Futboll

Tri skuadra të njohura evropiane kërkojnë Hysajn

Atletico Madrid, Inter dhe Juventus dëshirojnë mbrojtësin kuqezi, i cili pritet të largohet nga Napoli

Elseid Hysaj duket se i ka ditët e numëruara në Napoli dhe e ardhmja e tij është larg këtij qyteti.

Mediat italiane raportojnë se interesim për Hysajn ka shfaqur Interi, Juventusi dhe Atletico Madridi, përcjell albinfo.ch.

Edhe agjenti i tij, Mario Giuffredi, ka pranuar se mbrojtësi kuqezi pritet të ndërrojë ambient. “Është e drejtë që të ndryshojë ambient pas katër vitesh në Napoli. Hysaj do të largohet për një klub të rëndësishëm, janë interesuar Atletico Madrid dhe disa klube të tjera të nivelit të lartë. Paratici i Juves e ka pëlqyer gjithmonë, mund të bisedojmë”, është shprehur Mario Giuffredi.

Kontrata e mbrojtësit të djathtë nga Shkodra përfundon në vitin 2021.

Tani Giuffredi po bisedon me përfaqësues të Interit, klub që ka kohë që e vëzhgon mbrojtësin dhe pret ndonjë ulje çmimi nga Napoli.

Megjithatë, kthimi i Sarrit në Itali, te Juve, mund të hapë ndonjë rrugë për kalimin e Hysajt te kampionët e Italisë, edhe pse aty shanset për të qenë titullar janë më të vogla.