Tematike

Fqinjët: “Gjendja në Zvicër, më e keqe se te ne, nuk duhej bërë lehtësimi”

ARD: "Ndërsa shkalla e vaksinimit në Gjermani është përmirësuar pak në ditët e fundit, ajo, në Zvicër madje është ngadalësuar"

Mediat e huaja shprehen kurioze dhe paksa të zëna në befasi nga rruga e veçantë zvicerane në trajtimin e pandemisë së koronës.

Kështu, qasja e veçantë e Zvicrës ndaj masave të koronës po tërheq vëmendjen në të gjithë botën. “Ndërsa vendet fqinje si Gjermania, Franca dhe Italia po zgjerojnë ose shtrëngojnë kufizimet, Berna beson se pandemia është ende nën kontroll”, shkruan “Financial Times”, në artikullin me titullin “Zvicra i zë fqinjët e saj në befasi me planet lehtësuese”, raporton “Aargauer Zeitung”.

Gazeta franceze “Le Figaro” gjithashtu shkruan për një “vendim kundër rrymës” që ka marrë Zvicra. Edhe këtu theksohet se numri i rasteve në Zvicër ndryshon shumë pak nga ata në shumicën e vendeve fqinje.

Ndërsa gazeta tjetër franceze,  “Le Dauphiné libéré”, shprehet e lumtur që shumë “vende që kanë dremitur për një kohë të gjatë” tani mund të mbushen  përsëri me njerëz. Këshilli Federal, duke marrë vendimin e tij, ka marrë parasysh shqetësimet e të rinjve në vend, shkruan gazeta.

Edhe para se Këshilli Federal të njoftonte lajmin, “Bild”-i gjerman kishte shkruar se “një vizitë në Zvicër të bën të ndihesh sikur je në “parajsë”, transmeton albinfo.ch. Dje, gazeta në fjalë ka shënuar “zgjerimin e parajsës” me vetëm pak fjalë. Dhe me klauzolën se “Zvicra po mbetet prapa vendeve fqinje si Gjermania kur bëhet fjalë për shpejtësinë e vaksinimit”.

Televizioni gjerman “ARD” gjithashtu hedh një vështrim kritik në drejtim të rrugës zvicerane të trajtimit të koronës. Krahasuar me vendet fqinje dhe vendet e tjera të BE-së, Zvicra nuk është në një pozitë veçanërisht të mirë. Është mbase edhe më keq se të tjerët.

“Dhe ndërsa shkalla e vaksinimit në Gjermani është përmirësuar pak në ditët e fundit, ajo, në Zvicër madje është ngadalësuar”.

Një skepticizëm i lehtë mund të lexohet gjithashtu midis rreshtave edhe tek fqinjët austriakë, përcjell albinfo.ch. “Zvicra po lirohet, megjithë numrin në rritje”, shënon gazeta “Kronen-Zeitung”. Citohet gjithashtu një twitter që i referohet numrit të lartë të rasteve në kantonin Uri.