CH-Ballkani
Transportuesit “humanitarë” kërkojnë 2500 franga për dërgimin e ndihmave në Shqipëri
Rrëfimi në vijim është vetëm një rast, por fatkeqësisht nuk është i vetmuar dhe që paraqet lakuriq një kategori njerëzish që shfrytëzojnë edhe tragjedi të tilla për të nxjerrë përfitime ose për t'u vetëreklamuar
Tërmeti që goditi Shqipërinë më 26 nëntor ka prekur shqiptarët gjithandej ku ata jetojnë. Tragjedia që shkaktoi dridhja e tokës në atdhe ka ngjallur një valë të paparë solidarizimi, sidomos nga Kosova dhe nga diaspora.
Solidarizim i madh me të prekurit nga fatkeqësia natyrore është regjistruar edhe te shqiptarët e Zvicrës. Por, krahas solidarizimit të kuptueshëm dhe dhembjes legjitime për ata që pësuan, dolën mjerisht në dritë edhe jo pak shprehje euforie, kaosi dhe për të qenë më keq, edhe raste përpjekjesh për të përfituar në kurriz të viktimave.
Rrëfimi në vijim është vetëm një rast, por fatkeqësisht nuk është i vetmuar dhe që paraqet lakuriq një kategori njerëzish që shfrytëzojnë edhe tragjedi të tilla për të nxjerrë përfitime ose për t’u vetëreklamuar.
Nderim Ibrahimi, i cili menaxhon një autosallon në Kantonin Aargau dhe është bashkëthemelues i degës së Fondacionit “Albana” për Zvicër, tregohet thellësisht i zhgënjyer me atë që ka përjetuar këto ditë. “Si çdo shqiptar normal, edhe unë isha i tronditur me të marrë lajmin për tërmetin në Shqipëri. Unë si pjesëtar i Fondacionit Albana me disa miq dhe pjesëtarë të tjerë, menduam se urgjentisht duhet të grumbullojmë mjete financiare për të ndihmuar zonat e prekura nga tërmeti ne Durrës”, rrëfen ai për Albinfo.ch.
Përpos donacioneve që organizata e tij ka dërguar si ndihmë të menjëhershme në të holla, ata shkuan më tutje. “Formuam platformën për ndihmë të prekurve nga tërmeti, me emërtimin „Hape Derën për Shqiptarin“ dhe brenda 5 ditëve kemi arritur të sistemojmë mbi 500 persona”, tregon ai, duke i pasur si dëshmi komunikimin dhe korrespondencën shumë të dendur që ka zhvilluar gjatë më shumë se një jave përmes mediave sociale, me dedikim ndihmat në Shqipëri.
Edhe pas kësaj, duke iu përgjigjur kërkesave që vinin nga të gjitha anët, Nderimi, siç tregon për albinfo.ch, lëshoi në dispozicion një pjesë të madhe të autosallonit që menaxhon. “Sigurisht, u nisa edhe nga ajo se shumë shpejt do të vinin kamionët për t`i transportuar në Shqipëri. Kur vendosa kështu, e kisha parasysh se tashmë dhjetëra kompani transporti i postonin në rrjetet sociale kamionët e tyre. Aty, me logo të madhe ato shkruanin se ishin në dispozicion për të dërguar FALAS në Shqipëri ndihmat e grumbulluara.
Por këto kompani “bamirëse” u zhdukën shpejt sapo kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u deklarua se në zonat e tërmetit nuk ka më nevojë për ndihma në veshmbathje. Madje, sipas tij, mallrat që do të arrinin në Shqipëri do të dorëzoheshin në doganë dhe do të shkonin në rezervat e shtetit. “Kompanitë e përmendura u zhdukën pasi që duket se kishin menduar t`i shpërndanin vetë dhe të bënin selfie duke pretenduar se ata ishin dhuruesit”, supozon Nderimi.
Sido që të jetë, “kompanitë që pak ditë më parë rrihnin gjoks për patriotizëm dhe humanizëm, tani kërkojnë 2500 e më shumë franga për transportimin e këtyre ndihmave të grumbulluara”, shprehet i zhgënjyer bashkëbiseduesi ynë.
Të gjendur në një situatë të tillë kur ambientet e punës u janë bllokuar nga thasët dhe pakot me ndihma, Nderimi dhe miqtë e tij ndjehen të dëshpëruar dhe pothuajse pa rrugëdalje. Shpresat e fundit ata i kanë varur te Rotary Club i Zvicrës, të cilit i janë drejtuar me një shkresë zyrtare. Kjo organizatë humanitare që ka simotrat e saj edhe në Shqipëri dhe Kosovë, mban mbledhjen e saj të martën, më 10 dhjetor, shkruan albinfo.ch. “E ne s`na mbetet tjetër përveç të shpresojmë se ata do ta organizojnë transportin e ndihmave të grumbulluara nga ne, për në Shqipëri ose për në Kosovë”, thotë Nderimi.
Të ngjashme
Të tjera nga CH-Ballkani
E-Diaspora
-
Nga Zvicra me vepra për vendlindjen: Arben Lahu vazhdon aksionin vullnetar në Gollak Ajo që nisi si ide personale dhe dëshirë për të dhënë një kontribut konkret për vendlindjen,... -
Donacion për spitalet në Maqedoninë e Veriut nga mërgata shqiptare e Cyrihut -
Për 20-vjetorin, kompania Emi AG shpërblen punëtorët me një udhëtim në Kosovë dhe Shqipëri -
Chair Airlines zgjeron flotën me avionin e pestë -
Gjermani
Talenti shqiptar nga Presheva që po shkëlqen në boksin gjerman
Jeta në Zvicër
-
Shitjet e paneleve diellore bien për herë të parë në Zvicër Shitja e sistemeve fotovoltaike ra me pothuajse 30 përqind vitin e kaluar, një ngadalësim i parë... -
Vdekshmëria e tepërt që lidhet me valën e të nxehtit të qershorit mbetet shumë më e ulët se ajo e vitit 2003 -
Më shumë se 9,000 notarë kaluan liqenin e Cyrihut -
Kantoni zviceran merr masa emergjente për të ndihmuar fermerët gjatë thatësirës -
Zvicra kërkon më shumë fleksibilitet nga kontrolli kufitar i BE-së

















