Opinione

Vlerësim i njëanshëm i gazetës zvicerane rreth “Shqiponjës” së Xhakës dhe Shaqirit

Këtë “analizë” Bingesser e bën njëanshëm dhe pa hetuar asgjë tjetër përveç bërjes së simbolit të shqiponjës nga Xhaka e Shaqiri. Ai nuk i merr si provokim thirrjet, fishkëllimat dhe sharjet e pandërprera të spektatorëve serbë gjatë gjithë ndeshjes drejtuar Shaqirit, Xhakës, Behramit dhe Xhemailit

“Blick”, një e përditshme bulevardeske e Cyrihut me drejtorin e saj sportiv Felix Bingesser, pa analizuar fare-fare zhvillimet  e  mëhershme në kombëtarën e Zvicrës në futboll, atakon përzgjedhësin e  saj Vladimir Petkoviq dhe dy futbollistët me origjinë shqiptare Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të cilët tani për tani janë truri i këmbëtarës së Zvicrës.

Sipas zotit Bingesser si Xhaka ashtu edhe Shaqiri kanë bërë një “mëkat” të madh që gëzimin e tyre pas shënimit të golave kundër Serbisë e kanë shprehur duke bërë simbolin e shqiponjës.

Artikullshkruesi nuk ndalet me kaq, por ndihet tepër i zemëruar nga heshtja dhe mosreagimi i trajnerit Petkoviq në rastin Xhaka e Shaqiri. Madje, ai këtë e merr edhe si shkas për të dalë me propozimin që Petkoviq duhet zëvendësuar urgjentisht me ndonjë  përzgjedhës tjetër.

Këtë “analizë” Bingesser e bën njëanshëm dhe pa hetuar asgjë tjetër përveç bërjes së simbolit të shqiponjës nga Xhaka e Shaqiri. Ai nuk i merr si provokim thirrjet, fishkëllimat dhe sharjet e pandërprera të spektatorëve serbë gjatë gjithë ndeshjes drejtuar Shaqirit, Xhakës, Behramit dhe Xhemailit (Shih në linkun në vijim):

https://www.facebook.com/kseshteal/videos/1412961055517401/

Po ashtu ai nuk sheh as pjesën shumicë të simpatizuesve serbë me kokardën çetnike në kokë, simbol i fashistit Drazha Mihajloviq,i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore bëri gjenocid në Kroaci, Bosnjë, Kosovë  dhe brenda për brenda Serbisë,duke vrarë me mijëra pjesëtarë të kombeve të tjera për “fajin” e vetëm që nuk ishin serbë.

Duhet t’i kujtojmë zotit Bingesser që qasja në një temë të tillë do studim të veçantë mbi të kaluarën dhe të tashmën e popujve të Ballkanit.

Ai me këtë shkrim paragjykues përveç Shaqirit, Xhakës, Behramit dhe Xhemailit,  fyen dhe lëndon edhe mbi dyqind mijë shqiptarë të tjerë, të cilët krahas vendorëve sidomos në këto dy dekadat e fundit pa kursyer asgjë nga vetja e tyre po kontribuojnë në zhvillimin e këtij vendi,jo vetëm në sport por edhe në shkencë, siguri, politikë, ekonomi e kulturë.

Shprehjen e gëzimit me bërjen e simbolit të shqiponjës z. Bingesser, duhet të kuptojë si diçka të rëndomtë dhe normale. Ajo është identike me sampon braziliane dhe vallëzimet senegaleze dhe ato të Bregut të Fildishtë.  Kombëtaret e këtyre vendeve festojnë me lëvizje të duarve që për simbolikë kanë fluturimin e pëllumbave lirshëm.

Zoti Bingesser  a mendon që edhe këto kombëtare duhet dënuar për mënyrat e shfaqjes së gëzimit të tyre?

Gjesti i Xhakës, Shaqirit dhe solidarizimi i kapiteni Stephan Lichststeiner me simbolin e shqiponjës e ka simbolikën e të shkuarit sa më lartë në arritjen e rezultateve, e asgjë më tepër.

Çuditërisht me vetëdije apo i manipuluar nga kolegët e tij serbë me fushatë të njëjtë ndaj Granit  Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, shfaqet edhe  z.Felix Bingesser, i cili këtij veprimi të këtyre futbollistëve që me të drejtë konsiderohen si krenari jona dhe e Zvicrës, mundohet t’i japë ngjyrim politikë.

I kujtojmë zotit Bingesser që para viteve të 2000-ta futbolli në Zvicër edhe pse sporti më i preferuar në botë ishte plotësisht i margjinalizuar dhe i lënë në harresë. Kuptohet që ekzistonte kombëtarja helvetike por s’njihej për ndonjë arritje.

Duhet të jemi të sinqertë që edhe sot niveli i të ashtuquajturës Raiffesen Super League të Zvicrës, është shumë-shumë larg vendeve të tjera të Evropës.

Këtë e dëshmon edhe fakti që kjo Ligë përbëhet prej vetëm dhjetë skuadrave, të cilat brenda një Kampionati takohen në mes veti hiç më pak se katër herë.

Futbollistët e talentuar zviceranë në rastin e parë afirmimin e tyre e kërkojnë në Klube të njohura të Anglisë, Gjermanisë, Italisë, Spanjës, Francës, Portugalisë, bile herëherë edhe në Turqi e Kroaci ,siç është rasti me Johan Djourou që luan në në FC “ Antalyaspor” të Turqisë dhe Mario Gavranoviq në  FC “Dinomo “të Zagrebit të Kroacisë.

