Opinione

Vizat si gogol

Ka muaj e vjet që vendimmarrësit kosovarë përsërisin të njëjtin refren karshi shtetasve kosovarë se pas pranimit të demarkacionit me Malin e Zi, se pas negociatave me Serbinë dhe serbët e Kosovës, se pas kësaj dhe pas asaj, do të hapen perspektivat e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Heqja e vizave është bërë prioritet numër një në agjendën politike kosovare, vend me sektor prodhues të pazhvilluar, me një deficit të madh tregtar dhe me papunësi të madhe që sillet afro 30% dhe që prek esencialisht të rinjtë.

Është fakt se regjimi i vizave e izolon Kosovën dhe i hendikepon në mënyrë të padrejtë qytetarët dhe profesionistët, veçanërisht qarqet afariste, shkencëtarët, aktorët e shoqërisë civile, gazetarët, etj. Natyrisht se izolimi i vendit nuk kontribuon në asnjë mënyrë në dinamizimin e ekonomisë si dhe të lidhjes së Kosovës me Evropën Perëndimore. Mirëpo, liberalizimi i vizave nuk do t’ia zgjidhë problemet strukturore Kosovës. Veç kësaj, çështja e vizave, respektivisht premtimet për heqjen e vizave janë duke u përdorur si paravan për ta kamufluar mosaftësinë për ta zhvilluar vendin, por edhe për t’i ikur llogaridhënies për kompromiset politiko-historike jotransparente që po bën lidershipi kosovar me Serbinë. Në realitet, lëshimet në fjalë më shumë ndërlidhen me negociata, me fatin e ardhshëm të pushtetarëve kosovarë karshi organeve të drejtësisë për abuzimet e tyre gjatë ushtrimit të pushtetit (lexo amnisti), se sa me çështjen e vizave.

Vizat nuk janë shkopi magjik i Kosovës, sikurse nuk kanë qenë të tilla për shtetet e tjera të Ballkanit, veçanërisht Shqipërinë, Maqedoninë, apo Bosnjë e Hercegovinën. Vizat nuk kanë qenë çelësi i zhbllokimit socioekonomik të tyre. Shtetasit e këtyre vendeve nuk kanë nevojë për viza për të lëvizur drejt kryeqyteteve evropiane që janë pjesë apo partnerë të Schengen-it, por situata ekonomike, investimet dhe perspektivat për rininë e atyre vendeve nuk kanë ndryshuar thuajse fare. Tani po ata shtetas tentojnë të marrin pasaparta bullgare (për maqedonasit), apo kroate (për shtetasit e BiH-së), me qëllim që të ikin dhe eventualisht të punësohen legalisht në disa vende të hapësirës Schengen.

Në Kosovë është krijuar një traditë e inxhinieringut politik të shfryrjes të tensioneve sociale duke ua hapur kufijt qytetarëve që të ikin nga vendi, qoftë me qëllim azili, apo të punojnë në të zezë, pak ka kjo rëndësi. Ikja e kosovarëve iu ndihmon pushtetarëve që ta mbajnë artificialisht situatën ekonomike me remitencat që dalin nga emigrimi i vazhdueshëm dhe rotativ i qytetarëve, sepse migrantët e vjetër i rrallojnë dërgesat pas një kohe. Disbalanci tregtar, që rezulton nga mungesa e kapacitetit prodhues në vend, kompensohet pikërisht me remitencat e migrantëve si dhe ndihmave ndërkombëtare. Të mos harrojmë kaptinën e viteve 2014-2015, kur mijëra familje kosovare ia mësynë shteteve të Evropës, me qëllim për të siguruar një të ardhme me të mirë, ose duke ikur nga një vend me paperspektivë.

Është tragjike se si opinioni kosovar vazhdon të instrumentalizohet me çështjen e vizave, si gogol. Është edhe më tragjike se si politikanët vendës nuk tregohen të aftë të mendojnë zhvillimin e mirëfilltë të vendit duke u bazuar në forcat ekzistuese, me qëllim të rritjes të prodhimtarisë që mund të konkurrojë me prodhime rajonale apo ndërkombëtare. Ikja e qytetarëve të papunë nga vendi e zbut papunësinë në afate të shkurtra, por edhe e rrit varfërinë strukturore në afate të gjata, ngase vendi privohet nga elementet e saja më vitale.

Dr. Bashkim Iseni, drejtor i platformës Albinfo.ch