Floriana Imeri, konkurrente e fortë në “The Voice of Germany”

Në Gjermani ka nisur të enjten në mbrëmje programi televiziv shumë i popullarizuar në kërkim të  talenteve të rinj të muzikës, spektakli gjerman në vazhdime „The Voice of Germany 2014″.

Shqiptarja 22-vjeçe, Floriana Imeri, nga Bietigheim – Bissingen, është njëra nga kandidatet që tashmë ka bindur jurinë “The Voice of Germany”.

Me këngën „Tik Tok“ nga Kesha, shqiptarja nga Kosova ka kaluar sfidën e parë në këtë garë muzikore në Gjermani.

“Ku ishit ju, ne kemi nevojë për energji pozitive, vajzë, zëri juaj është aq i bukur“, i ka thënë Samu Haber, njëri nga anëtarët e jurisë të edicionit të sivjetëm “The Voice of Germany”.

Floriana ka jetuar për 21 vjet në qytetin Metter Enz. “Unë edhe si një vajzë e vogël kam kënduar, por me të vërtetë ia fillova këngës në moshën 13-vjeçe”.

Ajo tha të ketë qenë e dalluar me talentin e saj edhe në shkollë. Në shumë festa me familjen dhe miqtë ajo kishte kënduar para publikut. “Kjo më dha besim”, tha Floriana.

Në Kosovë Floriana është tashmë e njohur si një këngëtare e re. Dy vjet më parë ajo ka regjistruar një album me këngë popullore.

“Muzika në shtëpinë time është shumë e rëndësishme për mua, sepse jam rritur me të”, thotë ajo.

Floriana ëndrron karrierën e një këngëtareje ndërkombëtare. Florianes i pëlqen të këndojë më shumë balada.

Nga familja e saj Floriana ka marrë mbështetje të madhe, sidomos nga babai i saj që kishte ndikuar për të treguar talentin.

“Babai im është një fans shumë i madh imi, unë jam shumë e lumtur”, kishte deklaruar për mediat gjermane talentja nga Kosova, Floriana Imeri.

Floriana Imeri the voice of ger

Video:
http://www.the-voice-of-germany.ch/video/45-floriana-imeri-tik-tok-clip

Fjoralba shkrin këngën shqipe me xhazin

Secilin vit, prej disa dekadash tashmë, kur pushimet verore të kenë përfunduar, në Villingen të landit Baden Württemberg mbahet festivali i xhazit. Me këtë rast fillon edhe sezoni koncertal i klubit të xhazit, gjatë të cilit, deri në fund të vitit përfshihen 16 programe të ndryshme xhazi manifestimi fillon më 13 shtator, me paraqitjen e grupeve të ndryshme të xhazit nga Gjermania dhe bota.

Në ditën e tretë, më 15 shtator, në program është këngëtarja shqiptare që jeton në Gjermani, Fjoralba Turku. Ajo, bashkë kitaristin amerikan Geoff Goodann krijon një amalgamë të përbërë nga këngët popullore shqiptare, muzika standarde e xhazit dhe bluzi, shkruan südkurier.de.

Shqiptarja dhe amerikani bëjnë muzikë bashkë prej gjashtë vitesh dhe janë të njohur për ngjyrat intensive të tingujve si dhe për shkrirjen e stileve të ndryshme të muzikës.

Enrika Derza nga Shkodra, në garë për “The Voice of Switzerland”

Vetëm 17 vjeçe, por me zë mjaft të veçantë, Enrika Derza ka udhëtuar rrugë të gjatë nga Shqipëria në Zvicër për të marrë pjesë në edicionin e dytë të spektaklit “The Voice of Switzerland”. 17-vjeçarja nga Shkodra me prezantimin e saj në “Blind Auditions” ka thyer zemrat e jurisë zvicerane: Marc Sway dhe Philipp Fankhauser.  Enrika Derza ka siguruar tashmë vend në këtë garë në ekipin e Marc Sway.

Për 17-vjeçaren Enrikën “The Voice of Switzerland” nuk është eksperiencë e re, ngase edhe në “The Voice of Albania” ajo kishte depërtuar deri në finale. Kushërinjtë e Enrikas jetojnë në Zvicër. Prandaj ata kishin bërë përpjekje që t’ia mundësojnë këtë ëndërr ta ketë më afër.

