persona tjerë.

Ata ngarkohen me akuzën për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion.

Hetimi i prokurorisë së Shkupit ka treguar se qëllimisht është manipuluar me rregullsinë e autobusit.

Pronari i Durmo Turs edhe pse ka qenë i vetmi kompetent të mbajë llogari nëse autobusi është në gjendje të rregullt ose jo, përgjegjësinë ia ka hedhur një udhëheqësi në kompani.

Prokuroria Themelore Publike

“Tek transportuesi nuk është mbajtur evidencë e mirëfilltë për riparimet e autobusëve, të orarit të punës, pauzave dhe pushimeve të shoferëve, ndërsa shoferët janë lënë vetë mes tyre ta organizojnë vozitjen dhe të mbajnë llogari për të gjitha obligimet që janë detyrë e personit përgjegjës tek transportuesi. Pronari i kompanisë transportuese nuk ka mbajtur llogari për rregullsinë e tahografit analog dhe ka lejuar të bëhet manipulim me këtë pajisje për të mos e regjistruar si duhet shpejtësinë e lëvizjes së autobusit”

Udhëheqësi në Durmo Turs shoferëve në kompani u ka thënë ku t’i dërgojnë autobusët për t’i kurdisur tahografët, në mënyrë që t’u shmangen dënimeve për vozitje të shpejtë nëse ata ndalohen nga policia.

Prokuroria themelore publike

“Të vetëdijshëm për parregullsinë e vazhdueshme të autobusëve, dy të akuzuarit nuk kanë ndërmarrë veprime për riparimin e pjesëve të rëndësishme nga sistemi i frenimit të autobusit, duke ditur se edhe në gjendje të tillë autobusi do të shpallet teknikisht i parregullt, sepse kontrollimet teknike janë bërë në Shoqëri ku i akuzuari i parë gjithashtu është person përgjegjës- udhëheqës”

Prokuroria e akuzon edhe shoferin e autobusit kur ka ndodhur aksidenti i tmerrshëm. Hetimi ka treguar se ditën kritike ai ka vozitur me shpejtësi 99 km/h, apo mbi shpejtësinë e lejuar.

 Prokuroria Themelore Publike

“Shpejtësia nuk është regjistruar në mënyrë të rregullt në tahograf, pasi i akuzuari autobusin e ka vozitur me ndërprerës të kyçur për regjistrim të parregullt të shpejtësisë. Për shkak të shpejtësisë shumë të madhe ai ka humbur kontrollin ndaj autobusit, ka marrë lëvizje në trajektoren në të majtë, ka kaluar në anën e majtë të rrugës dhe me pjesën e parë anësore të autobusit është përplasur me rrethojën metalike mbrojtëse. Ka kaluar mbi rrethojën dhe në mënyrë të pakontrolluar ka vazhduar të lëvizë së pari në pjesën e gjelbërimit që i ndanë dy korsitë, ka kaluar mbi rrethojën për korsinë në drejtimin e kundërt dhe në rrugë në drejtim të kundërt”

Të akuzuar janë edhe tre punonjës në stacionin e kontrollimit teknik që gjithashtu është në pronësi të pronarit të Durmo Turs. Edhe pse ata kanë konstatuar se autobusi që u aksidentua nuk ka pasur frena të rregullt, ata kanë vendosur firmën dhe vulën se automjeti është në gjendje të rregullt. Në kontrollin tjetër teknik edhe pse e kanë ditur se sistemi i frenimit nuk është plotësisht i rregullt, sërish kanë lëshuar vërtetim se autobusi është i rregullt. Aksidenti i kobshëm që mori jetën e 16 personave ndodhi më 13 shkurt të këtij viti, shkruan AlsatM, përcjell Albinfo.ch.