E-Diaspora

Vazhdojnë mashtrimet me aviobileta!

Zakonisht ato intensifikojnë veprimtarinë e tyre mashtruese gjatë sezonit veror dhe atij dimëror, pasi shumë nga diaspora kosovare zgjedh që pushimet t’i kalojë në Kosovë, shkruan albinfo.ch.

Edhe këtë dimër mashtruesit duket sikur nuk po ndalin veprimtarinë e tyre të mashtrimeve dhe nuk po kursejnë as agjencitë e tjera për të arritur qëllimin e tyre të përfitimit të jashtëligjshëm.

Për dallim nga vera e vitit 2018, mashtruesit kanë ndërruar emrin. Gjatë verës së këtij viti ata po shisnin bileta në emër të “Reiseburo Prishtina”, duke dëmtuar dhe duke shkaktuar huti te pasagjerët për agjencinë, e cila deri tani ka qenë mjaft përgjegjëse për pasagjerët e saj. Ndërsa tani mashtruesit janë riaktivizuar me emra të tjerë, shkruan albinfo.ch.

Ata kanë hapur agjenci fantome, të cilat nuk janë të regjistruara dhe funksionojnë në mënyrë ilegale.

Drejtori i kompanisë “Kosovaarlines”, Naim Ejupi, është i bindur se udhëtarët e tyre nuk do të mashtrohen

Mashtruesit kanë hapur agjenci të reja me emrat “Kosova Lines”, e cila ngjason shumë me agjencinë “Kosova Airlines”, agjenci kjo e cila ka një traditë shumëvjeçare dhe e cila mban linja të rregullta nga Zvicra dhe Gjermania me kompanitë ajrore, të cilat janë kompani serioze. Drejtori i kompanisë “Kosovaarlines”, Naim Ejupi, është i bindur se udhëtarët e tyre nuk do të mashtrohen, me gjithë qëllimin e kompanive fantome për t’i hutuar udhëtarët e tyre me emra të ngjashëm.

“Çdo vit paraqiten firma mashtruese dhe ndërrojnë sipas situatës dhe sezonit, kjo kompani kohëve të fundit është Kosovalines dhe klientët tanë mund ta marrin gabimisht sikur të jetë Kosova Arlines dhe të mashtrohen. Çdo sms nëpërmjet What’s up dhe Viber është mashtrues dhe po përsëritet një kohë të gjatë”, tha Naim Ejupi nga ‘Kosova Arlines’.

Edhe kompania tjetër ‘Rinori Travel’ nuk është kursyer nga kompanitë mashtruese

Menaxheri i “Rinori Travel”, Ismail Aliu, konfirmon të jetë keqpërdorur emri i kompanisë së tyre, që është në treg të aviacionit më shumë se 20 vjet. Madje, një sms i tillë e kishte pranuar në telefonin e tij.

“Të gjithë ata që marrin sms të tillë le ta verifikojnë se a është Rinori Travel në numrat e telefonit tanë 044 804 98 98 ose 078 666 66 61, ose në zyrat tona në aeroport me nëpunësit tanë”, tha Aliu.

Gjithashtu ata kanë krijuar edhe një kompani me emrin “Malësia Air”, e cila i ngjason emrit të kompanisë së njohur “Malësia Reisen”, edhe kjo një agjenci e cila është shumë e përgjegjshme sa u përket udhëtarëve, të cilët e zgjedhin këtë agjenci.

Pronari i kompanisë ‘Malësia Reisen’, Rrustem Aliaj, është i indinjuar nga këto skema mashtruese

Ai thotë se me gjithë familjen me vite po mundohet të ofrojë shërbime gjithnjë e më cilësore, duke u ofruar klientëve të tyre fluturime të rehatshme dhe ekskluzive, me qëllim të krijojë një brend të mirë në treg. “Vazhdimisht mashtruesit janë ata që po e shkatërrojnë imazhin e krijuar për më shumë se 30 vjet të punës tonë dhe të tjerëve”, thotë Alijaj.

“Mashtruesit po përdorin emra të ngjashëm për të krijuar huti te pasagjerët dhe po dëmtojnë shtresat me të ndjeshme të qytetarëve tanë në Zvicër”, thekson pronari i ‘Malësia Reisen’ dhe apelon pasagjerët të jenë shumë të kujdesshëm, sepse po humbin paratë e tyre, e mashtruesit po pasurohen me djersën e tyre.

 

Prandaj Rrustem Aliaj sugjeron të gjithë që të distancohen nga çdo lloje SMS fantom, dhe të drejtohen diret në agjencinë serioze që me vite po u shërbejnë bashkatdhetarëve”, thotë Alijaj, duke theksuar habinë se si me vite të tëra mashtruesit po arrijnë të mbijetojnë.

“Mbase edhe pse askush nuk merret me ta, nuk merret me ta as Kosova, nuk merret me ta as Zvicra. Pra, thjesht po vidhen haptas qytetarët e Kosovës”, thotë në fund Rrustem Aliaj.

(KEYSTONE/Georgios Kefalas)

Organizimi i skemës mashtruese

Sigurisht që për të realizuar një skemë të tillë mashtruese duhet edhe një organizim. E organizimi i tyre është mjaft me defekte, edhe pse është vështirë e kuptueshme për pasagjerët e thjeshtë, të cilët kërkojnë çmime më të lira.

Meqenëse tash e disa vjet pasagjerët po mashtrohen me agjenci, të cilat po hapin fluturime të reja dhe me kompani të reja, këta tani kanë zbuluar edhe një formë të re. Këto agjenci mashtruese po shesin bileta në emër të “SWISS AIR LINES” dhe “EDELWEISS AIR”.

Fillimisht këto agjenci dërgojnë mesazhe te pasagjerët e mundshëm, duke u ofruar bileta me çmime më të lira se pothuajse të gjitha agjencitë e tjera.

Ata që thërrasin këto agjenci u jepen çmime, duke filluar nga 459 SFR.  Ata të cilët rezervojnë biletat, pastaj përmes një mesazhi tjetër u dërgohet një xhirollogari bankare, e cila është e hapur në Zvicër. Meqenëse në Zvicër, kur bëhen pagesa në postë, përveç që xhirollogaria duhet të jetë në rregull, nuk kontrollohet edhe emri i marrësit të të hollave, ata vendosin emra të ndryshëm, si p.sh. ASTRIT SALIHI. Të njëjtën formë e kishte përdorur edhe ‘Germany Airlines’.

Agjencia ‘Germany Airlines’ pastaj ishte zëvendësuar me ‘Germani Airways’.

Ata vazhdonin traditën e tyre mashtruese. ‘Germani Airways’ figuron e regjistruar në shtetin gjerman në emër të Sefa Tuncer. Sefa Tuncer është babai i pronarit të Express Airways GmbH, e regjistruar në Slloveni në emër të Kaan Tuncer.

Albinfo.ch ka raportuar vazhdimisht për mashtrimet me aviobileta.

Gjithashtu redaksia e Albinfo.ch u bënë thirrje të gjithë atyre personave që pushimet dimërore kanë vendosur t’i kalojnë në Kosovë që të bëjnë kujdes nga mashtruesit, të cilët mund t’u shesin bileta pa fluturim.