Enrika Derza vjen nga Shkodra. Talenti i saj në muzikë ishte zbuluar në moshën 15-vjeçare në një format botëror, siç ishte “The voise”, që erdhi si risi në Shqipëri. Enrika kishte mbërritur në finalen e madhe “The Voice of Albania”. Ajo kishte prezantuar edhe në festivalin e të rinjve në Shqipëri, Top Fest. Derza kishte fituar edhe dy çmime në festivale ndërkombëtare.

Elina Duni promovon “Muzën e zezë”, projektin 100 për qind shqiptar

Në sallën e mbushur plot ajo performoi me një ekip të muzikantëve nga Kosova dhe Shqipëria dhe promovoi albumin e saj “Muza e zezë” që është një projekt, të cilin ajo e quan 100 për qind shqiptar, për ndryshim të kuartetit Elina Duni që është një miks shqiptaro-zviceran.

Ajo performoi këngën e saj që është bërë edhe video “Në Tiranë”, si dhe shumë këngë të tjera, të cilat lidhen me fëmijërinë e saj dhe vendin prej nga vjen, në mesin e tyre edhe disa këngë të zhanrit rock që edhe kishte shënuar fillimin e karrierës së saj me bendin Retrovizorja.

Në një intervistë dhënë albinfo.ch Elina shpjegon karrierën e vet shqiptaro-zvicerane, marrëdhëniet me këngëtarët shqiptarë të zhanrit të njëjtë, Eda Zari dhe Fjoralba Turku, projektet e tashme dhe flet për skenën zvicerane të xhazit. Kjo skenë, sipas saj, së paku deri tash ka qenë e privuar prej festivalit më të njohur të muzikës në shtetin helvetik Montreaux Jazz Festival.

Në atmosferën e teatrit Oda Elina nënshkruan kopjet e albumit të ri të saj për fansat që tashmë kishin ardhur në pjesën e artistëve për të takuar atë. “Përzemërsisht është një fjalë shumë e ngatërruar, por më pëlqen”, thotë Elina, përderia nënshkruan kopjet e albumit të saj me fjalën përzemërsisht dhe emrin e pronarit të ri.

Disa fansa të tjerë bënin “selfie” me Elinën për të postuar në rrjetet sociale që të dëshmojnë se kanë takuar këngëtaren, e cila krojoi një atmosferë të shkëlqyeshme në Prishtinë.

Albinfo.ch: Isha në Cully Jazz fest, albumet e Elina Dunit ishin të vendosura në pjesën e CD-ve të muzikës zvicerane. Sonte na këndove për Tiranën dhe për Prishtinën, e jo për Lozanën?

Duni: Projekti i kuartetit është plotësisht i ndryshëm me atë që bëmë sot, ai është një projekt që ekziston tash e 10 vjet dhe ka katër CD, ku gërshetohen këngët folklorike të Ballkanit me xhazin. Unë besoj kuarteti është një urë lidhëse në mes të kulturës shqiptare dhe të asaj të Zvicrës, në mes të dy kulturave që mua më kanë rritur.

Kurse projekti “Muza e zezë” është 100 për qind shqiptar dhe muzikantët me të cilët kam punuar vijnë nga trevat shqiptare. Është projekti i parë për mua si kauntautore, të gjitha këngët janë të miat. “Në Tiranë” është kënga e parë që kam shkruar për këtë projekt dhe e kam shkruar që në 2006-ën.

Unë mbaj gjithmonë një pjesë të Tiranës gjithkund ku shkoj. Ndërsa unë i këndoj ndryshe Zvicrës, kur këndoj me kuartetin unë mbaj me vete gjithçka që Zvicra më ka dhuruar. Një pjesë e madhe e jetës sime ka ndodhur në Zvicër. Unë kam bërë të gjitha shkollat që kam dashur, kam pasur fatin të marr bursa. Pra, për mua e rëndësishmja është që Shqipëria brenda meje dhe Zvicra brenda meje të bashkëjetojnë sa më mirë.

Albinfo.ch: Sonte u ktheve në Shqipëri, u ktheve në rock, çka pastaj?

Duni: Nuk e di. Pas “Muzës…”, tash jemi duke përgatitur albumin e katërt me kuartetin, pra “Muza…” dhe kuarteti shkojnë paralelisht, ata nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin.

