Autotech

Veturat me naftë ‘drejt fundit’, u jepet përparësi veturave elektrike dhe hibride

Gjermania, që këmbëngulte për një maksimum prej 30%, u tërhoq pasi fitoi mundësinë që të zhvillojë një rishikim të përkohshëm të rregullave

Politik-bërësit e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje për të ulur ndotjen e veturave me 35% deri në vitin 2030, duke i ofruar nxitje zhvillimit të veturave elektrike dhe hibride.

Gjermania, që këmbëngulte për një maksimum prej 30%, u tërhoq pasi fitoi mundësinë që të zhvillojë një rishikim të përkohshëm të rregullave.

Qëndrimi i Gjermanisë është mbështetur edhe nga vende të tjera prodhuese të veturave si Bullgaria, Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia. Grupi i ministrave të mjedisit deklaroi se reduktimi prej 35% i dioksidit të karbonit duhet të vijë nga nivelet që do të regjistrohen në vitin 2020.

Sipas vendimit, duhet të arrihet gjithashtu një objektiv i mesëm prej 15% deri në vitin 2025. Javën e kaluar, Parlamenti Evropian votoi për një objektiv më ambicioz prej 40% deri në 2030-ën. Sipas projeksioneve, thuajse të gjitha veturat e reja të shitura në Evropë pritet të jenë elektrike apo hibride pas 20 vitesh, shkruan ‘scan’.

Raporti “Perspektiva e Tranzicionit të Energjisë”, theksonte gjithashtu se një situatë e ngjashme pritet të ndodh në SHBA deri në vitin 2040. Prodhuesit në Evropë janë më pak ngurrues për heqjen e motorëve me djegie të brendshme, përcjell albinfo.ch.

Në muajin shtator, Shoqata e Prodhuesve të Veturave në Bruksel, deklaroi se duhen më pak punëtorë për të ndërtuar apo riparuar një makinë tërësisht elektrike.

“Objektivat e ashpër të emetimit të dioksidit të karbonit dhe kuotat jo-realiste të shitjeve për veturat elektrike, mund të sjellin probleme strukturore në Bashkimin Evropian”, paralajmëroi Organizata në Bruksel.