Lajme

Vdekshmëria e foshnjave, më e lartë te të huajt se te zviceranët

Në vitin 2018, kanë qenë të vdekur 4.9 promilë nga fëmijët e lindur me prejardhje të huaj ndërsa te zviceranët shkalla ka qenë 4.1 promilë

Në vitin 2018 në Zvicër kanë lindur 87.851 fëmijë që janë 470 më shumë se në vitin 2017 dhe 30 më pak se në vitin 2016.

Ndërkaq, gjatë vitit që shkoi, në Zvicër është shënuar një rënie e numrit të vdekjeve të foshnjave pak pas lindjes dhe një rritje e numrit të atyre që kanë lindur të vdekura.

Trendi i vdekshmërisë te të dy këto kategori, që nga viti 1969 ka shkuar në vazhdimësi drejt rënies, shkruan srf.ch, duke iu referuar një statistike të publikuar sot nga Zyra Federale për Statistikë (BFS).

Kështu, në vitin 1969 shkalla e vdekshmërisë ka qenë 9.3 promilë, ndërsa nga viti 1999 ajo sillet rreth shkallës së sotme që është 4.3 promilë, transmeton albinfo.ch.

Në një version të mëparshëm të të dhënave statistikore, vlerat në fjalë janë dhënë gabimisht, gjegjësisht në përqindje në vend se në promilë, shkruan BFS.

Shanset për mbijetesë te fëmijët e familjeve të huaja, kanë qenë përgjatë dekadave më të ulëta se ato të fëmijëve të zviceranëve. Kështu, në vitin 2018 kanë qenë të vdekur 4.9 promilë nga fëmijët e lindur me prejardhje të huaj ndërsa te zviceranët shkalla ka qenë 4.1 promilë, përcjell albinfo.ch.  Të dyja bashkë japin mesataren e përmendur prej 4.3 promilësh.

Si shkaktarë të vdekshmërisë më të madhe të fëmijëve të huaj janë niveli më i ulët arsimor i familjeve të tyre dhe si rrjedhojë, edhe problemet e të kuptuarit pastaj kushtet më të rënda të punës dhe të jetesës dhe rrethanat e vështira sociale.

Më shumë se shkalla e numrit të lindjeve të dështuara, në vitin 2018 është ulur shkalla e vdekshmërisë perinatale: kjo përfshin preiudhën që nga java e 28 e shtatzënisë deri në ditën e shtatë të jetës së foshnjës, transmeton albinfo.ch. Kjo shkallë në vitin 1969 ka qenë 19.2 promilë ndërsa në vitin 2018, 6.6 promilë.

Një trend i ngjashëm i uljes së vdekshmërisë eshtë shënuar edhe te foshnjat deri në moshën e tyre 1 vjeçare. Nëse në vitin 1969 shkalla e vdekshmërisë së kësaj kategorie ishte 15.4 promilë, në vitin 2018 ajo ka rënë në 3.3 promilë.

Statistika në fjalë shënon po ashtu një shkallë konstante të lindjes së binjakëve dhe trenjakëve. Kështu, në vitin 2018, 35.5 në 1000 të lindur kishin qenë binjakë mndërsa 1 në 1.000, trenjakë.