Albinfo.ch: Elina Duni, Eda Zari, Fjoralba Turku, a e kam harruar dikënd në këtë trio?

Duni: Jo, mendoj se këto të tria janë sa i përket miksit të xhazit me muzikë shqipe në Evropë.

Albinfo.ch: Si e sheh ti këtë kombinim dhe këto tri këngëtare?

Duni: Unë jam në kontakt me Edën, me të jemi takuar. Ndërsa me Fjoralbën vetëm virtualisht. Edën e respektoj shumë dhe ka qenë e para që ka gërshetuar folklorin shqiptar me xhazin. Së bashku kemi qenë në një emision në “1001 ëndrra dimri” në dhjetor. Ajo ka qenë në koncertim tim dhe kemi shumë respekt për njëra-tjetrën, pasi të dyja luftojmë për të njëjtën gjë, për të bukurën.

Albinfo.ch: Sapo është publikuar programi i Montreaux Jazz Festival, çka do të rekomandoje?

Duni: Mua më vjen shumë keq që në Zvicër ka shumë festivale të tjera që janë më të mira se Montroux. Aty gati që fare nuk ka xhaz. Atu vijnë shumë emra të njohur dhe nuk bëjnë zbulime. Ky festival nuk është marrë fare me xhazin zviceran. Mua më trishton shumë ky fakt. Në Zvicër ka shumë grupe të mira xhazi që bëjnë muzikë në tërë botën dhe Montraux as që e çan kokën për ta.

Këtë vit në bashkëpunim me Pro Helvetia do të ketë një platformë të xhazit zviceran, ku do luajnë tri grupe zvicerane dhe mua më vjen mirë për këtë.

Ai ka vetëm emrin xhaz, e jo edhe përmbajtjen. Më vjen keq që ai është më i njohuri, por fatkeqësisht më pak interesanti i të gjithëve.

Albinfo.ch: Ku do jetë Elina gjatë vitit 2014?

Duni: Në Renes, më 11 prill, në Gjenevë më 4 maj dhe në pjesë të tjera të Zvicrës, të cilat mund të gjenden në elinaduni.com<http://elinaduni.com>.

 

 

Bleta (Bebe) Rexha, krijon për Rihannën dhe Eminemin

Kënga e njohur “The Monster”, interpretuar nga Eminem dhe Rihanna, është krijim i një shqiptaro-amerikaneje. Ajo quhet Bebe Rexha dhe është vetë një këngëtare e re që po fillon të bëjë emër. Për të mësuar mbi historinë e këngës “The Monster” dhe për karrierën e krijueses së saj, gazetari Julian Zyla i Zërit të Amerikës i mori Bleta (Bebe) Rexhës një intervistë.

Zëri i Amerikës: Dy këngëtarë shumë të njohur, Eminem dhe Rihanna, bashkëpunuan sërish për të kënduar “The Monster”. Kënga arriti vendin e parë në klasifikimin e 100 këngëve më të mira të revistës Billboard. Por, versioni origjinal i këngës, me refrenin pothuajse të pandryshuar janë tuajat. Na tregoni më tepër, si ndodhi kjo?

Bebe Rexha: Unë kam pasur kontratën time të parë me shtëpinë diskografike Island Def Jam kur isha 19 vjeç. Por ata u tërhoqën nga marrëveshja dhe unë isha shumë e trishtuar dhe e stresuar prej kësaj. Një ditë, gjatë asaj kohe, shkrova këngën “Monster Under My Bed”, me miqtë e mi në studio dhe ne po punonim mbi një disk për të gjetur një shtëpi diskografike tjetër. Pasi e kishim mbaruar këngën një miku im ia tregoi atë dikujt tek Shady Records, që është shtëpia diskografike e Eminem, dhe kur Eminem e dëgjoi këngën ai vendosi menjëherë se e deshte këngën për vete. Më pas ata morën Rihannën për të kënduar refrenin. Unë e kam dëgjuar këngën për herë të parë në radio. Ishte diçka e pabesueshme.

Zëri i Amerikës: Pra, ju nuk e dinit që kjo po ndodhte, që ai kishte zgjedhur këngën tuaj për ta përfshirë në albumin e tij të ri?