Diçka pozitive në këtë fushë të sportit nis të lëvizë gjatë viteve 2001- 2008 kur në krye të kombëtares së Zvicrës , si përzgjedhës Jakob Kuhn. Ai pa pikë dyshimi mund të merret edhe si nismëtar i reformave brenda kësaj kombëtareje.

Me gjithë vështirsitë e shumëta nën drejtimin e tij Zvicra,fillon me paraqitje në arenat e futbollit ndërkombëtar. Pjesë e skuadrës zvicerane në atë periudhë ishte edhe shqiptari i natyralizuar nga Anamorava e Kosovës z.Milaim Rama.

Ky një paralajmërim i mirë që të rijntë shqiptar kushtet jashtëzakonisht të mira në Klube të ndryshme të  Zvicrës,do t’i shfrytëzojnë maksimalisht . Ashtu edhe ndodhi .

Shumica prej tyre u bënë pjesë e grupmoshave U- 17, 18, 19,20 dhe 21 të Zvicrës.

Skuadra juniore e Zvicrës më 2010 duke mundur Nigerinë me rezultatin 1me 0 bëhet edhe kampione bote në këtë kategori. Me njëmbëdhjetëshin e parë të skuardës zvicerane patën luajtur edhe Granit Xhaka,Pajtim Kasami dhe Fredreik Veseli,i cili ishte edhe kapiten i ekipit.

Ardhja e gjermanit Ottmar Hitzfeld në pozitën e përzgjedhësit të Zvicrës, një nga epokat më të ndritura të futbollit zviceran.

Hitzfeld i licensuar si trajner profesionist solli risi të shumëta në kombëtarën e Zvicrës.

Ai i njohur për disiplinën dhe seriozitetin në punë u dha mundësinë që talentin e tyre në këtë kombëtare ta tregojnë të gjithë pavarësisht ngjyrës dhe origjinës së tyre.

Prandaj periudha ndërmjet viteve 2008 – 2014 konsiderohet si kohë e sukseseve të jashtëzakonshme të kësaj kombëtare.

Nga shqiptarët e natyralizuar në listën e selektorit Hitzfeld u përfëshinë: Xherdan Shaqiri,Granit Xhaka,Valon Behrami,Blerim Xhemaili,Admir Mehmedi dhe Pajtim Kasami. Për të vazhduar edhe më tutje me përzgjedhësin e ri kroat  Vladimir Petkoviq.

Ndërkohë në planet e trajnerit Petkoviq do të gjenden edhe futbollistët e rinj  dhe tejet perspektivë Florent Hadërgjonaj,mbrojtës i djathtë dhe sulmuesit Albian Ajeti e Shani Tarashaj.

Iniciativa e disa individëve që shtetësia e vendit të origjinës t’u hiqet të gjithë futbollistëve që luajnë në kombëtarën e Zvicrës është e gabuar ,sepse në fushë shihet loja e jo shtetësia.

Klubet më të njohura në botë si : FC”Barcelona” FC “Real Madrid”FC  “Bayern Munich” FC “Manchester United” FC”Paris Saint -Germain” FC”Juventues” etj. kanë me miliona adhurues në botë falë shumëllojshmërisë nacionale të futbollistëve.

Këto klube në saje të kësaj përzirje hetrogjene përherë adhuruesve të tyre u ofrojnë diçka tërheqëse dhe të bukur.

Gjendje e njëjtë mbretëron edhe në shumicën e kombëtareve të futbollit të Evropës Perëndimore,vendet e të cilave pa të huajit as që do të kishin rastin të dilnin jashtë kufinjëve  të tyre shtetëror.

Futbollistët me origjinë shqiptare që luajnë në kombëtarën e Zvicrës,kanë merita  të pakonteshtueshme në arritjen e sukseseve të helvetikëve.

Dikur kjo kombëtare nga kundërshtarët merrej vetëm si një rast i mirë për përmirësim e golaverashit.

Sot,falë këtij brezi të artë të këtyre djemëve dhe shokëve të tyre nga fusha kokëulur largohet edhe një Brazil i të famëshmit  Edson Arnates Pele,kampion i shumëfishtë i botës në futboll.

Prandaj për një shfaqje gëzimi të denigrosh figurën e Xhakës dhe Shaqirit ,të cilët fanellat e tyre i lanë me djersë është turp dhe e pandershme.

Gjithashtu dihet fare mirë që Xhaka,Shaqiri,Behrami,Xhemaili,Mehmedi,Kasami,Hadërgjonaj,Ajeti dhe Tarashaj,u kritikuan ashpër prej vendeve të tyre të origjinës Shqipërisë,Kosovës e Maqedonisë vetëm pse i thanë jo ofertës së tyre.

Ata këtë refuzim e bënë nga dëshira që t’ia kthejnë borxhin shtetit zvicëran i cili u dha mundësi  formimi dhe afirmimi . Jo vetëm që u përcaktuan që t’i bartin ngjyrat kuq e bardhë por me lojën e tyre të bukur e nxorën Zvicrën përballë kombëtareve me famë botërore siç janë:Brazili,Argjentina,Spanja, Gjermania,Italia Anglia,Franca,Portugalia ,Kroacia etj.

Andaj të mohoshë dhe të bëshë orvatje të përbaltësh për hiçgjë gjithë këtë përpjekje të trajnerit Petkoviq dhe të këtyre lojtarëve që emrin e skuadrave të Zvicrës e çuan edhe tek gjiganti anglez FC “ Arsenal”i Anglisë,vërtetë është mëkat dhe cinizëm i  llojit të vet.

 

ARIF EJUPI