«Asnjëherë nuk kam ndjerë injorim, as si grua dhe as si kosovare»

Shqipe Shehu-Brovina, psikiatre dhe psikoterapeute (FMH), është udhëheqëse e një klinike në Gjenevë. Ajo ne Zvicër ka ardhur pa ditur asnjë fjalë nga gjuha frënge dhe barrierat e jetës i tejkaloi vetëm me një punë dhe këmbëngulësi të pashoqe.

«Flokët i kam ngjyrë mjalti». Kështu e përshkruan veten Shqipe Shehu-Brovina, në shenjë mirënjohjeje për ftesën e gazetares të së përditshmes zvicerane „Le Temps“. Në Zvicër ajo ka ardhur në vitin 1993. Bashkëshorti i saj, në Kosovë ushtronte një punë në një zyrë inxhinierie. «Unë ende isha studente e mjekësisë në Prishtinë. Pasi i mbarova studimet e mia, unë e bëra edhe një studim pasuniversitar këtu në Zvicër», rrëfen Shqipja 42-vjeçare, duke shijuar aromën e një kafeje. Sot, ajo është psikiatre dhe psikoterapeute (FMH), terapeute familjare dhe udhëheqëse e klinikës. Por, ajo refuzon të trajtohet si një «shembull i integrimit». «Vallë, ç`do të thotë një fjalë e tillë»?

Psikiatrja shqiptare vjen nga një vend i privilegjuar: i ati me profesion inxhinier, ka një post të lartë në Ministrinë e Arsimit në Kosovë, ndërsa e ëma e saj është mësuese. Aktualisht, ajo është e natyralizuar dhe jeton në Cologny, me bashkëshortin e saj dhe dy fëmijët e moshës 14-, dhe 5-vjeçare. «Kisha fatin të njoftoja njerëz të jashtëzakonshëm të cilët mi hapën dyert, të cilët më inkurajuan që të arrijë më larg. Asnjëherë nuk jam ndjerë e injoruar, as si grua e as si kosovare», deklaron ajo. Kunati i saj, kirurg dhe pediatër në Lozanë, nuk e kishte të njëjtin fat. «Atij ia refuzuan kërkesën për një banesë në Neuchatel, pasi ai ishte kosovar, edhe përkundër faktit se bëhej fjalë për një mjek».

Shqiptarët sekundos gjithnjë e më ambiciozë

Vitet e fundit kosovarët që jetojnë në Zvicër dalin në pah gjithnjë e më shumë për suksesin e tyre profesional.

Nëse talenti i tërë një vale sportistësh shqiptarë është më se i njohur, është inkurajuese të theksohet se gjithashtu talente të ndryshme shfaqen gradualisht edhe në fusha të tjera.

Përveç zanateve të restaurimit, të prodhimit dhe të ndërtimit, brezi i ri duket se ka kapërcyer barrierat e zakonshme për të hyrë edhe në profesionet e ashtuquajtura akademike.

Mes tyre, mu në qendër të qytetit të Lozanës, është hapur një kabinet avokatësh “KDB, Kryeziu, Deng & Brochellaz”, ku punon edhe z.Kryeziu, një secundos shqiptar.

Në lagjen “Pépinet” është një shesh i vogël, me plot terraca dhe ndërtesa tregtare. Në një cep të kësaj hapësire, disa pllaka të rrumbullakëta, në mes të të cilave bie në sy ajo e kabinetit “KDB, Kryeziu, Deng & Brochellaz”, që pa dyshim ngacmon kureshtjen e kalimtarëve shqiptarë, sepse, le të thuhet, emrat shqiptarë në këtë fushë mbeten ende të rrallë.

Të sapovendosur në byrotë e tyre, tre juristët e rinj mirëpresin albinfo.ch.

Gjatë zhvillimit të bisedës, albinfo.ch zbulon larminë e gjerë profesionale të juristëve që ofrojnë zgjidhje të përshtatshme për secilin. Këtu, çështja e gjuhës nuk është pengesë, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja, italishtja dhe madje edhe shqipja ngjyrosin përditshmërinë e tyre. Të pajisur me aftësi të vlerësuara, avokatët e rinj vejnë në rend të parë ofrimin e këshillave dhe zgjidhjeve sa realiste, aq dhe efikase.

Duke ecur përpara në një ekip dinamik dhe bartës të një force reaktiviteti të pamohueshëm, z. Kryeziu flet për karrierën e tij dhe për lidhjen me vendlindjen. Edhe pse faktikisht lidhja me Kosovën mbetet shumë e dobët, ai pohon se emocionalisht është shumë e fortë.

Pikërisht, cila është kjo lidhje?

Zëvendëskryetari i Kuvendit të shqiptarëve në Zvicër, z.Kryeziu, u angazhua pikërisht që të ringjallë lidhjen me komunitetin e tij. Në të vërtetë, thotë ai, “gjatë luftës dhe pas luftës unë jam larguar disi nga komuniteti. Në atë kohë, shtypi ndërtonte një imazh të keq të shqiptarëve. Vetëm më vonë unë kuptova se kjo tërheqje ishte absurde. Sot unë jam i vetëdijshëm se është e mundur të pajtoj dy botët e mia”.

Ajo që e lidh atë me Kosovën është pa dyshim fryma e familjes, tregon ai, një shpirt që ushqen si trashëgimi, si shenjë ruajtjeje të kulturës shqiptare.

Rruga profesionale dhe diskriminimi

I ardhur në Zvicër si foshnjë (12 muaj), z.Kryeziu kryen programin klasik shkollor deri në diplomën për Drejtësi në Universitetin e Friburg-ut,pas së cilës ai ka punuar për gjashtë muaj si nëpunës i Gjykatës së Qarkut në Broye, Vaud-in verior, në Yverdon, pastaj si praktikant për Kabinetin “Loroch, Elkaïm & Associates”. Së fundi, para se të hapte kabinetin e tij, ai punoi si bashkëpunëtor në kabinetin Avocat-ch.

Në këtë drejtim ai thotë se asnjëherë nuk ka pasur përshtypjen që ka qenë i diskriminuar për shkak të origjinës së tij. Megjithatë, ai mendon se kur ishte në kërkim të një vendi për avokat-praktikant, origjina e tij e ka penalizuar, meqë ai qe ftuar në vetëm disa intervista, ndërsa kishte dërguar oferta të shumta.

Përkundër kësaj, z.Kryeziu mbetet optimist për të ardhmen. Shoqëria shqiptare po ndryshon, siç po ndryshojnë edhe telashet dhe shqetësimet e saj. Aktualisht,çështjet ligjore me të cilat ballafaqohen rreth 250.000 shqiptarë që jetojnë  në Zvicër kanë të bëjnë me të gjitha fushat e ligjit (me të drejtën familjare, ligjin e trashëgimisë, ligjin e patundshmërisë, të drejtën tregtare, administrative dhe penale), gjë që tregon integrim të mirë dhe pjesëmarrje të mirë të tyre në shoqëri. Gradualisht, duke marrë parasysh numrin e kompanive shqiptare në Zvicër, lloje të tjera problemesh lindin dhe, si rezultat, këto probleme përbëjnë një mundësi financiare për kabinetet e avokaturës.

Në të vërtetë, sikurse edhe zviceranët, shqiptarët gjithnjë e më tepër i drejtohen një avokati për konflikte të trashëgimisë, suksesionit, ndarjeje martesore, etj. Prandaj, pranimi i një avokati shqipfolës do të konsiderohet si një përparësi, siç do të jetë edhe për ata që flasin gjuhët aziatike apo të vendeve arabe, vlerëson z.Kryeziu.

Si e shpjegon suksesin e tij?

Kryeziu thotë se suksesi i tij ishte i mundshëm falë mjedisit në të cilin ai u rrit. Fëmijë nga familje të mira që u pëlqente të vendosnin para fëmijëve të tyre sfidën e notës më të lartë në mësim, një sfidë që shumë shpejt z.Kryeziu e mori seriozisht. Megjithatë, nuk duhet harruar, thotë ai, pa shumë punë, ky sukses do të ishte i paarritshëm.

Përse shqiptarët e brezit tuaj hasin ende në vështirësi për të hyrë në zanate të tilla?

Është e pamohueshme se diskriminimi është një faktor i rëndësishëm. Për më tepër, shtypi ka raportuar edhe disa raste ku origjina është një pengesë e madhe për hyrje dhe pranim profesional.

Megjithatë, faktorë të tjerë duhet të merren po ashtu parasysh. Për shembull, te shqiptarët gjen shprehje edhe ideja e moskonformitetit me sistemin, pra një sistem në të cilin shumica e të rinjve kanë vështirësi ta gjejnë veten dhe vendin e tyre.

Kryeziu shpreh keqardhje kur ai vëzhgon brezin e tretë të shqiptarëve: “Çfarë më befason është se si ky brez i ri është mbyllur përsëri në vetvete. Për shkak të faktit se ata mund të ndjehen të refuzuar, ata mbeten kryesisht në mes të tyre, gjë që nuk shkon në favor të një integrimi të suksesshëm”. Vala e re, ajo që ka lindur dhe është rritur këtu, jep përshtypjen se ka humbur pikat orientuese të saj.

Jehona…

Bisedat në shoqëri duket se kanë pasur efektin. Shumë shqiptarë kanë kontaktuar tashmë kabinetin e z.Kryeziut, vektori i gjuhës lehtëson komunikimin. Duhet të theksohet se sekretaresha e kabinetit, përveç gjuhëve nacionale, flet po ashtu gjuhën shqipe. Megjithatë, të mos ketë keqkuptim, ka klientë të këtij kabineti nga vende të ndryshme, rastet e trajtuara nga avokatët janë të shumta dhe ndikojnë në fusha të ndryshme, siç është ligji administrativ, ligji i biznesit, e drejta penale, e drejta civile, etj. Dhe për këtë ata janë të kërkuar nga klientë me origjinë të ndryshme.

Kolegët e tij, një takim premtues

“Të vetmin problem që kisha ishte shqiptimi i emrit të Jetonit”, vëren me humor z.Brochellaz. Më konkretisht, ai shpjegon se në mes të juristëve emrat shqiptarë janë ende të rrallë. Prandaj, prania e një përfaqësuesi të këtij komuniteti është me se i mirëpritur, përveç kësaj, ky fakt ndihmon luftën kundër paragjykimeve të palëkundshme.

Zonja Dang, ndërkohë, kujton se përtej origjinës së z.Kryeziut, ishte eksperienca e tij si i huaj i brezit të dytë: “Kishim një vështrim të ngjashëm kur bëhej fjalë për ndjenjën e një kulture të dyfishtë si dhe për pasojat me të cilat na duhej të ballafaqohemi”.

Ndërsa, shikimi i tyre shkrihet në kujtimet e hershme, papritmas, ata i entuziazmon dëshira për të vizituar shtetin më të ri në Evropë. Nuk i dihet, ndoshta në tetor, pse jo.

Në rast se kemi problem, çfarë duhet bërë?Është e pamundur të japim këshilla të përgjithshme, thotë z.Brochellaz, sepse çdo rast është unik. Ne vështrojmë se njerëzit shpesh vijnë te ne kur ata janë në një pozitë të keqe dhe që nuk mund të kthehen prapa. Kam përshtypjen se avokatët konsultohen vetëm në momentet e fundit. Por avokati, përveç mbrojtjes në gjykatë, mund të japë edhe këshilla të qëlluara. Nganjëherë fitojmë më shumë nëse këshillohemi me një profesionist për t’u udhëzuar, gjë që, natyrisht, nuk bëhet falas, por që në disa raste mundëson shmangien nga një proces i gjatë dhe i lodhshëm.Zonja Dang pajtohet dhe thekson në veçanti idenë se në shumicën e rasteve juristët ndërhyjnë vetëm në hallkën e fundit të zinxhirit.Z.Kryeziu konstaton se tek shqiptarët mentaliteti optimist mbizotëron, gjë që zvarrit procesin. Ata ushqehen me shpresën e tyre të famshme: “Çdo gjë do të bëhet mirë” dhe kontaktojnë një profesionist vetëm në kohën kur vendimi është marrë dhe kur  duhet bërë apel patjetër.

Dy artistë nga Kosova dhe ”një palaço”

Shumë larg vendlindjes, në një hapësirë të gjelbëruar me madhësi të një fushe futbolli, dy artistëve të rinj shqiptarë  iu dha rasti ta përfaqësojnë  për herë të parë Kosovën në Festivalin e skulpturave në rërë që mbahet në Rorschach të Zvicrës për trembëdhjetë vjet me radhë.

Në mesin e dhjetë ekipeve që kishin fituar konkursin për të marrë pjesë në këtë festival, risia ishte ekipi nga Kosova, me dy artistët gjilanas, Bekim Korçën dhe Kushtrim Zeqirin.

Të vendosur buzë liqenit në njërën anë dhe karshi restoranteve e përballë ekipeve konkurruese, si Holanda, Letlanda, Rusia, Bullgaria, Kenia dhe Çekia, në garë për të gdhendur skulpturën më të mirë nga rëra, takojmë dy gjilanasit e relaksuar në pritje të ndarjes së çmimeve pas punës së mundishme njëjavore që kërkonte nga artistët pjesëmarrës ilustrimin më të mirë përmes artit figurativ  të temës së përzgjedhur -„kafsha në ty“.

©albinfo.ch: Palaçoja e ekipit nga Kosova

Ilustrimin e kësaj teme Bekimi dhe Kushtrimi kanë zgjedhur ta bëjnë përmes një palaqoje kokështrirë e gjuhën jashta. Koncepti dhe emri i punës sonë që kam përzgjedhur bashkë me Kushtrimin, ka qenë kloni apo palaqoja, i cili luan ose e aktron elefantin.  Portreti i klonit tregon se artistët sakrifikojnë gjithnjë veten për t’i bërë të tjerët të ndjehën mirë, përshkruan skulpturën e tij Bekim Korça, duke na shpjeguar se fytyra e palaqos simbolizon njeriun normal, kurse brenda tij ekziston një elefant që tregon se palaqët, dhe jo vetëm ta, por  edhe artistët e njërëzit e rëndomtë, e kanë një energji të jashtëzakonshme që  mund mbase ta balansojnë me fuqinë e elefantit, thotë në këtë rast skulptori 36-vjeçar Bekim Korça, i cili  jeton dhe vepron  në Gjilan. Ka një atele të veten, punon për një organizatë joqeveritare në mbrojtje të drejtave të njeriut, si dhe monitoron marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë.

Të ngazëllyer nga mikpritja e mirë, dy skulptorët nga Kosova  mendojnë se pjesëmarrja e tyre është një rast i mirë i artistëve të rinj për promovim e punës së tyre, e që në të njejtën kohë ka rëndësi të madhe për shqiptarët që jetojnë jo vetëm në këtë qytet, por edhe më gjerë. Sepse pranë çdo skulpture të vendosur qëndron një pllakatë me emrat e pjesëmarrësve, vendi nga vijnë e përshkrimi i skulpturës, që për temë kishin „Kafsha në ty apo përbrenda teje“ ose „Your inner animal“.

Skulptura fituese, kundruall asaj të ekipit nga Kosova

Bekimi ka pasur ekspozita kolektive të shumta si dhe ekspozita personale, ndërkohë që në fushën e artit internacional ka krijuar një përvojë të mirë. Kohë më parë në Budapest të Hungarisë është paraqitur me dy ekspozita personale. kurse tani për herë të parë në Rorschach të Zvicrës në Festivalin e skulpturave në rërë bashkë me kolegun e tij, Kushtrim Zeqiri. Meritat për prezencën e ekipit nga Kosova ia drejton komunitetit shqiptar në Zvicër, gjegjësisht Shoqatës shqiptare në Bodensee në krye me Afrim Maliqin, të cilët mundësuan që në këtë festival të karakterit ndërkombëtar të sjellin një ekip nga Kosova. Festival ky që përreth një muaj vizitohet nga vizitorë të shumtë, jo vetëm nga Zvicra, por edhe nga Gjermania, Austria, Holanda e vende të tjera. Karakteristikë e veçantë e këtij festivali është bujaria e qytetarëve të Rorschach-ut.  Në hyrje të festivalit qëndron një pllakatë e madhe me emrat e donatorëve, ku ndër të tjera është edhe pizzeria Zattis, pronë e një shqiptari nga Tetova. Bekimi dhe Kushtrimi ishin mysafirë të hotelit Rossli, aty kishin ushqimin dhe fjetjen falas, ndërsa rrugën e kishin nga „Air Prishtina“ .

Siç mësojmë nga Kushtrimi dhe Bekimi, interesimi i vizitorëve për ekipin nga Kosova ka qenë i jashtëzakonshëm. Gjatë tërë javës sa kemi punuar këtu, unë kam përjetuar vetëm reagime pozitive. Reagimet me të mëdha kanë qenë kur e kanë lexuar, Kosovo Team! Një lloj habie përmes mimikës, domethënë, wua -Kosovo Team – paska ekip edhe nga Kosova! Shumë shtetas zviceranë kanë mirëpritur prezencën e ekipit nga Kosova, na janë ofruar  për diskutim e iu ka ardhur mirë që edhe Kosova merr pjesë në këtë festival, thotë Bekimi, i bindur se përmes artit e bashkëpunimit kulturor gjasat për integrim të komunitetit tonë janë shumë më të mira. Dhe në një rast tek sa nxënësit e shkollave përrreth që më mësuesit e tyre shikonin skulpturat, fëmijët shqiptarë, më të parë se edhe Kosova ishte pjesëmarrëse, nga gëzimi e krenaria thirrnin gjermanisht: „yah“,  edhe Kosova qenka këtu.

Bekimi dhe Kushtrimi para skulpturës së tyre

Për 23-vjeçarin Kushtrim Zeqiri, skulptor me profesion,  i cili këtë vit ka mbaruar studimet postdiplomike master në Degën e skulpturës në Prishtinë, më tepër se të fitonin ishte e rëndësishme pjesëmarrja. „Ndarja e çmimeve nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe, është shije e komisionit. Më rëndësi ishte prezenca e ekipit nga Kosova në një vend ku komuniteti shqiptar jeton në numër të madh. Fundja, të gjitha skulpturat janë të mira që ilustrojnë një histori rreth temës“. Kushtrimi e pranon se, karshi ekipeve të tjera, ekipi nga Kosova nuk sillte përvojë të madhe me skulpturat në rërë, porse kjo nuk çonte shumë peshë, e nuk  na hamendte, sepse kishim konceptin tonë të punës për të realizuar këtë skulpturë. I kënaqur që ishte pjesë e këtij festivali, ai ndahet me përshtypjet që ka pasur fatin të jetë pjesë e këtij festivali pranë shumë artistëve të tjerë në një atmosferë tërësisht të re. Me një ritëm të punës që njihet vetëm në Zvicër.

Ekipi kosovar  mbi gjitha ishte befasur me përpikmërinë e organizatorëve. „Ne kemi dëgjuar e lexuar për përpikëmërinë e punës së zviceranëve, kurse tani patëm rastin ta ndjejmë e ta shohim nga afër. Këta janë njerëz që punojnë për vijë, domethënë e respektojnë shumë punën. Kjo ka qenë përshtypja e parë që kemi marrë, përshtypjen e dytë e kemi nga ngrohtësia e bashkatdhetarëve që jetojnë këtu, qysh nga momenti i parë i mbërritjes ne kemi qenë në krye të vëmendjes së tyre duke na ofruar ndihmë për gjithçka që kishim nevojë, por edhe duke na shtruar darka e organizuar takime e udhëtime nga më mbreslënëset.

Për më tepër rreth këtij festivali mund të vizitoni linkun http://www.sandskulpturen.ch/

Shaqiri: “Jam shumë i lidhur me familjen”

Sot gazeta e përditshme “Le Matin” i kushton një intervistë ekskluzive (dy faqe të tëra) futbollistit më të famshëm në Zvicër, Xherdan Shaqiri.

Ndër të tjera ai shpreh modestinë e tij, duke theksuar rëndësinë që kanë lidhjet e ngushta familjare. Ai tregon se është shumë i afërt me familjen e tij, gjë që e vlerëson shumë.

Edhe pse suksesi i lartë dhe pasuria e madhe kanë bërë që përditshmëria e Shaqirit ka lëvizur në shumë aspekte, prapëseprapë, ai dhe familja e tij nuk kanë ndryshuar në brendi.

A është bërë Familja Shaqiri një organizatë private që i shërben Xherdanit?  (Ai buzëqesh)

Jo, kursesi. Vëllai im, Erdini, është këshilltar, për ndryshe, jo. Thjesht, ne jemi të gjithë shumë të lidhur familjarisht.

A shpjegohet kjo nga fakti se familja juaj është kosovare?

Ndoshta, unë nuk e di saktësisht. Ne kemi jetuar gjithmonë në një mënyrë të caktuar dhe, edhe pse gjërat po ndryshojnë për disa kohë, në brendinë tonë ne nuk kemi ndryshuar, as unë personalisht.

Pa dyshim se Ju jeni duke iu referuar statusit tuaj të ri. A ndiheni në lëkurën e një të pasuri të ri?

Jo! Sapo pata mundësitë kam blerë një shtëpi për familjen time, sepse e ndjeja atë si një detyrim ndaj prindërve. Por, pasuria nuk ishte qëllim në vetvete. Kur vijmë nga Kosova nuk mund të supozojmë se pas pak viteve do të bëhemi të pasur.

Shqiptarët e Zvicrës, tregime suksesi edhe përtej fushës së futbollit

Në vazhdën e artikujve shumë afirmativë që sidomos muajve të fundit, u kushtohen me të drejtë futbollistëve shqiptarë të kombëtares zicerane, gazeta „Aargauer Zeitung” ka dashur të thyejë një tabu: jo vetëm futbollistët janë shqiptarët për të cilët duhet të shkruhet. „Shqiptarët në Zvicër kanë një imazh të keq. Pa të drejtë.

Dy tregime suksesi, përtej fushës së futbollit”, është motoja nën titullin e shkrimit “Shumica e padukshme” në të cilin prezantohen avokati Ilir Daljipi që ka zyrën në Cyrih dhe gazetari Enver Robelli, redaktor në gazetën ”Tages Anzeiger” dhe korrespondent në Ballkan i saj dhe gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung”.

Për Daljipin, Shaqiri është futbollisti i preferuar ndërsa mes cilësive të tij ai numëron frymën luftarake, angazhimin dhe natyrshmërinë”. Ndërsda gazeta po këto cilësi ia përshkruan edhe vetë avokatit Dalipi.

Vlerësimi nuk duhet bërë për etninë por për rezultatin e arritur

„Ilir Daljipi kishte pasur gjithmonë një plan. Të merrte patentën e avokatit dhe të pavarësohej. Plani u realizua. Prej 3 vjetësh e gyjsmë avokati 34 vjeçar udhëheq zyrën e vet. Puna po ecën. Kalendari i termineve është i mbushur.

„Jam i disiplinuar”, thotë Daljipi, i cili në Zvicër, në Cyrih ka ardhur në moshën dyvjeçare. Prindërit e tij, siç shprehet gazetari, ”janë maqedonas me prejardhje shqiptare, nga Shkupi. Vetë Iliri është zviceran me prejardhje shqiptare nga Cyrihu”. Daljipi, në zyrën e rregulluar me finesë, me kostumin elegant, mban shënime në një bllok të vogël. „Gjithmonë kam pasur prirje të veçantë për rend e rregull”, thotë ai. Madje detyrat e shtëpisë, që në shkollën fillore ai i kryente i pari, në fillim të vikendit, ndërkohë që shoku i tij më i mirë (një zviceran) i fillonte ato vetëm të dielën në mbrëmje.

Në shkollën fillore ai ishte „shqiptari”, ndërsa aty ishin edhe „kroatët”, disa italianë dhe spanjollë. Probleme për shkak të prejardhjes nuk kishte. Mësuesja nuk e kishte zgjedhur atë për të bërë provimet e gjimnazit, edhe pse një zvicerane me nota më të dobëta se ai, ishte zgjedhur. „Mirëpo kjo ndodhte thjeshtë për shkakun se prindërit e saj mund të bënin ndikim, ndërkohë që babai im kthehej mbrëmjeve i lodhur nga puna dhe nëna fliste fare pak gjermanisht”. Daljipi nuk është tip i tillë që dëshiron të dramatizojë.

Në gjimnaz ai mbërriti megjithatë, dy vjet pasi kreu shkollën sekondare. Pastaj erdhën studimet në juridik gje çdo gjë shkoi ashtu si duhet.

Daljipi ka pasur sukses dhe kjo gjithnjë ngjall habi. Ndodh që në gjyq puna e tij të vlerësohet në mënyrë të veçantë. “Kështu, unë nuk e di pastaj a po më lavdërojnë mua apo faktin se një shqiptar aty po e bën një punë të mirë”.

Ilir Daljipi ka edhe diçka të përbashkët me Shaqirin: Të dytë shpesh vlerësohen në radhë të pare për etninë e tyre. Daljipi thotë: “Por ne afrohemi më shumë vetëm kur të na perceptojnë si individë”.

Gjermanishtja – profesion dhe përgjithësimet që nuk ndihmojnë

Në portretin paralel që gazeta „Aargauer Zeitung” i bën Enver Robellit, përshkruhen hollësitë e ardhjes së tij për here të parë në Zvicër, para 27 vitesh. Qysh me të hyrë në këtë vend, atij, në kufirin në Kreuzlingen ia kishin matur gjatësinë dhe peshën. “Një përshëndetje jo shumë dashamirëse” thotë Robelli dhe qesh.

Ka qenë viti 1984, kur Robelli asokohe 12 vjeç, kishte ardhur me trenin e gastarbeiterëve nga Gjilani, 40 km në lindje të Prishtinës. Babai po punonte në Zvicër, në ndërtimtari, që nga vitet e shtatëdhejta. Robelli asokohe nuk dinte asnjë fjalë gjermanisht. Sot, 27 vjet më vonë, gjuha gjermane është bërë profesion i tij. Robelli është redaktor dhe korrespondent I Ballkanit për gazetat “Tages Anzeiger” dhe “Süddeutsche Zeitung”. Gjuhën, thotë ai, e ka mësuar në të shumtën vetë, „me disiplinë të hekurt”. Për t`u bërë gazetar, nuk mjafton gjermanishtja e shkollës. Prandaj Robellit i ishte dashur që heret të angazhohej më shumë se të tjerët.

Ndryshime gjatë 27 viteve të fundit nuk ka pësuar vetëm Robelli. Edhe Zvicra është bërë tjetër.

Shtëpia e parë ku ka banuar familja Robelli mbante emrin “Shtëpia e gastarbeiterëve Freienbach” ndërsa në shkollë, Enveri ishte një ekzot. Sot nuk ekziston më fjala “gastarbeiter”. Ajo është zëvendësuar me “imigrant”. Po kështu Robellët nuk munden të banojnë më në Freienbach SZ. është tepër shtrenjtë. Dhe nxënësit me prejardhje kosovare nuk janë më ekzotikë. Ata tash përbëjnë një problem.

Njëherë Robelli po i dëgjonte në tren dy njerëz tek flisnin mes vete dhe shanin kosovarët. Dikur kjo i ishte bërë e padurueshme. Dhe Robelli u ishte drejtuar: „Edhe unë jam njëri nga ata”.

Enveri, qëmoti me shtetësi zvicerane, është kthyer në muaji  gusht nga Zagrebi, ku ka qëndruar për katër vite si korrespondent për Evropën Lindore. Ai thotë: atmosfera është më e helmuar se më parë”. Për problemet e miogracionit duhet të flitet por „ky paushallizim…” nuk sjell asgjë.

Enver Robelli nuk ka ndonjë interes të madh për futbollin. Por ai e di se në kombëtaren e Zvicrës shqiptarët e kanë fjalën kryesore. Mirëpo ai nuk është i sigurt nëse kjo ndihmon për reduktimin e resentimenteve ndaj shqiptarëve. „Shaqiri është futbollisti më i popullarizuar i Zvicrës, por për prejardhjen e tij interesohen të paktët”. Kryesorja, ai po shënon gola. Dhe, meqë ra fjala, emri i tij gjermanisht shqiptohet pa „k”-në që ia vënë në mes, pra „Schatschiri” (Shaqiri) dhe jo Sha-kk-iri, siç e shqiptojnë zviceranët.

Lurata: Nuk kam pritur kaq shumë vota!

Lurata Reçi, kandidatja shqiptare, e cila arriti të fitojë numrin më të madh të votave në mesin e kandidatëve shqiptarë, në një bashkëbisedim për albinfo.ch, ka thënë të jetë e kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të së dielës edhe pse nuk kishte arritur të zgjidhet deputete në Parlamentit zviceran.

“Unë jam me prejardhje nga një vend i huaj dhe isha për herë të parë në një listë zgjedhore, nuk e kam pritur këtë rezultat kaq pozitiv. Jam e kënaqur me rezultatin edhe pse nuk mjafton për deputete”, ka thënë Lurata.

Ajo thotë se 22 mijë votat e fituara të në një procesi zgjedhor në Zvicër e kanë nxitur të vazhdojë sfidën politike edhe në të ardhmen.

Politikania me prejardhje nga Maqedonia do t’i hyjë një gare tjetër zgjedhore duke u kandiduar për këshilltare komunale në zgjedhjet komunale që do të mbahen vitin e ardhshëm në komunën e Langenthalit.

“Ky rezultat më motivon që të angazhohem edhe në të ardhmen pa përtim në politik në Zvicër! Ishte iluzion nëse kisha pritur që të zgjidhem për herë të parë si kandidate për deputete në listë. Mirëpo se do të fitojë një numër aq të madh votash, me të vërtetë jam e befasuar. Me këtë rast falënderoj të gjithë votuesit që më kanë dhënë votën”, thekson Reçi.

Politikania 34-vjeçare me prejardhje nga Maqedonia, të cilën e ka kandiduar Partia Socialdemokrate në Bernë, e ka cilësuar në përgjithësi si pozitiv procesin zgjedhor të 23 tetorit.

Lurata, edhe pse me prejardhje të huaj në Zvicër, ka arritur të sigurojë 21.939 vota të elektoratit në kantonin e Bernës.

Shqiptarja nga Struga ka 10 vjet që merret me politikë në komunën e Langenthalit të Kantonit të Bernës. Ka një vit që është në funksionin e këshilltares në Komunën e Langenthalit.

Marigona Isufi përfaqëson të rinjtë e Zvicrës në OKB

Postin e ri në Nju-Jork 19-vjeçarja e konsideron si sfidë, që sipas saj, jo që nuk përballohet, por thotë të jetë një shans i veçantë, të cilin e ka pranuar me kënaqësi.

Kosovarja Marigona Isufi, tashmë 19-vjeçare, e cila një kohë kishte lobuar për të drejtat e fëmijëve në Parlamentin Federal, prej vitit të ardhshëm do ta përfaqësojë rininë e Zvicrës si delegate në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.

Sfidë pas sfide, politikania e re e kishte filluar angazhimin politik qysh në fëmijëri, së pari kryetare e Parlamentit për fëmijë në qytetin e Bernës, mandej iniciatore e themelimit të Këshillit të të Rinjve “Jungendrat“, të cilin e udhëhoqi për dy vjet, e tash me postin e ri në Nju-Jork.

Politikania e re me prejardhje nga Kosova konkurroi në zgjedhjet e fundit edhe për deputete të Parlamentit zviceran, por që nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme.

Postin e ri në OKB 19-vjeçarja e konsideron si sfidë, që sipas saj, jo që nuk përballohet, por thotë të jetë një shans i veçantë, të cilën e ka pranuar me kënaqësi. Në një intervistë për Albinfo.ch Marigona Isufi tregon më shumë për detyrat që i ka marrë në OKB. “Unë do të jem përgjegjëse që atje të përfaqësohet edhe këndvështrimi i të rinjve dhe që rinia të ketë fjalën e saj”, ka thënë mes tjerash në këtë intervistë Marigona Isufi.

Albinfo.ch: SAJV (Bashkësia Zvicerane e Punës e shoqatave rinore) në bashkëveprim me Ministrinë e Jashtme të Zvicrës kanë zgjedhur dy zvicerane të reja dhe një zviceran për të përfaqësuar brezin e të rinjve të Zvicrës gjatë vitit 2012 në “Youth Rep” (përfaqësues të rinisë) në OKB, në Nju-Jork. Ju jeni njëra nga tri përfaqësueset e zgjedhura, çfarë sfide është kjo për Marigonën që sapo ka mbushur 19 vjeç?

Marigona Isufi: Posti i ri është gjithsesi një sfidë, por jo e tillë që nuk mund të përballohet. Unë e ndiej veten të gatshme për të, kam mbrapa vetes përvoja disavjeçare: ishte Parlamenti i fëmijëve, mandej Këshilli i të rinjve, në të cilin i përfaqësoj të rinjtë e qytetit të Bernës para Qeverisë së Komunës, pastaj puna ime në lobimin e fëmijëve, ku kam bërë përpjekje ta bart në parlament zërin e fëmijëve. Dhe, vjen posti im i ri, i cili në këtë kuptim është më i lartë, më emocionues dhe ndërkombëtar.

Ka edhe shumë për t’ u mësuar dhe për t’u lexuar, tash nuk është më sikur deri tani që të komunikoj gjermanisht, por frëngjisht dhe anglisht. Mirëpo, është një shans i mrekullueshëm, unik që më është dhënë dhe unë i gëzohem punës që do ta filloj vitin që vjen. Është një sfidë, të cilën e marr me kënaqësi.

Albinfo.ch: Sa do të zgjasë ky mision i juaj në Nju-Jork dhe cila është detyra juaj?

Marigona Isufi: “YouthRep” është një angazhim që shtrihet përgjatë dy vjetëve. Në vitin e parë unë do të jem aktive, do të shkoj në konferenca, organizoj aktivitete ose do të prezantoj OKB-në nëpër shkolla. Ndërsa, gjatë vitit të dytë do të jem më shumë përgjegjëse për trajnimin e YouthRep-it të ri dhe do të jem aktive nga prapavija, për t`iu përgjigjur pyetjeve ose për të ndihmuar.

Në kuadrin e vitit të parë unë së bashku me delegacionin zviceran, gjatë shkurtit 2012 do të marr pjesë në Komisionin për Statusin e Gruas, që zgjat dy javë dhe do të jem përgjegjëse që atje të përfaqësohet edhe këndvështrimi i të rinjve dhe që rinia të ketë fjalën e saj.

E bukura në këtë punë është se vërtet që nga fillimi jemi pjesë e delegacionit, i përpunojmë dhe i shtrojmë temat, diskutojmë për to dhe pastaj udhëtojmë bashkë për në Nju-Jork. Një nga temat që do të debatohet është “Engaging young women and men, girls and boys, to advance gender equality” (Angazhimi i të rinjve, femra dhe meshkuj, për të përparuar barazinë e gjinive). Dhe, kjo është, për shembull, një temë që vërtet ka të bëjë me të rinjtë dhe ka shumë rëndësi që edhe ne të themi diçka rreth saj.

Albinfo.ch: Ju keni garuar në zgjedhjet federale të para dy muajve, duke kandiduar për deputete në Parlamentin Federal në Bernë, a do të thotë se me përzgjedhjen tuaj do të tërhiqeni prej politikës?

Marigona Isufi: Unë vazhdoj të mos jem në asnjë parti politike dhe do të jem sigurisht edhe për një kohë.

Megjithatë, për mua angazhimi i ri nuk nënkupton aspak tërheqjen nga politika. Është krejtësisht e kundërta: unë angazhohem edhe më tutje në politikë, unë jam edhe më tej në Këshillin e të rinjve të qytetit të Bernës dhe së fundi jam aktive edhe në politikën e OKB-së. Unë, p.sh. nuk kam qenë asnjëherë pjesë e ndonjë partie dhe kjo për mua është vetëm një pjesë e asaj që e bën politikën si të tillë. Por, siç e thashë, unë jam më shumë një person që me dëshirë angazhohet në politikën reale, përmbajtjesore dhe këtë do ta bëj edhe më tej.

Albinfo.ch: Ku jeni me shkollimin, a do të mund t’i përballoni të gjitha?

Marigona Isufi: Aktualisht jam nxënëse e shkollës së mesme ekonomike në Bernë dhe planifikoj ta përfundoj atë në korrik, para se, pastaj, në muajin gusht ta filloj praktikën e maturës profesionale në Departamentin Federal për çështje të drejtësisë dhe të policisë.

Është njëra ndër sfidat e mëdha për vitin 2012 që t`i përthekoj të gjitha këto, por po ashtu nuk është se unë kam filluar befasisht tash të merrem me politikë. Angazhimi im si “YouthRep” nënkupton që do të më duhet t`i koordinoj më mirë mbledhjet, të kem më shumë kujdes që të mos më dalë asgjë nga kujtesa dhe që të kem kohë për shoqet dhe shokët, ndryshe çdo gjë rreth meje do të mbetet si më parë.Pasi që shkolla më ka mbështetur gjithmonë, nuk është ndonjë problem që do të mungoj disa ditë më shumë nga shkolla, dhe jam e lumtur për këtë mirëkuptim.

Përveç Marigonës, në Nju-Jork do të shkojnë si delegatë të Zvicrës edhe Lucie Rosset, 21-vjeçare nga Vaudi dhe i riu 23- vjeçar Mattia Zanazzi, nga kantoni i Tiçinos.

Ata do të jenë pjesë e delegacionit zviceran dhe zëdhënës të rinisë së Zvicrës në Konferencën e OKB-së për statusin e gruas (CSW) në konferencën Rio+20 për zhvillim të qëndrueshëm si dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Krahas kësaj, ata do organizojnë aktivitete të ndryshme në Zvicër, veçanërisht në kuadrin e jubileut dhjetëvjeçar të hyrjes së Zvicrës në OKB.

Jehona e albinfo.ch në SF1

Marigona Isufi është një vajzë nga Berna. Ajo ndjehet mirë, “në shtëpi të veten”, në Zvicër dhe në qytetin e saj të lindjes, në Bernë. Kështu fillon portretimi që i bëhet Marigonës nga emisioni Schweiz Aktuell i transmetuesit piblik të Zvicrës, SF1.

Lidhjen e saj me Bernën e fillon në kopshtin e lodrave, në laghjen ku është rritur. Ajo thotë se ndjehet bernase dhe zvicerane. Por, ka edhe prejardhje të huaj, është shqiptare e Kosovës. madje, marigona ka edhe dyshtetësinë, zvicerane dhe kosovare.

Ajo rrëfen më tutje për angazhimet e saj politike që datojnë nga fëmijëria dhe vazhdojnë, me intensitet më të shtuar, edhe tash. Marigona ka qenë lobiste (përfaqësuese) e fëmijëve në Parlamentin nacional të Zvicrës, pastaj ka qenë aktive në Parlamentin e Bernës, si përfaqësuese e rinisë. Së fundi ajo ka marrë një angazhim më me rëndësi. Që nga ky muaj, politikania e re zicerane-shqiptare do të jetë përfaqësuese e rinisë së Zvicrës në OKB. Atje ajo do të ligjërojë nëpër shkolla lidhur me funksionimin e OKB-së. Lidhur me temat që preokupojnë rininë, Marigona thotë se ato janë të ngjashme, si te të riknjtë zviceranë edhe te ata me prejardhje të huaj.

Sipas SF1, zëri i Marigonës është i kërkuar dhe dëgjohet edhe në meset shqiptare të Zvicrës. Në vazhdim, jepet edhe segmenti i angazhimit të Marigonës në komunitetin shqiptar. Në këtë kontekst, emetohet edhe një sekuencë nga një emision “In&Out” i portalit tonë, albinfo.ch.

Marigona flet për të huajt, diskriminimin, për interesat e përbashkëta të të rinjve, për qenien e saj të dyfishtë si zvicerane dhe shqiptare etj.

Alba Shaqiri

Alba Shaqiri është me origjinë prej Shtimes, një qytet i vogël afër Ferizajt. Prej viti 1996 jeton në Zvicer me familje. Në Univesritetin e Lozanës ka mbaruar baqelorin dhe masterin në psikologji.

Në përfundim të masterit në psikologji në Lozanë, Albës i është dhënë mundësia që një semestër ta kryen në Kanada, ku gjendet për momentin.

„Pasi kalova 4 muaj këtu dhe më pëlqente me të vërtetë, dhe po ashtu bashkëpunoja me një profesor rreth një punimi në shkencat neurologjike, vendosa të kthehem këtu dhe të filloj doktoraturën në shkencën neurologjike, dhe të vazhdoj punimin për problemet e përqendrimit me njerëzit qe kanë pasuar një sulm në tru“.

„Psikologjia ishte dega që më mundësonte të studioja qenien njerëzore, por në mënyrë me njerëzore, më humaniste, për dallim prej mjekësisë, kimisë apo biologjisë, që përqendrohen kryesisht në mekanikën e funksionimit të njeriut. Unë kisha më shumë nevoje për kontakte me pacientë, të kuptoj si njeriu mendon, si i funksionon truri, por po ashtu si ai mendon dhe si reagon kur është në kontakt me të tjerët“

Flet shqiptari i parë që ka bërë transplantimin e zemrës

Është shqiptari i parë që ka kryer operacionin e transplantimit të zemrës. Këtë ndërhyrje, për herë të parë e ka bërë në vitin 2008, në Klinikën Universitare të Frankfurtit, Gjermani. Kanë pasuar edhe katër transplantime tjera të suksesshme. Fjala është për dr. Omer Xhemalin, kardiokirurg, doktor i shkencave të mjekësisë dhe docent në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Frankfurtit. Dyzetenjëvjeçari me një karrierë të bujshme në mjekësi, është modestia vetë. I qetë, i afërt, komunikues, doktori i zemrës duket shembulli më bindës se madhështia qëndron në thjeshtësinë.

Prej afër tri vitesh, dr.Omeri nga Tearca e Tetovës punon në Spitalin “Triemli” të Cyrihut, ku mban pozitën e zëvendësshefit të repartit të kardiokirurgjisë. Për të, “vendlindja është gjithandej ku flitet shqip”, prandaj shpreh vullnetin e tij të ndihmojë atë duke bartur përvojat që ka fituar në perëndim. Por ai është i brengosur me drejtimin që po merr shëndetësia në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni… “Komercializimi dhe qëllimi për fitim të shpejtë janë shkatërruese për mjekësinë atje”. Sidoqoftë, docenti i kardiokirurgjisë në Universitetin e Frankfurtit është i gatshëm të ofrojë ndihmën e tij në fakultetet tona të mjekësisë. “Por, hapin e thirrjes u takon ta bëjnë ato sepse unë nuk mund tu them: ejani, merrmëni!”, thotë ai. Dr. Omeri tregon se si, pas 4 vjet ndihme që kishte dhënë si këshilltar në qendrën e re të zemrës në Tiranë, e kishin zëvendësuar me një mjek austriak. ”Ata mendonin se nuk do tu vinë pacientët te specialisti shqiptar, prandaj kërkonin një mjek me mbiemër të huaj!”.

Albinfo.ch: Ju jeni i pari shqiptar që ka transplantuar zemrën?

Dr. Omer Xhemali: Deri tani nuk kam dëgjuar se ka edhe ndonjë tjetër edhe pse nuk do të thotë që edhe ndonjë shqiptar të mos ketë bërë një transplantim të tillë. Por unë nuk kam kontakt me ndonjë kolegë shqiptar që është marrë me këtë lloj kirurgjie.

Albinfo.ch: Kur e keni bërë këtë transplantim dhe ku?

O.Xh.: Transplantimin e parë e kam realizuar në fillim të vitit 2008. Pas këtij rasti kam pasur edhe katër transplantime tjera që kanë kaluar me shumë sukses. Të gjitha janë bërë në Klinikën universitare të Frankfurtit.

Albinfo.ch: Po në klinikën ku punoni tash, në Cyrih?

O.Xh.: Një prej arsyeve që kam ardhur në “Triemlispital” të Cyrihut, është që të fillojmë përgatitjet për aftësimin e kësaj klinike në koordinim me klinikat tjera të Cyrihut dhe të Zvicrës për të bërë transplantimin e zemrës.

Albinfo.ch: A janë gjallë personat që ua keni transplantuar zemrën?

Xh.O.: Të gjithë ata të cilëve ua kam transplantuar zemrën jetojnë akoma dhe janë mjaft mirë me shëndet dhe mbaj kontakte me ta.

Albinfo.ch: Transplantimi i zemrës sigurisht që nuk është një veprim i zakonshëm, rutinor. Çfarë ndjenje keni provuar kur keni bërë këto operacione?

Xh.O.: Mjekësia është mbi të gjitha profesion human. Çdo sukses, si transplantimi ose operacionet rutinore, (nëse mund të thuhet se ka rutinë në operacionet në zemër…) që mbaron me sukses, është për ne një inkurajim të vazhdojmë më tutje në këtë drejtim. Një ndjenjë tepër e mirë.

Albinfo.ch: A ka ndonjë shqiptar në mesin e pacientëve që u keni transplantuar zemrën?

Xh.O.: Deri më tash nuk ka pasur asnjë shqiptar. Për fat të mirë ose të keq, si ta marrësh! Duhet ditur se gjendja shëndetësore e pacientit që i vjen puna për transplantim, është shumë e rëndë…

Po ashtu është shumë vështirë për njerëzit nga trojet shqiptare që të hyjnë në listën për transplantim. Kam tre pacientë në Maqedoni që tmë vetmen mundësi jete e kanë transplantimin por për shkaqe administrative dhe financiare, do të jetë shumë e vështirë që ta arrijnë këtë. Që të tre janë të moshës rreth 30 vjeçare. Në pamundësi të transplantimit, ata brenda disa muajve, mjerisht, mund edhe të ndërrojnë jetë!

Albinfo.ch.: Nëse transplantimi i zemrës konsiderohet si kurorëzim i karrierës së një kardiokirurgu, cilat janë shkallët që i paraprijnë atij?

O.Xh.: Vetë operacioni i transplantimit, si i tillë, nuk është operacioni më i ndërlikuar i zemrës. Bëhet fjalë për disa anostomoza që kirurgu mund t`i bëjë pa problem. Por transplantimi në tërësi është një proces që kërkon kujdes të veçantë për pacientin si parapërgatitja e tij, përgatitja e organit për transplantim etj. Në kardiokirurgji janë disa operacione të tjera që janë më të komplikuara dhe që kërkojnë edhe më shumë kujdes në vetë fazën e operacionit. Ato zakonisht janë të kombinuara me dy-tri veprime njëkohësisht. Ndërsa në transplantim, pacienti do kujdes të veçantë në muajt e parë për terapinë dhe medikamentet.

Albinfo.ch.: Por pse atëherë kur flitet për transplantimin e zemrës fitohet përshtypja sikur për diçka kaq speciale?

Xh.O.: Është ndjenja shumë më ndryshe që ke kur bën një ndërhyrje të tillë. Kjo ndodh pasi që ti po nxjerr një organ nga trupi dhe po e vendos në atë trup një organ të ri, i cili në një kohë ka qenë jashtë funksionit dhe ti po e rikthen në funksion. Njëkohësisht, e kthen edhe pacientin në gjendje më të mirë se ka qenë më parë.

Albinfo.ch: Sa jetojnë mesatarisht pacientët pas transplantimit?

Xh.O.: Mesatarisht, mbi 80% të pacientëve që e kalojnë mirë fazën e parë të transplantimit të zemrës, jetojnë edhe 5 vjet. Ka të tillë që kanë jetuar edhe dhjetë ose madje 15 vjet pas operacionit.

Albinfo.ch: Çfarë janë kontaktet tuaja me kolegët shqiptarë të profesionit. A keni pasur deri më tash ndonjë ofertë për bashkëpunim në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri?

Xh.O.: Qëllimi im, deri në vitin 2007 ka qenë kryekëput të kthehem në vendlindje, që atë që kam mësuar jashtë, ta kthej atje. Unë vendlindje i quaj të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët, pra në Maqedoni, në Kosovë apo në Shqipëri. Atje unë do të kthehesha për të ndihmuar popullin tim. Mjerisht jetojmë në një fazë që sa i përket politikës lokale shqiptare e bën shumë të rëndë një hap të tillë. Momentalisht, nuk ka kushte që njeriu të kthehet dhe të ushtrojë një mjekësi të shëndoshë atje. Kthimi për qëllime përfitimi nuk më tërheq, qëllimi im ishte që pacienti të jetë në qendër te veprimit profesional.

Albinfo.ch: Por a keni së paku ndonjë ftesë për të mbajtur ligjërata ose për të aftësuar mjekët atje?

Xh.O.: Unë jam i hapur për këtë ide dhe i gatshëm të ndihmoj, si Universitetin e Prishtinës, atë të Tetovës ose të Tiranës. Kontakte kam pasur me të gjithë dekanët e fakulteteve përkatëse dhe ata e dinë se unë ekzistoj. Jam docent në Universitetin e Frankfurtit ku mbaj ligjëratat dhe provimet. Kështu, hapin e thirrjes u takon ta bëjnë ata, sepse unë nuk mund tu them atyre: “ejani, merrmëni”. Por kurdo që të trokasin në dyert e mia, ato do të jenë të hapura.

Albinfo.ch: Keni sjellë mjekë nga Shqipëria për aftësim në Frankfurt?

Xh.O.: Në Frankfurt pata sjellë para disa vitesh kolegë nga Tirana për aftësim në kardiokirurgji dhe në kardiologji. Së fundi i kisha edhe në Cyrih një anesteziolog dhe një kardiokirurg. Tirana kishte në plan hapjen e një qendre të re të zemrës. Unë kam punuar pothuaj 4 vite si këshilltar për konceptimin dhe ngritjen e një spitali të tillë. Por kur erdhi puna për t`i përkrahur në aftësimin e personelit, ata e ndërruan mendimin dhe u lidhën me një koleg timin nga Austria. Më vjen keq por më duhet ta them: u pengonte emri im dhe këtë ma kanë thënë vetë, sepse mendonin se nuk do të kenë pacientë që vinë te specialisti shqiptar. Kështu, ata kërkonin një mjek me mbiemër të huaj (!). Nga ky moment jam tërhequr.

Por këtu, në Cyrih kam plot pacientë shqiptarë që kane besim te unë. Nuk kalon javë që të mos kem së paku një pacient shqiptar. Shumica e madhe e tyre kanë ardhur drejtpërdrejtë me kërkesën e tyre te unë. Posaçërisht kjo ndodh edhe për shkak të njohjes së pamjaftueshme të gjuhës gjermane kështu që shumë sish vinë te unë që të marrin vesh më shumë për sëmundjen e tyre në gjuhën shqipe.

Albinfo.ch: Cili është niveli i kardiokirurgjisë në Prishtinë, Tiranë, Shkup e Tetovë?

Xh.O.: Një temë e rëndë për mua. Sepse dikush edhe mund të mos ndjehet mirë, gjë që unë nuk e dëshiroj. Unë i respektoj të gjithë kolegët, sepse dihet se kushtet e tyre nuk krahasohen me këto tonat. Por megjithatë ne, mendoj shqiptarët, jemi në gjendje të mjerueshme sa i përket kardiokirurgjisë. Kemi disa klinika private që dalin si kërpudha pas shiut, si në Prishtinë ashtu dhe në Tiranë. Në to mungon transparenca e kualitetit të punës siç mungon edhe përgjegjësia dhe kontrolli shtetëror i kualitetit të punës. Nuk diskutohet kompetenca profesionale e mjekëve atje, por përderisa ekziston kërkesë e madhe e shqiptarëve për të siguruar trajtim në perëndim, kjo dëshmon se niveli i shërbimeve atje, mjerisht ende nuk është i mire.

Mendoj se problemi kryesor i kolegëve që hapin klinika private është se nisen me mendimin që kardiokirurgjinë ta bëjnë profitabile. Në trojet tona nuk mund të pritet që një klinikë ta kthejë investimin. Prandaj kur synim kryesor i hapjes së një klinike është përfitimi, sigurisht edhe investimi në mjete dhe shërbime do të jetë më i kufizuar.

Albinfo.ch: Ju jeni mjek specialist, por jeni po kështu docent në Fakultet. Cila peshon më shumë te ju; karriera akademike apo puna në kardiokirurgji?

Xh.O.: Kardiokirurgjia ka një specifikë sepse, duke qenë mjekësi terciare, pa anën akademike shkencore, nuk funksionon si duhet as ana profesionale. Ne, pak a shumë jemi të detyruar të punojmë edhe në rrafshin shkencor pasi që lëmi i kardiokirurgjisë është shumë i ri, kështu që na duhet të bëjmë në vazhdimësi zhvillime dhe përmirësime shkencore të lidhura me punën praktike. Por nga ana tjetër duhet të them se mua puna shkencore më intereson pa masë. Unë kam bashkëpunim shumë të mirë me institutin për biomedicinë në Aachen ku kam punuar disa punime shkencore lidhur me avancimin e operacioneve në zemër.

Albinfo.ch: E përmendët se një ndër arsyet e ardhjes suaj në Cyrih është krijimi i mundësisë për kryerjen e transplantimeve të zemrës. Në çfarë faze jeni aktualisht?

Xh.O.: Momentalisht jemi në bisedime me Klinikën Universitare të Cyrihut. Po bisedohet për bashkëpunim të dyanshëm në drejtim të planit që të bëhemi njëra ndër forcat kryesore për transplantimin e zemrës në Zvicër. Po punojmë që me Klinikën Universitare të Cyrihut ta bashkojmë ekspertizën në mënyrë që Cyrihu te fungojë si forcë kryesore për transplantimet në Zvicër.

Albinfo.ch: Cili është dallimi i klinikave gjermane ku keni punuar me këtë të Cyrihut ose me ato të Zvicrës në përgjithësi, sa i përket nivelit dhe kushteve që ofrojnë?

Xh.O.: Niveli i mjekësisë është pothuaj i njëjtë. Nuk kam parë ndonjë dallim në mënyrën si trajtohet pacienti. Dallimi është se në Zvicër ana financiare është më e mirë dhe mundësia për futjen e pajisjeve të reja që kushtojnë shumë, është më e lehtë në Zvicër se në Gjermani.

Albinfo.ch: Jeni njeri familjar, keni fëmijë…?

Xh.O.: Jam baba i dy fëmijëve, një vajze 10 dhe një djali 8 vjeçar. Bashkëshortja është po ashtu nga vendlindja. Momentalisht ajo është e zënë me kujdesin për fëmijët por ka profesionin e infermieres dhe ka mbaruar fakultetin e gjermanishtes. Me kohë edhe ajo do të inkuadrohet në punë.

Jetojmë në një fshat në kantonin Argau në kufi me kantonin e Cyrihut. Prindërit, të dy veteranë të arsimit, jetojnë në vendlindje, në Tearcë.

Albinfo.ch: E vizitoni shpesh Tetovën?

Xh.O.: Dy herë në vit patjetër – dimrit dhe verës. Mundësisht çdo vit të ri e kaloj me familjen në vendlindje dhe së paku 2 javë gjatë verës. Në fakt, fëmijët rrinë gjatë gjithë pushimeve verore atje. Jemi munduar që t`i mbajmë në lidhje me vendlindjen time. Tri vitet e para u kemi folur vetëm shqip, tani ata vazhdojnë me dygjuhësi.

Albinfo.ch: Cilat janë interesimet kulturore të dr. Xhemalit. Lexoni edhe literaturë jashtë profesionit?

Xh.O.: Mundohem të jem në rrjedha. Pasi që tërë ditën jam në kontakt me gjuhën gjermane, mundohem që në shtëpi të lexoj literaturë shqipe, t`i ndjek lajmet shqip dhe për shkak të fëmijëve edhe televizionin, atëherë kur e lëshojmë, ta shikojmë në gjuhën shqipe.

Albinfo.ch: A mund të na thoni, a shkollohen mjaft shqiptarët në Zvicër e në Gjermani në krahasim me numrin tonë të madh si komunitet?

Xh.O.: Në fillim të punës këtu, pata një thirrje nga shoqata e studentëve shqiptarë në Cyrih, për të mbajtur një ligjëratë. Ftesës ju përgjigja me kënaqësi. Më gëzoi fakti se i gjithë amfiteatri u mbush me studentë. Kjo ishte një mburrje për mua dhe kurajë e madhe. Unë mendoj se gjenerata e dytë apo e tretë jashtë vendit duhet të përpiqet që ta përmirësojë imazhin tonë si popull dhe të inkuadrohet në jetën e këtushme, duke qenë se ne shumicën e kohës e kalojmë këtu. E njëjta gjë është edhe në Gjermani. Unë do të këshilloja çdo të ri që të jetë këmbëngulës për të arritur atë që dëshiron. Duhet të provojë. E them nga eksperienca ime pasi që unë kam ardhur në Gjermani me një çantë në dorë dhe pothuaj pa para, e pa njohur gjuhën… Prandaj, nuk është diçka që nuk mund të bëhet. Por vetëm duhet të jesh këmbëngulës.

Albinfo.ch: A keni përjetuar paragjykime nga zviceranët dhe gjermanët ndaj jush si i huaj, gjatë punës ose gjatë studimeve?

Xh.O.: Mendoj se vetë vendi i punës që e kam tani, tregon për respektin që ka populli i Zvicrës dhe këtë respekt e shoh edhe te pacientët. Nuk kam pasur ndonjë problem të asaj natyre, as nga pacientët dhe as nga kolegët. Jam inkuadruar në të gjitha qarqet akademike ku mund të inkuadrohem dhe gëzoj respekt të veçantë nga ta.

Para sa ditësh kishim një takim të kardiologëve të qytetit të Cyrihut ku mu dha mundësia të mbaja një ligjëratë të shkurtë. Kjo tregon se ata më shohin si një koleg në nivel me ta dhe nuk shikojnë të më degradojnë. Mund të them se sikur në Gjermani si student ose si mjek, ashtu edhe në Zvicër, të shikojnë vetëm punën, që d.m.th. se shkalla e objektivitetit është shumë e lartë.

Edlira, prej pianos në politikë

Edlira Dedja-Bytyqi, pianistja e njohur shqiptare, docente në Konservatorin e Neuchatelit në Zvicër dhe themeluese e Fondacionit “Opéra sans frontiéres”, po sfidon veten edhe në politikë.

Ajo ka vendosur të kandidohet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në muajin maj në Neuchatel.

Edlira është kandiduar nga Partia Socialiste për postin e këshilltares komunale të Neuchatelit.

Pianistja shqiptare në Zvicër thotë të mos ketë zgjedhur politikën për të bërë karrierë, pasi ka më shumë suksese në profesionin e artistit.

„Kam vendosur të pranoj paraqitjen e kandidaturës sime për legjislativin e komunës pikërisht për të nderuar pasaportën e shtetit shqiptar, të cilën e mbaj akoma, e po ashtu të ndërroj opinionin për vendin tonë, të cilin politika shqiptare e gjysmës së shekullit të kaluar dhe dhjetëvjeçarit të fundit ka bërë të përflitet shumë“, ka deklaruar politikania shqiptare.

Por, pse ka vendosur Edlira të rreshtohet pas Partisë Socialiste( PS) ?

Ajo mendon se politika e socialistëve zviceranë është më demokratike dhe sociale ndaj të huajve në krahasim me partitë e tjera politike.

„Sigurisht, shqiptarët kanë paragjykime për partitë e majta, e në këtë rast për PS-në, por ju siguroj që politika e Partisë Socialiste zvicerane s’ka asgjë të përbashkët me partitë antinjerëzore që kanë udhëhequr vendet e Lindjes. Paria Socialiste zvicerane lufton dita-ditës kundër ligjeve raciste, lufton për të drejtat e komuniteteve të huaja në Zvicër, për barazinë e shanseve dhe respektin reciprok“, arsyetohet me angazhimin e saj politik në PS Edlira Dedja-Bytyqi.

Madje, Edlira ishte nxitur të bëjë politikë me Partinë Socialiste të Neuchâtelit, ngase kjo e fundit u ka mundësuar të huajve me leje qëndrimi C të votojnë dhe të votohen në këtë kanton të Zvicrës.

Zonja Dedja-Bytyqi pret nga elektorati shqiptar me të drejtë vote të mos neglizhojë daljen në zgjedhjet që do të mbahen më 13 maj në Neuchatel.

Ajo u ka bërë thirrje bashkëkombësve të saj që të respektojnë të drejtën e votës, duke e ruajtur e duke e përdorur atë në të mirën e tyre.

Edlira Dedja-Bytyqi ka kërkuar publikisht votën e shqiptarëve në Zvicër.

«Nuk do të ishte në nder të shqiptarëve, që janë numerikisht shumë më superior ndaj komuniteteve të tjera, që kandidatja e tyre të mos kalojë për shkak të indiferencës apo mungesës së vetëdijes. Zgjedhja ime nuk është në favor për mua si Edlirë, por si nderim dhe respekt për kombin tonë», tha Dedja-Bytyqi.

Zonja Dedja-Bytyqi, e bija e personalitetit të pedagogjisë dhe letërsisë shqiptare për fëmijë, Prof. Bedri Dedja, ka një aktivitet të gjerë social-artistik.

Fondacioni “Opéra sans Frontiéres”, i themeluar dhe i drejtuar prej saj, ka organizuar vitet e fundit në Zvicër dhe në Belgjikë një seri koncertesh të muzikës lirike dhe klasike, me artistë shqiptarë që dominojnë skenat më të njohura botërore (shembuj: Tenori Saimir Pirgu, Violinisti Tedi Papavrami, balerini Enkel Zhuti, soprano Ermonela Jaho, bas Frano Lufi, mezzo-soprano Mariana Leka, etj…)

Aktiviteti i Edlira Dedja-Bytyqit tregon për nivelin e lartë intelektual të shqiptarëve që po arrijnë në fusha të ndryshme në mbarë botën.

Karrierë nga pjatalarësi te milioneri

I sapo ardhur në Zvicër, Pren Kqira lidhet me gastronominë. Fillimisht si punëtor kuzhine, pastaj si kamerier dhe tash 20 vite si pronar restorantesh. Ngritjes së tij në këtë karrierë, i shkon më së miri ai përshkrimi i njohur për rrëfimet e suksesit “prej pjatalarësit te milioneri”.

“Me origjininë jamë nga fshati Serbica (Prizren). Në Zvicër kam ardhur para 30 viteve. Në fillim kam punuar në një hotel në vendskijimin Disentis të Graubündenit. Pasi që ende nuk e njihja gjuhën, normalisht, punoja në kuzhinë. Kam larë enë, kam ndihmuar në përgatitjen e ushqimeve”. Por për të ardhur këtu ku është sot, Pren Kqirës i është dashur të mësoje edhe shumë, të fitojë nga përvoja e punëdhënësve të tij. Pas disa vitesh, vjen hapi i parë i sprovës. Ai hap restorantin e tij të parë.

“Ka qenë viti 1993, kur, në Beringen të Schaffhausen-it kam hapur restorantin e parë “Bahnhof”. Ka qenë lokal me kuzhinë italiane dhe zvicerane”. Preni thotë se në atë kohë, në Zvicër fare pak shqiptarë kanë pasur restorante. “Bare dhe kafene me muzikë, mund të ketë pasur, por restorantet e shqiptarëve ku është shërbyer ushqim, kanë mundur të numëroheshin me gishta“ thotë ai.

“Ka qenë viti 1993, kur, në Beringen të Schaffhausen-it kam hapur restorantin e parë “Bahnhof”. Ka qenë lokal me kuzhinë italiane dhe zvicerane”. Preni thotë se në atë kohë, në Zvicër fare pak shqiptarë kanë pasur restorante. “Bare dhe kafene me muzikë, mund të ketë pasur, por restorantet e shqiptarëve ku është shërbyer ushqim, kanë mundur të numëroheshin me gishta“ thotë ai.

© albinfo.ch

Sot, kur flitet me të madhe për kalimin e restoranteve italiane të Zvicrës, në duart e shqiptarëve, Kqira mendon pak më ndryshe rreth gjithë kësaj.

“Nuk kisha thënë se ne shqiptarët e kemi “pushtuar” kuzhinën italiane. Fundja, në Winterthur janë rreth 60 piceri dhe restorante italiane, ndërsa vetëm 6 ose 7 prej tyre janë në pronësi të shqiptarëve”, thotë me kompetencë Pren Kqira. Marrë në përgjithësi, shqiptarët në këtë qytet mbajnë rreth 15 lokale hoteliere. “Por nuk ka shumë rëndësi numri. Më me rëndësi është pozita. Të gjitha këto lokale hoteliere janë në vendet qendrore të qytetit. Madje, në pikat më të frekuentuara”.

© albinfo.ch

Kjo flet për njëfarë suksesi që shqiptarët kanë treguar në gastronomi. Një sukses ky, nxitur nga nevoja, sipas Kqirës. “Fillimisht, na është imponuar puna në gastronomi, si punëtorë ndihmës, për shkak të njohjes së pamjaftueshme të gjuhës dhe kualifikimit të mangët. Por duke qenë ambiciozë, gjithnjë kemi tentuar të bëjmë diçka më tepër. Pasi kemi mbledhur pak përvojë, kryesisht në kuzhinat italiane, ne kemi marrë rrezikun që të nisim punën si të pavarur në gastronomi”.

Pren Kqira nuk harron të përmend meritat e familjeve. “Për ta bërë gjithë këtë, kemi pasur mirëkuptimin e pakusht të familjeve tona. Për gjithçka i detyrohemi sakrificës sonë dhe të familjeve”.

Disa nga familjarët edhe kanë punuar në restorantet e tij, ndërsa i vëllai, Antoni, është bashkëpronar i restoranteve dhe dora e djathtë e Prenit.

Pren Kqira udhëheq në vazhdimësi nga dy ose tre restorante paralelisht. Ndonjë prej tyre e jep me qira. Aktualisht, përveç më të madhit dhe më të njohurit, restorantit “Stella del Centro” që ndodhet në pikën më pulsuese të qytetit të Winterthurit, ai mban edhe restorantin “El Bargo” në Shaffhausen të cilin e udhëheq vetë, dhe atë “Santa Christina” në Winterthur që ia ka lëshuar me qira po kështu një shqiptari.

“Të gjithë restorantet që i kam ngritur gjatë kësaj kohe, ua kam shitur ose dhënë në shfrytëzim shqiptarëve, kryesisht të afërmve të mi. Dhe, që të gjithë vazhdojnë të punojnë mirë. Duke filluar nga restoranti i parë, në Beringen, të cilin tash e mban një kushëri, e deri te më i riu, “Vivace” dhe “Staatsaal” në qendër të Wilit, që udhëhiqet nga një shqiptar tjetër”, thotë Preni.

© albinfo.ch

Rreth gjysma e personelit në “Stella del Centro” janë shqiptarë. Kuzhinieri kryesor, Isaku “pizzaiola”, Albani dhe kamerieri, Agroni, janë vetëm disa prej tyre. Të gjithë këta e njohin mirë zanatin e tyre dhe punojnë me përkushtim, ashtu si dhe të tjerët, zviceranë dhe të huaj.

Puna e Prenit dhe Antonit në restorante, u ka krijuar një bazë të mirë ekonomike familjeve të tyre. Por, asnjëri nga fëmijët nuk punojnë në gastronomi. “Disa prej tyre e njohin punën. Por, me përcaktimin e tyre dhe me dëshirën tonë, ata kanë vazhduar shkollimin. Djali im dhe djali i vëllait kanë kryer shkollimin për komercialist. Punojnë në këtë profesion dhe vazhdojnë shkollimin”.

I pyetur nëse do të dëshironte që një ditë fëmijët ta trashëgojnë në gastronomi, Pren Kqira përgjigjet: “Unë nuk ua imponoj, por nëse ata tregojnë interes, mund ta vazhdojnë këtë punë…pse jo ?”.

© albinfo.ch

Terra cognita

Dosje: Kuzhina dhe migracioni

1/5

2/5

Fiton çmimin për diplomën më të mirë në Evropë

Çmimi për vlerësimin e punës së diplomës akademike më të mirë në Evropë i është dorëzuar ekipit të Universitetit të Friburgut, me rastin e konkursit të Bashkimit Evropian për të Drejtat e Njeriut “René Cassin 2012”. Liburn Mehmetaj, një student shqiptar, ishte një nga tre anëtarët e ekipit që fitoi.

Konkursi i Bashkimit Evropian për të Drejtat e Njeriut René Cassin u mundëson ekipeve të përbëra nga tre studentë (dy avokatë dhe një këshilltar ligjor) për të zgjidhur një situatë shkeljeje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, fillimisht me një shkëmbim të dosjes me shkrim dhe pastaj me një gjykim fiktiv para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Çdo vit, një ekip nga Universiteti i Friburgut merr pjesë në këtë garë vjetore dhe këtë prej më shumë se njëzet vjetësh.

E pra, pas njëzet vjetëve është një i ri shqiptar, i cili me dy kolegët e tij fitoi çmimin për dosjen dhe punën e kryer më së miri.

Në dhjetor 2011 tre studentë nga Universiteti i Fribourgut, Emmanuel Badoud, Anthony Lamon dhe Liburn Mehmetaj, patën filluar të përgatisin dhe të shkruajnë dosjet akademike për edicionin 2012 të konkursit të lartpërmendur.

Ekipi arriti të kryejë punën e tij nën drejtimin e Dr. Marie-Louise Gächter-Alge, ligjëruese në Departamentin e Drejtësisë ndërkombëtare publike dhe të Drejtës evropiane. Këtë vit, situata që duhej studiuar kishte të bëjë me çështje të ndryshme që lidhen me kushtet e ndalimit të të huajve dhe dëbimit të tyre.

Faqja përkatëse e internetit të Universitetit të Friburgut bënë me dije se pas një përzgjedhjeje fillestare bazuar në dosje akademike, 16 ekipe u përzgjodhën për të mbrojtur çështjen e tyre në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, selia e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Me shumë kënaqësi dhe me gëzim të madh ekipi i Friburgut mësoi se ishte kualifikuar për të paraqitur punën e tyre me gojë më 23 dhe 24 prill 2012.

Kënaqësia arriti në kulm, kur Komiteti shkencor shpalli ekipin e Friburgut, në të cilin ishte edhe studenti Luburn Mehmetaj, ekipin më të mirë në mesin e 64 ekipeve të tjera nga universitetet e ndryshme evropiane.

René Samuel Cassin (i lindur më 5 tetor 1887 në Bayonne, vdiq në 20 shkurt 1976 në Paris), ai ishte avokat, diplomat dhe politikan i famshëm francez.

Në vitin 1968, René Cassin mori çmimin Nobel për Paqe për punën e tij të kryer në lidhje me deklarimin e të drejtave të njeriut njëzet vjet më parë, për angazhimin e tij në përhapjen dhe zbatimin e saj, dhe për punën e tij si President i Gjykatës Evropiane të drejtave të njeriut. Në vitin 1969, ai përdori paratë e Çmimit Nobel për të themeluar  Institutin Ndërkombëtar të Drejtave të Njeriut.

René Cassin i dha emrin e tij Konkursit të Bashkimit Evropian për të Drejtat e njeriut i cili është hapur për të gjithë studentët e drejtësisë dhe të shkencave politike. Kandidatët duhet të dëshmojnë kapacitetin e tyre të lartë për të mbrojtur një çështje (fiktive) duke argumentuar me gojë në gjuhën franceze pozitën e tyre në bazë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Valdedeta Mehanja, pilote kosovare në SHBA

26 vjeçarja Valdeta Mehanja vitin e kaluar mori licencën e pilotit nga Administrata Federale e Aviocionit në Shtetet e Bashkuara. Ajo është duke studiuar në Universitetin e Aeronautikës Emry-Riddle në Florida dhe në të njëjtën kohë është instruktore për trejnimin e pilotëve të ardhshëm.

Valdeta thotë në një intervistë për VoA përshkruan rrugën e saj drejt realizimit të ëndrrës për t’u bërë pilote dhe planet e saj për të ardhmen.

Valdete Mehanja, shtetase e Kosovës, thotë se marrja e licencës së pilotit në Shtetet e Bashkuara ishte një ndjenjë e papërshkrueshme dhe inkurajuese për të. Ajo mendohet të jetë shtetasja e parë e Kosovës që pajiset me licencën e pilotit nga Administrata Federale e Aviacionit në SHBA që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

“Ishte një ndjenjë e papërshkruar. Është një arritje që nuk e kisha menduar. Madje as familja ime nuk ka besuar derisa e mora licencën. Kështu që ishte një ndjenjë shumë e mirë”thotë Valdeta për VoA.

Frymëzimi dhe dëshira për t’u bërë pilote i lindën gjatë kohës kur ajo punonte për qeverinë amerikane në Afganistan. Gjatë punës katër vjeçare në Afganistan, Valdeta Mehanja është marrë me programimin e pajisjeve të komunikimit dhe kompjuterëve për helikopterët.

“Atje kam punuar për katër vite. Nuk kam dashur ta lëshoja punën sepse zemra më rrihte për fluturim. Mandej, kur kam dëgjuar për Universitetin e Aeronautikës Embry-Riddle dhe jam pranuar në këtë shkollë, e kam kuptuar që dua të fluturoj”.

Pas pranimit në Universitetin e Aeoronautikës Embry-Riddle, Valdeta vendosi të investonte të gjitha kursimet që kishte grumbulluar nga puna e saj 6 vjeçare në Afganistan dhe në Irak për marrjen e licencës së pilotes dhe mbulimin e shpenzimeve të shkollës. Ky vendim nuk ishte i lehtë për të sepse përmes punës ajo ka mbështetur financiarisht edhe familjen e saj në Prishtinë.

Ajo thotë se në fillim prindërit kishin hezitime lidhur më këtë ide.

“Prindërit gjithmonë më kanë mbështetur në fund. Normalisht, në fillim kur i tregova se do t’i shfrytëzoja të gjitha kursimet që i kam grumbulluar për gjashtë vite, prindërit reaguan dhe ishin shumë të befasuar”.

Por, ajo thotë se është e kënaqur me investimin që ka bërë.

“Ka qenë një investim i mirë sepse kur mora licencën dhe fillova punën si instruktore, prindërit e mij ishin krenarë. Pra, ishte një investim me vlerë”.

Pas mbarimit të studimeve Valdeta Mehanja do të vazhdojë punën si instruktore dhe do të bëjë më shumë orë fluturimesh për të fituar më shumë eksperiencë si pilote.

“Së pari do të mbaroj studimet, pastaj duhet të qëndrojë një vit për të marrë më shumë eksperiencë sepse për pilotët orët e fluturimit janë shumë të rëndësishme. Puna në rolin e instruktores të ndihmon shumë sepse mund të mbledhësh shumë orë fluturimi. Nëse punon si pilote për avionë komercialë nuk fluturon çdo ditë, kurse në rolin e instruktores unë fluturojë çdo ditë”.

Valdeta Mehanja vitin e ardhshëm do të mbarojë studimet në Universitetin Embry-Riddle në degën e Shkencave të Aeronautikës dhe shpreson që në një të ardhme të afërt të fluturojë në drejtim të Kosovës.

/VOA & Albinfo.ch/

26.10.2012

Arbër Bullakaj siguron një ulëse në Parlamentin e Willit

Arbër Bullakaj është zgjedhur këshilltar në Asamblenë e Willit në rundin e dytë të zgjedhjeve që u mbajtën të dielën në këtë qytet të St. Gallenit.

Votat për kandidatin e PS-së, Dario Sulzer, i siguruan jo vetëm atij një vend në Stadrat, por edhe shqiptarit Arbër Bullakajt një ulëse në Parlamentin e qytetit Will të St.Gallenit.

Politikani me prejardhje nga Kosova tha se do të angazhohet për të avancuar pozitën e komunitetit shqiptar.

Arber Bullakaj, 26-vjeçar, nga Prizreni, jeton në qytetin e Willit që nga mosha 9-vjeçare. Ai ka të kryer shkollën ekonomike. Aktualisht vepron dhe jeton në po të njëjtin qytet së bashku me familje.

Arta Ramadanit, çmimi i parë gjerman për gazetari, “Kausa 2012”

Gazetarja shqiptare-gjermane Arta Ramadani është vlerësuar me çmimin e parë “Kausa 2012” për gazetari, në kategorinë e gazetarisë televizive. Këtë çmim prestigjioz e ndan qeveria e Gjermanisë për kontributet më të mira në lëmin e gazetarisë kushtuar migracionit.
Të gjithë fituesit

Siç është paralajmëruar edhe në një shkrim të mëhershëm të albinfo.ch, kur Arta ishte vetëm e nominuar, ndarja solemne e çmimeve do të bëhej më 5 dhjetor.

Pikërisht në këtë datë, në solemnitetin e mbajtur në Berlin, Arta Ramadanit iu nda çmimi i parë për gazetarinë televizive. Vendin e dytë në kategorinë e gazetarisë televizive e mori Anorte Linsmayer ndërsa të tretin Suana Meckeller, të cilat po ashtu kishin hyrë në rrethin e ngushtë për këtë shpërblim.
Ky çmim është dhënë edhe për dy kategoritë tjera të gazetarisë: për gazetarinë e shkruar (gazeta dhe internet) dhe për gazetarinë radiofonike. Për të tri kategoritë janë ndarë çmimet e para, të dyta dhe të treta.

 

Për çmimin “Kausa 2012” kanë mundur të konkurrojnë të gjithë gazetarët në Gjermani që janë më të rinj se 35 vjeç. Çmimi ka edhe vlerën e tij monetare, gjegjësisht 30 mijë euro që ndahen për 9 fituesit e kategorive të ndryshme.

 

Rrëfimi televiziv për të cilin ajo mori çmimin e parë mban titullin „Schlau und trotzdem ‘nur’ Hauptschule“  ose në shqipe: “Inteligjent dhe prapë `vetëm`në shkollën e përgjithshme” (të zanateve). Në këtë rrëfim ajo merret me problemin e diskriminimit të nxënësve me prejardhje të huaj në shkollat gjermane.

 

Si protagonist merr një nxënës turk, të cilin, me gjithë notat e shkëlqyera, mësuesit e orientojnë në shkollën e përgjithshme dhe jo në gjimnaz ose në “realschule” kua i e kishte vendin. Vetëm pas angazhimit të vendosur të nënës së tij, teknike medicinale, vogëlushit i njihet niveli dhe kthehet në shkollën reale.
Arta Ramadani punon si reportere dhe redaktore në magazinën e njohur “Nano” të televizionit gjerman 3sat.

 

E lindur në Prishtinë para 31 vitesh, bashkë me babanë e përndjekur politik dhe me familjarët tjerë Arta ka ardhur në Gjermani që në fëmijërinë e saj të hershme. Ajo ka studiuar për etnologji, politikë, medie dhe shkenca të komunikimit në Boston (SHBA) dhe Heidelberg e Mannheim.
Karrierën si gazetare e ka filluar në transmetuesin televiziv për të rinj “Sunshine Live” dhe ka kryer një numër praktikash dhe trajnimesh në televizionet si SWR dhe HR. Pastaj ka mbaruar një voluntariat (praktikë) njëvjeçare në ZDF.
Ndërsa, para se të kalonte në 3sat, Arta ka punuar si redaktore në emisionin e ZDF-së “Hallo Deutschland”.

 

Në televizionet ku punon, ajo ka realizuar edhe emisione speciale për aktualitetin në Kosovë.

06.12.2012

Vodka e shqiptarit, më e preferuara në botë

Bëhet fjalë për vodkën “Konik’s Tail”, e njohur si polake, por që i përket Pleurat Shabanit me origjinë nga Prishtina e Kosovës. Vodka është votuar si lloji “më i dashur” i vodkës mes 50 bareve kryesore të botës.

“Nuk jam i pranishëm, madje në shumë prej tyre, ndaj edhe jam shumë i befasuar”, thotë ai, transmeton “Shekulli”.

“Rivalët e mi janë të gjithë marka multimilionëshe. Biznesi im jam vetëm unë“, tha Shabani.

Çmimi i ndarë nga publikimi i industrisë “Drinks International”, tregon se Shabani sheh kërkesa për vodkën e tij, që aktualisht është në dispozicion vetëm në Britaninë e Madhe, që vijnë nga qytete që përfshijnë New Yorkun dhe Moskën. Shabani, i cili ende nuk e ka punësuar punëtorin e parë, tha se është në bisedime me agjencitë e eksportit dhe do t’i duhet të gjejë financim “për të përmbushur kërkesën dhe për të shfrytëzuar momentin”, që erdhi nga suksesi i tij i arritur. Kur Shabani fillimisht shkoi për të kërkuar financim për të çelur kompaninë e tij, ai u refuzua nga pothuaj “çdo firmë nga lista e Asociacionit të Ndërmarrjeve Britanike për Tregtim Kapitali” dhe nga shumë investitorë privatë, po ashtu. Investitorët thanë se Shabani ka “mungesë përvoje” dhe po përpiqej të hynte në një treg të tejngopur të vodkës, ku do të kishte nevojë për një buxhet shumë të madh marketingu, për të hapur çfarëdo tregtie.

I patrembur, ai e financoi biznesin e tij me një rreth të vogël “miqsh dhe familjarësh”, duke mbledhur rreth 250.000£ dhe më pas vetëm nga hyrjet. “Kam bërë gjithçka me aq para sa për një lidhëse këpuce dhe kam harxhuar zero para për marketing”, tha ai. Pasi kaloi disa muaj duke e përpunuar recetën – që përfshinte edhe kampim në pyjet polake për të gjetur përbërësit e duhur – ai me punë të lodhshme i ndërtoi marrëdhëniet me baret kryesore të Londrës dhe me shitësit e pijeve alkoolike. Dukja e shishes është dizajnuar nga Hugh Laurie, i cili ia ka bërë këtë si nder – bashkëshortja e Shabanit dikur ka punuar si asistente personale e aktorit – por ai nuk e shfrytëzoi fort këtë përkrahje. “Preferoj që vetë pija të flasë për veten”. Ai tani prodhon 400 pako me nga nëntë litra të pijes në vit dhe furnizon 600 bare dhe shitës të specializuar në tërë Britaninë. “Konik’s Tail” (“Bishti i Konikut”) ishte po ashtu vodka më e shitur në Selfridges gjatë periudhës së Kërshëndellave.

Shkencëtarja shqiptare që “u jep shpirt” robotëve

Kur ka qenë e vogël, në lojërat fëmijërore me motrën, Shqipja gjithnjë ka zgjedhur të luajë rolin e inxhinieres, profesion ky të cilin e ushtronin babai dhe xhaxhai i saj, dikur moti, në Pejë.

“Ishin vitet 1991- 1992, kur si shumicën e Intelektualëve edhe prindërit e mi i larguan nga puna dhe i përndoqën. Kështu, ata u detyruan të largoheshin nga Kosova, dhe të vendoseshin këtu, në Gjermani. Ne atë kohë, unë me motrën time binjake, Vlorën, ishim 6 vjeçe, ndërsa vëllai Valoni, 3 vjeç”, nis rrëfimin e saj për albinfo.ch, Shqipe Lushta-Jakupi, inxhinierja e sotme e mekatronikës, eksperte e robotëve dhe asistente në Shkollën e Lartë Teknike në Friedberg të Gjermanisë.

Siç po shihet, “profecia” e saj nga lojërat e  fëmijërisë sot mund të quhet e realizuar.

“Këtu, në Gjermani, Gießen, së bashku me motrën time Vlorën, kryem shkollën fillore dhe gjimnazin. Këtu pastaj na ndahen rrugët me motrën binjake, pasi që ajo zgjedh të studiojë fizikën mjekësore ndërsa unë makinerinë. Pas diplomimit unë filloj të punoj si bashkëpunëtore profesionale (asistente) në Technische Hochschule Mittelhessen në Friedberg, ndërsa motra ime Vlora si inxhiniere e Fizikës në rrezatimin e Kancerit, punon në Klinikën e Wetzlarit.

Por si u bë që Shqipja të zgjidhte një profesion që, sipas klisheve të njohura merret më shumë si “profesion meshkujsh”?

“Po, veç ëndrrës nga fëmijëria, mund të them se “fajtor” tjetër për këtë përcaktim ka qenë matematika. Kjo ishte lënda që më pëlqente më së shumti gjatë shkollimit të mesëm, dhe, kjo lëndë ka aplikim mjaft të madh në makineri”, thotë Shqipja.

Pastaj ajo na e sqaron, me gjuhë të kuptueshme edhe për ne, laikët, se mekatronika është një shkencë ndërlidhëse në mes të makinerisë, elektronikës dhe Informatikës, dhe që më shkurt mund të përkufizohet si makineria moderne.

Më tutje Shqipe Lushta-Jakupi përpiqet të na e sqarojë se çfarë bën ajo konkretisht në Shkollën e Lartë Teknike THM Fiedberg.

“Në laboratorin e robotikës, sensorëve dhe aktorëve, unë mbaj ushtrimet në mekatronikë. Kjo nënkupton punë në realizimin dhe programimin e pjesëve të robotit (mikrokontrolli), programimin e programit LabView dhe programimin simulues të mekanizmave (Adams). Mbaj po ashtu edhe ushtrimet me studentë në lëndën e mekanikës dhe jam udhëheqëse e laboratorit për prova dinamike të materialeve”.

Më tutje ajo hyn në thelbin e asaj që ne na intereson më shumë dhe që në fakt është specializim i saj, në konstruktimin e robotëve.

“Duhet thënë se në THM Fiedberg, përveç njohurisë teorike, studentët kanë mundësi të marrin edhe dijeni praktike në konstruktimin e robotëve: Realizimin e mekanizmave të ndryshme, realizimin e pllakave elektronike dhe programimin e mikrokontrolleve që nënkupton llogaritjen dhe planifikimin kinematik të mekanizmave të caktuar. Mikrokontrolli (truri i robotit) është pjesa që ka funksionin kryesor te robotët, me të programohen të gjitha lëvizjet lineare dhe rrotullimet e motorëve, si dhe bëhet programimi i të gjitha sinjaleve periferike”, vazhdon Shqipja.

“Studentët te ne kanë mundësi të njihen me projekte të ndryshme të realizuara siç është modeli i helikopterit me 4 motor (Quatrokopter), roboti 4 këmbësh, pastaj me programimin e robotit industrial etj. po ashtu, kemi marrëveshje me disa shkolla të mesme që në çdo fillim të vitit shkollor t`u mbajmë kurse të shkurta mbi robotikën. Kjo është edhe një mënyrë që të bëjmë një reklamë për të “rekrutuar” studentët e ardhshëm dhe njëkohësisht edhe një informim të nxënësve lidhur me robotikën. Informimi është i thjeshtësuar, për nivelin e nxënësve”.

Po sa larg është Kosova, ku janë shqiptarët në përgjithësi në fushën e robotëve dhe, nëse janë diku, a ka Shqipja ndonjë kontakt me zhvillimet eventuale atje?

Çuditërisht, ajo u përgjigjet pozitivisht të dy pyetjeve. Dhe me këtë na bën të kuptojmë se as Kosova nuk është krejtësisht jashtë orbitës së zhvillimit të robotikës.

“Me hapjen e degës së mekatronikës në Universitetin e Prishtinës, kam pasur një vizitë të shkurtë në laboratorin e prof. dr. Agron Pajazitit si dhe një kontakt të shkurtë me prof.dr. Arbnor Pajazitin. Ky i fundit është ekspert i robotikës dhe autor i librit „Bazat e robotikës“, njëherësh profesor në këtë fakultet. Me atë rast u informova lidhur me projektin e tyre mjaft interesant të robotit për zbulimin e mjeteve eksplozive (minave), na shpjegon tutje Shqipja.

“Pas bisedës me profesorin tim, prof. dr. Brillowski mund të them se ne si shkollë e lartë e specializuar jemi të gatshëm të pranojmë studentë që mund të vijnë për  të bërë përgatitjen e temës së diplomës në laboratorët tanë. Kur po them studentë, kuptohet që mendoj si për studentët e Prishtinës po ashtu edhe për studentët e Tiranës dhe ata të Universitetit të Tetovës”, shprehet inxhinierja, mbase e vetme shqiptare e robotikës, Shqipe Lushta-Jakupi.

30.01.2013

Shqiptari, pastiçeri më i mirë në Itali

Mario Peqini është vlerësuar  nga “Identità Golose”, guida përvitshme e restoranteve më të mira të Italisë, Evropës dhe Botës që vlerëson kuzhinën dhe pastiçerinë e nivelit më të lartë.

Guida në fjalë jep këtë motivim: “Ka jetuar gjysmën e jetës në Shqipëri, nga ku u largua bashkë me familjen kur ishte vetëm 13 vjeç. Me babanë magazinier dhe nënën rrobaqepëse, me pengesën e parë italishten, ka studiuar me vështirësi  për t’ia dalë mbanë. Në stafin e ‘Il luogo di Aimo e Dania’, krijon ëmbëlsirat në sintoni të plotë me pjata të kripura të ofruara nga restoranti”.

Pas diplomimit si kuzhinier teknolog, ai nuk ka ndalur eksperimentimin në fushën e pastiçerisë.

Fitues i disa çmimeve të rëndësishëm, si ai për krijimin më të mirë të një recete me bazë ujin, pastiçeri shqiptar është vlerësuar për aftësinë e kombinimit të përbërësve të ëmbël dhe të kripur, për përdorimin plot fantazi të elementëve nga më të larmishmit.

Në këtë periudhë krize, veçanërisht në punësimin e të rinjve, Mario është një nga ata djem me fat që jo vetëm ka një punë, por gjen kënaqësi në të, e ka pasionin e vet.

“Në rrugën time kam pasur fatin të takoj gjithnjë persona të drejtë” thotë Peiqini për portalin “Shqiptariiitalise”.

Badalli, kandidati i parë shqiptar në historinë e zgjedhjeve në Ticino

Të shtunën që shkoi, në Lugano, stafi i fushatës elektorale të kandidatit Elez Badalli kishte organizuar një mbrëmjë me qytetarë. Në të morën pjesë një numër shumë i madh i të rinjve shqiptarë dhe mjaft qytetarë vendës. Ajo që duhet theksuar ishte edhe pjesëmarrja e përfaqësuesve më të lartë të Qeverisë Kantonale dhe të asaj komunale të Luganos. Aty ishte kryetari i Qeverisë së Kantonit Ticino, Paolo Beltraminelli, pastaj udhëheqësi tjetër në nivelin komunal, Angelo Jelmini dhe kryetarja e grupit parlamentar të PPD në Komunën e Luganos, Simonetta Perucchi. Morën pjesë edhe shumë përfaqësues tjerë të institucioneve të të gjitha niveleve në Kantonin Ticino.

Mund të thuhet se për komunitetin shqiptar në këtë kanton kjo ishte  një ditë historike. Është një fillim historik i përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së komunitetit tonë në institucionet e qytetit të Luganos”, thuhet në shkresën e dërguar nga stafi elektoral i kandidatit Badalli. Kujtojmë që Lugano është njëra prej qëndrave kryesore ekonomike në Zvicër. Gjithashtu Lugano është njëri prej qyteteve më joshëse për turistët e gjithë botës. Dhe Lugano është qyteti në të cilën jetojnë dhe veprojnë një numër i madh shqiptarësh të të gjitha tokave shqiptare, thuhet më tej në shkresë.

Është hera e parë që një shqiptar garon për institucionet komunale të Luganos. Prandaj konsiderojmë që është hera e parë që komuniteti ynë është i motivuar dhe ka pse të dalë dhe të votojë.

Dhe më e mira është se kemi një kandidat shumë serioz. Një djalë i ri, ishkolluar dhe i rritur pikërisht në qytetin e Luganos. Një djalë i cili është rritur në frymën kombëtare. Ai, Elez Badalli, është shembull i integrimit në gjithë kantonin Ticino.

“Elezi në fokus të fushatës së tij elektorale ka vendosur familjen, rininë, çështjen e integrimit, avancimin e komunitetit tonë dhe përmirësimin dhe konsolidimin e imazhit tonë si shqiptarë”, shprehen autorët e shkresës.

Mbrëmjen me qytetarët e hapi Remzi Durmishi njëri nga udhëheqësit e stafit të Badallit. “Çdonjëri prej nesh mundet dhe do të duhej të japë një kontribut për shoqërinë në të cilën jetojmë. Kjo është një mundësi e shkëlqyer. Kemi për kandidat një djalë të ri, dinamik, inteligent, plot vullnet për punë. Një djalë me parime të shëndosha, i cili në qendër të vëmendjes ka njeriun, familjen dhe jo shifrat dhe numrat. Një djalë plotë humanizëm. I afërt me nevojat e të rinjve, fëmijëve, të rriturve. I ndjeshëm për përmirësimin e edukimit dhe ekonomisë së qytetit të tij”, tha Durmishi në prezantimin e kandidatit Badalli.

Ndërsa i riu që kandidon për Këshillin e Komunës së Luganos, Elez Badalli, duke iu drejtuar të pranishmëve, u zotua se do të punonte me gjithë fuqinë për të mirën e komunitetit.

“Unë kam një ëndërr dhe këtë ëndërr së bashku do ta bëjmë realitet, me ndihmën tuaj do të angazhohem që imazhi ynë të ngrihet në piedestalin më të lartë. Do të punoj që nevojat, kërkesat dhe problemet e komunitetit t`i adresoj në mënyrën më të ndershme. Do të jem në dispozicionin tuaj sa herë që e kërkon nevoja. Kur e them këtë, marr përgjegjësinë para vetes, duke u bazuar në programin e Partisë Popullore Demokratike (PPD) që si themel ka familjen, besimin dhe të drejtat fondamentale të njeriut pa dallim race, kulture dhe konfesioni”, u ka thënë Badalli bashkëqyetarëve të tij duke ua kërkuar votën.

Në vazhdim të mbrëmjes është zhvilluar një debat shumë përmbajtjesor dhe briliant me kandidatin Badalli, i drejtuar nga z. Durmishi. Të gjithë, dhe në veçanti përfaqësuesit e institucioneve, patën vetëm komplimente për këtë debat, thuhet në shkresën e stafit të Badallit.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari i Qeverisë së Kantonit Ticino, Paolo Beltraminelli, duke vënë theksin në afërsinë dhe respektin e tij për kandidatin e ri, në mes tjerash tha: “nëse Elezi sot është këtu, pra eshtë kandidat për këshilltar komunal, `fajin` e kam pikërisht unë. Sepse unë e njoh Elezin që nga mosha e tij fëmijërore. Elezi ka qënë nxënësi im i fundit. Shqiptarët dhe Elezi më kanë befasuar çdo herë për të mirë. Badalli është djalë i ri, është energjik, dinamik, inteligjent. Ai përfaqëson gjithë të rinjtë e të gjitha lagjeve të Luganos. Ai është shembulli më i mirë i integrimit. Pra ky është Elezi, i cili në çfarëdo mementi, pa u merakosur fare, më thërret në telefon dhe më thotë: Beltra, posa kam peshkuar dy peshq, i don ti? Dhe unë i them: po, eja. Vjen në shtëpinë time kurdo dhe si do. Pra ky është Elez Badalli.”

Stafi i kandidatit Badalli, me ndihmën e çmuar të nënave dhe bashkëshorteve, kishte përgatitur specialitete nga kuzhina shqiptare, nga të cilat vendasit edhe njëherë mbetën shumë të kënaqur.

Me këtë rast ftojmë që deri më 14 prill 2013 të gjithë shqiptarët që kanë të drejtë vote të votojnë kandidatin e PPD-së, Elez Badalli, listen numër 1, kandidatin numër  4. Votoni për të ardhmen tonë të ndritur, votoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj. Votoni për shqiptarinë!

Gjithashtu ftojmë të gjitha mediet që kanë mundësi të na ndihmojnë në promovimin e kandidatit tonë Elez Badalli, thuhet veç tjerash në letrën që stafi udhëheqës i kandidatit Elez Badalli u ka drejtuar medieve.

 

1. Kandidati Badalli me kandidatët tjerë

2. Nga e majta: Paolo Beltraminelli, kryetar i Qeverisë Kantonale në Ticino. Remzi Durmishi mediator ndërkulturor dhe Elez Badalli, kandidat për këshilltar komunal

10.04.2013

Kida përfaqëson komunitetin shqiptar në Interlaken

Prej më shumë se 6 vjetësh Nehat Kida është angazhuar me politikë në këtë qytet, ndërsa ka 4 vjet që është këshilltar i parë shqiptar që përfaqëson komunitetin shqiptar në Asamblenë Komunale të Interlakes.

Politikani me origjinë nga Kosova kishte siguruar një ulëse në Asamblenë Komunale të Interlakes, duke kandiduar në zgjedhjet lokale në këtë komunë më 2011.

Ai kishte gjetur përkrahjen në zgjedhje duke fituar shumicën e votave.

„Për këtë i falënderoj shumë si bashkatdhetarët e mi shqiptarë, por edhe qytetarët zviceranë”, tha Nehat Kida.

Për angazhim politik Kida ka zgjedhur Partinë Social Demokrate.

„Qëndrimi politik dhe mbështetja për të huajt si dhe integrimi i të rinjve janë disa nga ato që më kanë bërë të jem pjesë e kësaj partie“, tha Kida.

Si përfaqësues politik i shqiptarëve në Interlaken me rrethinë, njëkohësisht edhe si kryetar i shoqatës kulturore shqiptaro-zvicerane “Dardania” në Interlaken, politikani Kida është angazhuar për avancimin e pozitës së komunitetit shqiptar në këtë pjesë të Zvicrës.

„Nuk mungon përkrahja e vazhdueshme nga institucionet lokale, andaj edhe falënderimet nuk mungojnë asnjëherë. I falënderoj shumë për gjithë ndihmën që kanë ofruar dhe që në të ardhmen do ta ofrojnë për komunitetin shqiptar në këtë komunë“, tha për albinfo.ch politikani shqiptar.

Ai thotë se bashkatdhetarët e tij në Interlaken gëzojnë një imazh të mirë në Zvicër.

„Shqiptarët këtu janë në përgjithësi shumë punëtorë, ku mundohen që në çdo aspekt të japin kontributin e tyre, mirëpo edhe atdhedashuria nuk mungon për vendlindjen, ku edhe në kohë të vështira nuk e kanë kursyer veten për atdhe“.

 

Nehat Kida është me origjinë nga fshati Cermjan i komunës së Gjakovës në Kosovë. Babai i një fëmije, Kida ka një eksperiencë të gjatë të angazhimit në aktivitete të ndryshme në Interlaken. Ai ka të kryer shkollimin në drejtimin Ekonomi-Marketing. Është kryetar i shoqatës kulturore „Dardania”, po ashtu menaxhon edhe një firmë “Kida Consulting Immobilien GmbH”.

Hapet ordinanca gjinekologjike nga një mërgimtar shqiptar

Ka shumë mjekë gjermanë që synojnë të largohen nga Gjermania drejt Zvicrës për shkak të pagave të mira në shëndetësinë zvicerane, por ka të atillë që e duan edhe Gjermaninë dhe Zvicrën. Një prej tyre është doktori nga Kosova, Imer Hajdari.

Doktori nga Drenoci i Kosovës ishte i pari që në vitin 1999 kishte hapur ordinancën e parë shqiptare në Mynih të Gjermanisë.

Një ordinancë të njëjtë ai e kishte hapur vitin e kaluar në Bernë të Zvicrës, e tash po e bën të njëjtën në Cyrih, e shumë shpejt ka premtuar se do të bëjë realitet edhe në St. Gallen.
Në praninë e shumë mysafirëve nga Gjermania dhe Zvicra, mjekë, diplomatë të Kosovës e të Shqipërisë në Zvicër, në mënyrë solemne ai bëri hapjen e  Ordinancës Gjinekologjike, Obstetrike dhe Onkologjike në Cyrih.

Prerjen e shiritit e kanë bërë konsulli i Kosovës në Cyrih, Sali Sefa dhe sekretari i parë i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, Kastriot Noli.

Duke folur para mysafirëve diplomati nga Kosova, Sali Sefa, tha me këtë rast se diaspora po tregon se ka potenciale intelektuale dhe se nuk janë më vetëm punëtorë krahu, por të barabartë me qytetarët e vendit pritës.

Kjo është një ordinancë private, e cila do të ofrojë të gjitha shërbimet që kanë të bëjnë me gjinekologjinë.

„Në këtë ordinancë nuk do të mjekohen vetëm sëmundjet onokologjike dhe operacionet gjinekologjike, por do të diagnostikohen shumë sëmundje qysh në jetën intrauterine, e të lindin fëmijë të shëndoshë pa të meta fizike dhe psikike, duke i shëruar dhe eliminuar të gjitha komplikacionet me aparaturë moderne medicinale“, tha gjinekologu Immer Hajdari. Ai kishte migruar në vitin 1992 në Gjermani, ku kishte punuar në fillim si mjek, e pastaj si shef i reparteve gjinekologjike.

Ai thotë se nuk i ka hapur dyert e ordinancës vetëm për bashkatdhetarët shqiptarë që jetojnë në Zvicër, por edhe të nacionaliteteve të tjera.

Ndërkohë nëse mjekët nga Kosova, në shumë raste ëndërrojnë jetën në ndonjë shtet të Evropës Perëndimore, siç mund të jetë Zvicra e Gjermania, ai ka në plan edhe diçka tjetër.

Doktori ka vendosur t’u kthehet edhe rrënjëve në Kosovë.

Një klinikë gjinekologjike do të ketë qendrën në Prishtinë.

„Muajin e kaluar e vëmë gurthemelin e një klinike gjinekologjike, obstetrike dhe onkologjike në Prishtinë. Në të nuk do të gjejnë shërim vetëm sëmundjet gjinekologjike dhe onkologjike, por do t’i parandalojmë dhe do të luftojmë kundër sëmundjeve kancerogjene“, premton doktori, tashmë menaxher i tri ordinancave gjinekologjike në diasporë, e shumë shpejt edhe i të katërtës në Kosovë.