E-Diaspora

Veprimtari e pasur e Institutit Zviceran të Studimeve Shqiptare ndër vite

Ditë më parë në një aktivitet të zhvilluar në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë ISEAL-i bëri promovimin e katër botimeve të tij

Instituti Zviceran i Studimeve Shqiptare ISEAL me seli në Lozanë është themeluar para 12 vitesh, saktësisht më 8 dhjetor 2007. Themelimi i tij është bërë  nga 11 personalitete të shquara zvicerane, në mesin e tyre edhe ish-Kryetari i Parlamentit Zviceran, Victor Ruffy. Konfederata Zvicerane, në muajin mars 2008, e ka njohur ISEAL-in si  “institucion me vlerë publike”, dhe kjo i mundëson që të zhvillojë aktivitete afatgjata në sektorët ekonomikë, kulturorë, letrarë dhe shkencorë, thotë për albinfo.ch Driton Kajtazi, bashkëthemelues dhe drejtues i këtij instituti.

ISEAL-i është, për sa u përket strukturave, sektorëve dhe projekteve, i pari institucion i këtij lloji në Zvicër, për të gjitha komunitetet, thotë ai. Asnjë komunitet nuk ka pasur as nuk ka një strukturë të tillë, pra nuk kishte ndonjë model apo shembull për të shikuar se si kanë bërë të tjerët. Prandaj ISEAL sot është bërë shembull e model në këtë drejtim për të gjitha komunitetet në Zvicër.

Ndërsa lidhur me mbështetjen financiare të institutit që drejton, Kajtazi thotë se “i tërë fondi nismëtar është siguruar nga anëtarët themelues të ISEAL-it. Edhe tani instituti kryen funksionet themelore falë anëtarëve themelues. Kjo i ka sfidat e veta të jashtëzakonshme por edhe të njëjtën kohë na jep pavarësi të plotë. Nuk varemi nga vendime apo struktura politike e ekonomike që do të mund të ndikonin në veprimet tona por kështu bëjmë zgjidhje të lira akademike dhe shkencore asnjanëse.

Ndryshe, për projekte të caktuara, kemi pasur kryesisht mbështetje nga Konfederata, Kantoni Vaud dhe qyteti i Lozanës. Falë bashkëpunimit me qytetin e Lozanës, ISEAL e ka një ndërtesë të veten. Madje 7 struktura e shoqata të ndryshme, zvicerane dhe komunitete të tjera, me vite zhvillojnë aktivitetet e tyre në lokalet tona, falas, me përkrahjen e ISEAL-it.

“Deri tani kemi botuar 18 tituj të ndryshëm kryesisht në gjuhët shqipe, frënge dhe gjermane. Së voni e kemi bërë një botim edhe në gjuhët italiane e angleze. “Botimet prekin sfera të ndryshme, duke filluar nga mosha parashkollore, mosha e tretë, ekonomia, edukimi, shëndeti mendor, politika, trashëgimia, integrimi apo letërsia”, thotë kryetari i institutit nga Lozana, i pyetur për numrin dhe llojet e botimeve.

Ndërkaq ISEAL pos botimit të librave ka zhvilluar dhe zhvillon aktivitete të ndryshme. Gjatë këtyre viteve janë zhvilluar gjashtë simpoziume shkencore, madje tridhjeteshtate konferenca, debate dhe paraqitje. 12 Module formimi me 24 mësimdhënës, etj.

Në kuadrin e tij mbahen edhe kurse të gjuhëve frenge dhe shqipe si dhe funksionon Shkolla e muzikës “Polifoni Toskë e Gegë” . Po ashtu kemi zhvilluar projekte të ndryshme si “Konkurs Letrar” ISEAL dhe Universiteti Lozanës,  “Diaspora, urë e shkëmbimit të njohurive”, etj.

