Tematike

Vritet xhihadisti shqiptar që “donte të kthehej në Zvicër me ushtrinë e ISIS-it”

Orhan R. ishte ndër pjesëtarët e ISIS-it me "lidhje zvicerane" që kishin arritur më së larti në kierarkinë e ushtrisë terroriste

Në muajin maj të këtij viti në Siri është vrarë Orhan R., i cili sipas gazetës SonntagsZeitung ka qenë njëri ndër luftëtarët e rangut më tä lartë nga personat  me “lidhje zvicerane” të angazhuar në ISIS.

Orhan R. ka qenë shqiptar 26 vjeçar me prejardhje nga Maqedonia ndërsa ka jetuar edhe në Zvicër, gjegjësisht në Dübendorf të Kantonit të Cyrihut. Po ashtu ka dëshmi tjera të qëndrimit të  tij në Zvicër, gjegjësisht në Gjenevë etj. Ai ka pasur lidhje edhe me Qëndrim R., i dënuar me burg të përjetshëm në Turqi për aktivitetet në shërbim të ISIS-it etj.

Gazeta në fjalë përshkruan ngritjen në karrierë të shqiptarit në ushtrinë terroriste, duke u mbështetur në fotografitë ku ai paraqitet me luftëtarë të rangut të lartë të ISIS-it dhe në burime tjera, transmeton albinfo.ch. Ai kishte arritur të bëhej shef i shërbimit informativ të ISIS-it për regjionin e Ballkanit.

Ndërsa sipas Koalicionit anti ISIS, të udhëhequr nga amerikanët, Orhan R., i mbiquajtur edhe si Daniel al-Albani, kishte planifikuar nga Siria sulme terroriste jashtë vendit, mes tjerash edhe në Evropë.

Orhan R., ishte zhdukur nga Zvicra në vitin 2014, ndërsa pas një viti ishte paraqitur në një video propagandistike të ISISI-it. Kur, gazeta “SonntagsZeitung”, në vitin 2015 kishte bërë hulumtimin e parë lidhur me këtë problematikë, R. e kishte konfirmuar faktin se kishte qëndruar një kohë në Zvicër. Në këtë kontekst ai kishte shkruar se donte të ktehej sërish në Zvicër por me ushtrinë e ISIS-it.

Në Siri, Orhan R., kishte luftuar në njësitin e njëjtë kua kanë bërë pjesë edhe Valdet Gashi (ish kampion thaiboksi) dhe Christian-i, një zviceran i konvertuar në islam, të dy nga Winterthur-i i kantonit të Cyrihut.

Më tutje gazeta e përmendur merret me ambientin prej nga rrjedhin xhihadistët që shkojnë nga Zvicra në “luftën e shenjtë” në Siri dhe në Irak. Ata janë me shumicë dërmuese me prejardhje nga Ballkani, gjegjësisht nga Kosova, Maqedonia dhe Bosnja. Kjo, përveç me përkatësinë myslimane të popullsisë së këtyre vendeve shpjegohet edhe me përpjekjet e mëdha të ISIS-it që aktivitetet e veta drejt Evropës t`i orientijë duke shfrytëzuar këto vende të Ballkanit si urë lidhëse, përcjell albinfo.ch. Së këndejmi, diaspora e e madhe e Ballkanit në Zvicër ka qenë një objektiv tërheqës për përpjekjet propaganduese dhe rekrutuese të ushtrisë terroriste.

Orhan R., sipas njoftimit të aleancës andi ISIS thuhet të jetë varrë më 21 maj nga një sulm ajror në afërsi të lokalitetit sirian Mayadin në luginën e Eufratit.