Lajme

Protesta në shumë vende të Evropës kundër masave anti-COVID

Në disa vende të Evropës qytetarët po protestojnë kundër masave të reja të izolimit që kanë për qëllim të parandalojnë përhapjen e COVID-19, derisa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se është “shumë e shqetësuar” me situatën epidemiologjike në Evropë.

Në mbrëmjen e 20 nëntorit trazirat e reja kanë shpërthyer në Holandë kundër rregullave të reja të bllokimit.

Protestuesit hodhën fishekzjarrë ndaj policisë dhe u vunë flakën biçikletave në Hagë, një natë pasi protestat në Roterdam u bënë të dhunshme dhe policia hapi zjarr.

Gjatë përleshjeve disa persona u plagosën. Holanda vendosi një bllokim të pjesshëm trejavor të shtunën e kaluar pasi regjistroi një rritje rekord të rasteve me COVID-19.

Baret dhe restorantet duhet të mbyllen në orën 20:00 dhe ngjarjet sportive janë të ndaluara.

Mijëra demonstrues dolën gjithashtu në rrugët e Austrisë, Kroacisë dhe Italisë.

Rreth 15,000 veta u mblodhën në sheshin kryesor të Zagrebit të shtunën pasdite për të protestuar kundër masave ndaj pandemisë të Qeverisë kroate, përfshirë vaksinimin e detyrueshëm për punëtorët e sektorit publik.

Gjatë protestës një gazetar është sulmuar fizikisht dhe shumë të tjerë janë sulmuar verbalisht. Asnjë nga protestuesit nuk ka mbajtur maskë dhe as nuk ka respektuar distancën fizike.

Në mesin e atyre që u mblodhën në protestë ishin edhe disa deputetë të opozitës.

Në Vjenë të Austrisë, dhjetëra-mijëra njerëz protestuan pasi qeveria njoftoi një bllokim të ri kombëtar dhe planet për t’i bërë të detyrueshme vaksinimet nga muaji shkurt i vitit 2022. Ky është vendi i parë evropian që e bën vaksinimin një detyrim ligjor.

Vendi do të hyjë në një bllokim mbarëkombëtar 20-ditor nga e hëna (22 nëntor), duke mbyllur të gjitha dyqanet përveç atyre të nevojshme dhe duke urdhëruar njerëzit të punojnë nga shtëpia.

Ndërsa në Itali, disa mijëra protestues u mblodhën në Romë për të kundërshtuar certifikatat e vaksinimit që kërkohen në vendet e punës dhe transportin publik.

Të shtunën (20 nëntor) Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se ishte “shumë e shqetësuar” për rritjen e rasteve të reja të të infektuarve me coronavirus në kontinent.

Drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge, i tha BBC-së se nëse masat nuk forcohen në të gjithë Evropën, gjysmë milioni vdekje mund të regjistrohen deri në pranverën e ardhshme.

“COVID-19 është bërë edhe një herë shkaku numër një i vdekshmërisë në rajonin tonë”, tha ai.