Gjatë vitit 2019, ISEAL ka bërë paraqitjen të disa librave në Universitetin e Lozanës, në bibliotekën kombëtare në Prishtinë, në Gjenevë, Cyrih e në shumë vende të tjera

Ndërkaq ditë më parë në një aktivitet të zhvilluar në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë ISEAL-i bëri promovimin e katër botimeve. Fjala është për librin “40 vite në shërbim të diplomacisë zvicerane “(ese, në gjuhën frënge), me autor Francis Cousin, diplomat i shquar, i cili ka qenë edhe ambasador i Zvicrës në Shqipëri. Libri tjetër i promovuar ishte “Urtësi nga Kosova”, libër me foto, fjalë të urta dhe punime dore nga Kosova (botim në gjuhët shqipe, gjermane, frënge, italiane dhe angleze)
brenda kopertinave të librit të radhës “Kosova, histori e pranishme e një shteti të ri” janë përfshirë aktet e simpoziumit shkencor të mbajtur në Universitetin e Lozanës me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës (2 botime të ndara: në gjuhën shqipe dhe frënge). Libri i fundit i promovuar në aktivitetin  e përmendur në Bernë ka qenë “Rrënjë për tu rritur gjetiu”, konkurs letrar i ISEAL-it dhe Universitetit të Lozanës (botim në gjuhët shqipe dhe frënge).

“Aktualisht jemi duke punuar në përgatitje të dy botimeve në gjuhët shqipe, frënge dhe angleze.

Kemi të bëjmë me aktet e dy simpoziumeve shkencore që kemi realizuar në Prishtinë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe me Odën Ekonomike të Kosovës (OEK). Është fjala për Forumin ekonomik “Diaspora urë e shkëmbimit të njohurive ekonomike” dhe “Shëndeti Mendor, sfidë e shëndetit publik”.

Po ashtu vazhdojmë me kurse të gjuhës Shqipe për zviceranë dhe të tjerë që duan të mësojnë gjuhën shqipe si dhe me kurse të gjuhës frënge.

Nga projektet e shumta që kemi për vitin e ardhshëm do të doja të veçoj konkursin letrar që e organizojmë bashkërisht me Universitetin e Lozanës, shprehet veç tjerash Driton Kajtazi.

Anëtarët e Këshillit Drejtues

Këshilli Drejtues i ISEAL-it përbëhet nga 15 anëtarë: Francis Cousin, kryetar nderi i Këshillit të Fondacionit ISEAL, Dr. Arbesa Shehu, kryetare e Këshillit të Fondacionit ISEAL,  Dr Régis Marion Veyron, Alain Maillard, Bruno Migliarini, Prof. Dr. Claudio Bolzman, Daniel Abimi, Elisbaeth Clément, Emirjeta Tashi, Prof Dr. Doris Jakubec, Dr. Gëzim Dushi, Prof Dr. Laura Bernardi, Prof Dr. Laurent Matthey, Dr. Olivier Meuwly, Prof. Dr. Peter Knoepfel, Dr. Sylvie Cossy.

Shoqata e Miqve të ISEAL-it

Paralelisht është themeluar edhe Shoqata e miqve të ISEAL-it. Kjo Shoqatë ka 186 anëtarë themelues të aA◊ISEAL.  Komiteti i Nderit të Shoqatës përbëhët nga : Prof. Dr Antonio Da Cunha, Astrit Leka, Prof. Dr Barbara Haering, Prof. Dr Bernard Dafflon, Prof. Dr Christian Zindel, Georges Cuénot, Prof. Dr Katherina Washington, Mehmet Elezi, Rexhep Rifati, Rolf Altherr, Ueli Leuenberger, Vaçe Zela, Xhemali Berisha. Komiteti Drejtues: Arsim Ferizi, Jean Rufener, Mentor Ilazi, Visar Qusaj, kryetar. Shoqata e miqve të ISEAL-it në mesin e anëtarëve ka edhe përgjegjësit e mbi 25 shoqatave të Shqiptarëve në Zvicër.