Shqipëria

Tulipani shqiptar shpallet “monument natyror”

Tulipa albanica është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Republikën e Shqipërisë, në qarkun e Kukësit.

Qeveria shqiptare e udhëhequr nga Edi Rama, e ka shpallur “monument natyror” tulipanin shqiptar. Vendimi u mor duke u mbështetur në nenin 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10 të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”.

Tulipa albanica është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Republikën e Shqipërisë, në qarkun e Kukësit, transmeton Albinfo.ch.

Ky tulipan është lloj i rrezikuar pasi rritet në një territor më të vogël se 80 hektarë, ose më të vogël se 1 km2 dhe rrezikohet jashtë mase nga aktiviteti minerar në zonë.

Tulipani shqiptar ngjan me tulipanin e Sardenjës, Tulipa scardica dhe me Tulipa schrenkii, por dallon nga to pasi ka gjethe me valëzim si dhe është i ndryshëm nga ana gjenetike.

Sipas vendimit, sipërfaqja e shpallur monument natyror eshtë 35.5 ha dhe zonë buferike 200 m rreth kufirit të zonës të mbrojtur, në të cilin zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes e njëjtë me rezervën strikte.

Njoftim i plotë:

SHPALLJEN E HABITATIT TË TULIPANIT SHQIPTAR “MONUMENT NATYROR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10,të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen e habitatit të tulipanit shqiptar (Tulipaalbanica)“Monument natyror”, kategoria III e zonave të mbrojtura, sipas hartës në shtojcën 1, dhe kufirit të paraqitur sipas tabelës së koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Monumenti i natyrës ka një sipërfaqe 35.5 ha dhe zonë buferike 200 m rreth kufirit të zonës të mbrojtur, në të cilin zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes e njëjtë me rezervën strikte.

3. Zona e mbrojtur përfshin habitatin enjë lloji të rrallë e të kërcënuar me rëndësi e vlerë të veçantë shkencore dhe estetike, sipas aneksit nr.1, i cili përmban skedën e monumentit të natyrës.

4. Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe organet përkatëse të vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA