Igli Mezini, “një shpirt artisti” në skenat botërore

Të jesh artist nuk është e lehtë, para së gjithash kur fillet i ke nga një vend me mundësi relativisht të kufizuara për të depërtuar.

Duhet të jesh vërtet energjik, optimist dhe me shumë vetëbesim për të arritur aty ku do. Këto janë disa prej cilësive kryesore të Iglit që i shërbyen për të qenë sot një balerin i suksesshëm në shumë skena botërore.

Ai është vetëm 27 vjeç, i lindur dhe rritur në Tiranë. Dashuria që ka për vendlindje është e madhe, pasi aty kaloi vite të mira të jetës së tij. Që në moshën 7-vjeçare i lindi dëshira për balet, sepse talentin thuajse e kishte të lindur për të qenë një artist i skenës, i duhej fare pak për të kaluar në nivelin e duhur.

“Me fillimin e klasës së parë zgjodhëm bashkarisht me familje që paralelisht me shkollën, të kërceja e të impenjohesha në art, “balet”. E teksa vitet kalonin, unë u bëra pjesë e Shkollës Kombëtare të Baletit, një shkollë nga ku kanë dalë shumë legjenda të artit”, thotë ai.

 

“Një zanat i bukur, por i lodhshëm”

Rrugëtimi i tij drejt suksesit nuk ishte i lehtë, ndërsa formimi i tij me perspektivë profesionale i mori goxha punë dhe energji. Për baletin thuhet se është “një zanat i bukur, por i lodhshëm”.

“Absolutisht e vërtetë. Me një ekzigjencë të madhe artistike e me një punë rigoroze të përditshme vërtetonin fjalët e njerëzve, ku çdo ditë pjesët e trupit dhimbnin, e askush s’donte t’ia dinte e kurrë s’duhej të thoshe se sa dhemb”, shprehet Igli.

 

Franca, pikënisja e parë e depërtimit në tregun evropian

Iglit në moshën 18-vjeçare iu dha drita jeshile në një nga shkollat me prestigjoze në Kanë të Francës. Një vend me një mentalitet të hapur dhe shumë demokratik, ku arti përmbledh gjithmonë artistë nga i gjithë globi.

“Kana ka qenë trampolina më e mirë për vazhdimësinë e karrierës sime deri më sot. Një vend i mrekullueshëm, inspirues, ku fatmirësisht kam takuar njerëz shumë të përgatitur artistikisht, e që kam pasur fatin e madh të punoj e të mësoj nga ta”.

Mezini aty ushtroi kërcim kontemporan, klasik, kërcim në çift, teatër, kanto, cirk dhe shumë fusha interesante për t’u bërë një artist i plotësuar.

“Kohë të mrekullueshme që i kujtoj me shumë mall e që ndihem shumë i privilegjuar që m’u dha ajo mundësi e artë”, tregon ai.

 

Jeta profesionale në Gjermani, eksperienca e duhur!

Franca i shërbeu Iglit në formimin e tij intelektual, profesional dhe etik për baletin, e kjo i hapi rrugë të depërtojë edhe në tregun gjerman. Sipas tij, Gjermania dhe teatri “Wiesbaden” ishin gjëja e duhur në momentin e duhur.

“Për gati 4 vjet kam jetuar dhe punuar në një nga teatrot më të vjetër e më të bukur të Gjermanisë, që ishte Wiesbanden. Një staf prej 28 balerinësh që vinim nga vende të ndryshme të botës”.

Gjatë katër vjetëve, ai ishte balerin solist në këtë teatër ku punoj me koreografë nga më të njohurit në botë, aq sa edhe Igli e quan “një fabrikë arti”.

 

“Zvicra, vendi në të cilin dashurova që nga dita e parë”

Mezini kishte vite që bashkëpunonte me kompaninë e baletit “Linga”, por në vitin 2019 kjo kompani po bëhej gati për një koncept të ri në teatrin Octogone në Pully dhe Igli u vendos pikërisht në Lozanë për të performuar.

“Linga po bëhej gati që një koncept të ri dhe unë u vendosa në Lozanë të Zvicrës, vendi që u dashurova që nga dita e parë. Në Linga kam qenë edhe profesor kërcimi duke drejtuar provat dhe duke punuar me artistët e tjerë të kompanisë që ishin më të mëdhenj se unë në moshë”, shprehet ai.

Pas shijimit të këtyre sukseseve, destinacioni i tij i ardhshëm ishte në kantonin e Lucernit. Saktësisht, një ofertë nga teatri i këtij qyteti, ku edhe tani ushtron profesionin si solist.

“Teatri në Lucern funksionon shumë mirë, stafi është shumë profesional dhe artistikisht u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të mia si artist. Në Luzern kemi diku 60 shfaqje në sezon, me një repertor shumë të larmishëm”, tregon ai për Albinfo.ch.

Artist në shumë skena të rëndësishme të botës

Destinacionet që ka performuar Igli janë të shumta, qoftë në skenat e Europës, ashtu edhe të Azisë dhe Amerikës.

“Shumë shtete e skena të Europës, Azisë, Amerikës Latine kam pasur fatin t’i shkel, por edhe të performoj, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Zvicër, Austri, Gjermani, Francë, Spanjë, Portugali, Turqi, Itali, Kolumbi, Australi, Singapor, Kinë, Taivan, Hong-Kong, Belgjikë, Suedi dhe në disa vende të tjera”, tregon ai.

Ndërkohë që skenat që ka performuar dhe shijuar Igli si balerin kanë qenë të shumta, si: “Sydney Opera House”, “Wiesbaden Staats Theater”, “Cultural Center Hong Kong”, “Taichung Theater Taiwan”, “Teatro Mayor Bogotá”, “Singapore Theater”, “Beijing Theater” e shumë të tjera.

Ky është Igli, një artist frymëzues i suksesit në Zvicër.

Një balerin shqiptar në Teatrin e Mynihut

Ambicia dhe kurajo e njëzetvjeçarit Marlon Dino kishin ritëm tjetër nga ai i jetës kulturore artistike në Shqipëri.

Një bursë specializim në Gjenevë të Zvicrës në vitin 1998 e ballafaqoi atë për herë të parë me nivelin e kolegëve të tij nëpër botë.

Ky ishte fillimi plot mundime dhe sfida në marshutin artistik të Marlon Dinos, një udhë që e vlerësuan për aftësitë dhe kapacitetin, për këmbënguljen dhe përqendrimin në pasurimin e repertorit.

Në sezonin 2001-2002 ishte në Vjenë, për t’u ngulur më pas në Mynih.

“Statusi aktual si solist i parë në Teatrin Shtetëror të Mynihut më bën krenar, pasi kontribuoj në një nga kompanitë më të dëgjuara në Europë”, thotë Marlon Dino për DW.

Ai ka ndërtuar një koleksion të pasur rolesh kryesorë në kryeveprat botërore si “Zonja me kamelie”, “Don Kishoti”. “Romeo dhe Zhuljeta”, “Liqeni i mjelmave”, “Bukuroshja e Fjetur” etj. “Roli që më ka ndryshuar jetën në skenë dhe që e konsideroj si një nga kulmet në karrierë është ai i Oneginit në pjesën ‘Onegin’ të J.Crankos”, tregon i emocionuar Marloni.

Ka qenë një debutim që u përcoll me duartrokitje frenetike nga publiku bavarez dhe ku në krah kishte partneren e tij në shfaqje, Lucia Lacarra.

Pas kësaj Marloni ka interpretuar dhe dhjetëra role kryesore për të cilat ka marrë shumë vlerësime nga kritika e specializuar.

Nuk kanë munguar dhe etiketime të tilla si “një nga partnerët më të mirë në botë” (Zvetlana Zahkarova), ndërkohë që revista “Dance Europe” për vitet 2008, 2010 dhe 2013 e ka shpallur Marlon Dinon si “Balerini më i mirë në botë”.

Për interpretimin e Oneginit fitoi çmimin “Rosen Schtraus des Jahres” në Mynih.

Baleti i merr pjesën më të madhe të energjive, por Marloni përpiqet që të krijojë variacion në jetën e përditshme.

Është i prirur nga teknologjia e informacionit dhe ka afeksion për pajisjet e reja digjitale. Përpiqet që të hyjë sa më në thellësi të kulturës së Bavarisë dhe asaj gjermane në përgjithësi, ndaj dhe nuk lë rast pa lexuar, pa frekuentuar kalendarin e shumëllojshëm kulturor dhe artistik atje. Hyn në kontakte me kolegë të rinj dhe personazhe publike.

E ka ndihmuar shumë dhe vizibilteti që i ka krijuar prej kohësh në publik puna si model për marka dhe kompani të njohura si Armani, Zegna, Baldasari, Prada, Gucci, etj. Si në interpretimin e një roli në skenë ku “flet” dhe përcjell botën e artistit me gjuhën e lëvizjeve,

Marlon Dino, ashtu e koncepton dhe ritmin e jetës, duke udhëtuar pa pushim nga njëri vend në tjetrin.

Udhëtime, kontrata për shfaqje në skena të ndryshme të botës, perfomanca, kontakte me menaxherë – e gjithë kjo agjendë globale – nuk mund ta shkëpusë nga vendlindja.

Në fillim të vitit 2012 pati një debutim brilant në Tiranë në rolin e Albertit tek “Zhizel”, një bashkëpunim me maestron Agron Alia dhe partneren në shfaqje Greta Hushi. Marloni ka një mendim të pjekur për baletin shqiptar.

“Kemi një teknikë dhe shkollë të fortë, por fatkeqësisht është e viteve ‘60. Për mendimin tim duhet patjetër që shkolla shqiptare të adoptojë teknikat e shkollës evropiane se ka evoluar shumë sidomos në vitet e fundit”, thotë për DW, duke e gjykuar shpresëdhënës emërimin në krye të Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë të balerinit të famshëm shqiptar Ilir Kerni, si një mundësi për bashkëpunime dhe projekte në të ardhmen .

“Vazhdimisht e them, më pëlqen shumë të kërcej për publikun shqiptar. E ke parasysh, në fund të zemrës ngelem shqiptar”.

Eno Peçi, balerini i suksesshëm i Operas së Vjenës

Peçi ka mbi 15 vjet që punon në Operën e Vjenës dhe është zgjedhur të interpretojë edhe në koncertin e shumëpritur në gjithë botën me rastin e  vitit të ri.

Një profil të balerinit të famshëm ka sjell VoA.

Dihet mes artistëve, por edhe nga publiku artdashës se është tejet e vështirë të pranohesh nga Opera e Vjenës, dhe ndoshta edhe më e vështirë të zgjidhesh për të interpretuar në koncertin e Vitit të Ri të Orkestrës Fizarmonike të Vjenës, qoftë si muzikant, qoftë si balerin. Kjo arritje nuk ka qenë e lehtë për të riun nga Shqipëria, Eno Peçi. që tashmë është bërë sensasion ndërkombëtar.

Duke ndjekur Enon në skenë nuk mund të mos vihet re një interpretim tepër kompleks. Është vetë roli, ajo çfarë duhet transmetuar tek shikuesi, sinkronizimi i lëvizjeve personale me muzikën, sinkronizimi i lëvizjeve me balerinën ose me grup balerinësh, është vetë linja e saktë e lëvizjes, është figura që krijon vetëm, si çift, ose si grup. Dhe për realizimin e gjithë kësaj koreografie duhen orë të gjata pune dhe një përgatitje fizike intensive.

Në kërcimin e Enos vihet re një fenomen i rrallë. Ngrirja në kohë e figurës së krijuar, qoftë edhe për një sekondë,  në momentet e shkëputjes nga  dyshemeja e skenës. Sa më shumë që i sheh këto fotografi, as më e kapshme bëhet vështirësia e realizimit të figurës dhe perfeksionimi i saj.

“Shpagat” është e vështirë në tokë, jo më në ajër. Arrihet me këmbëngulje dhe me përgatitje fizike të vazhdueshme, thotë Eno, pa lënë aspak në harresë edhe rolin e fotografit që kap momentin.

Eno luan në çdo rol, nga tragjiket tek komiket, këta të fundit tejet të sofistikuar dhe aspak më të lehtë për t’u interpretuar. Ai thotë se nuk ka ndonjë preferencë të veçantë për rolet.

“Më pëlqen të bëj çdo rol, çdo karakter, si të keq si princ. Çdo rol është i mirë për një balerin, sepse vlen për eksperiencë, mbledh më shumë eksperienca. Është mirë të ndryshosh role, të mos bësh vetëm princin, ose vetëm komike, ose vetëm të këqija. Është më interesante për një balerin”.

Gjatë katër viteve të fundit Eno është marrë me koreografi dhe është pritur shumë mirë si nga kolegët e tij balerinë, ashtu edhe nga kritika dhe publiku.

/VoA/