Bebe Rexha: Jo, unë nuk dija asgjë. E mora vesh kur Eminem dhe Rihanna vunë në faqet e tyre në Facebook titullin e këngës: The Monster. Nuk mund ta besoja, ishte diçka fantastike. Pra nuk isha aspak në dijeni që kjo po ndodhte. Në fakt, ishte mamaja ajo që më telefonoi dhe më tha: “Kontrollo faqen e Facebook-ut të Eminem. Ai sapo publikoi diçka për ‘The Monster’”. Në ato momente unë isha në Los Anxhelos duke regjistruar në studio për albumin tim debutues dhe kur pashë që ai kishte shkruar për këngën, u gëzova jashtë mase, ishte një gjë e mrekullueshme.

Zëri i Amerikës: Si autore tekstesh, ju keni shkruar “The Monster” dhe këngë të tjera si “Like a Champion” për Selena Gomez. Megjithatë, ju jeni një këngëtare, e cila sapo ka publikuar në internet këngën e saj të parë si artiste solo “I Can’t Stop Drinking About You”, pjesë e albumit debutues. Çfarë mund të na thoni për karrierën tuaj si këngëtare?

Bebe Rexha: Sa i përket së shkuarës, unë isha në një grup me Pete Wentz të quajtur Black Cards. Pete Wentz është anëtar i grupt Fall Out Boy. Pra, Black Cards ishte grupi i mëparshëm ku unë isha këngëtare, duke bashkëpunuar me shtëpinë diskografike Island Def Jam. Pasi kjo shtëpi diskografike hoqi dorë nga kontrata me mua, unë nisa të punoj me artistë si Selena Gomez, Nikki Williams, si dhe me shumë DJ që po fitojnë famë, si Cash Cash. Tani po punoj me albumin e ri të David Guetta-s. Unë nisa të shkruaj më tepër tekste këngësh në mënyrë që të mund të punoja me projektet e mia.

Zëri i Amerikës: Bebe, prindërit tuaj janë shqiptarë. Cila është historia juaj e familjes dhe çfarë domethënie ka pasur kjo gjë për për ju?

Bebe Rexha: Babai im është nga Dibra, në Maqedoni. Ai erdhi këtu në SHBA në vitet 1980 me nënën time. Prindërit e nënës sime janë nga Gostivari. Ne na pëlqen ta mbajmë kulturën tonë dhe unë jam shumë e lidhur me familjen dhe rrënjët e mia. Mundohem që të shkoj në Maqedoni për të vizituar familjarët e mi të paktën një herë në vit, pasi familja është shumë e rëndësishme për mua. Shumë shpesh kemi dasma e ngjarje të tilla, kështu që me prindërit e mi i vizitojmë shpesh familjarët atje.

Zëri i Amerikës: Si është e organizuar dita juaj? Sa kohë i kushtoni të shkruarit, të kënduarit apo gjërave të tjera?

Bebe Rexha: Të jem e sinqertë, nuk ndalem kurrë. Zgjohem herët në mëngjes dhe shkoj në studio. Më pas menaxheri më telefonon dhe më thotë se çfarë programi kemi. Ndonjëherë më duhet të bëj gati valixhet sepse mund të më duhet të udhëtoj. Nesër, për shembull, do të shkoj në Suedi. Kur të jem atje do të punoj për këngë të reja, për rreth dy javë. Pra, dita ime është shumë e zënë, nuk ndalem asnjëherë. Ky është pasioni im i vërtetë dhe e dua shumë profesionin tim. Pra, muzika është diçka me të cilën merrem 24 orë në ditë, pasi është diçka që dashuroj.

Zëri i Amerikës: A ka një ndonjë moment ose ngjarje që ju ka lënë mbresa më shumë se të tjerat dhe për të cilën i jeni vërtet mirënjohëse karrierës suaj?

Bebe Rexha: Një herë isha e ftuar në një festival në Londër, Hard Rock Calling, që është si festivalet që kemi shpesh dhe këtu në SHBA ku marrin pjesë 10 ose 15 artistë të mëdhenj, dhe organizatorët atje na thanë se grupi ynë, Black Cards, do të interpretonte në hapje të një koncerti të madh. Kur shkova atje, pashë që bëhej fjalë për Bon Jovi-n. Kur u ngjita në skenë, isha përballë 60 mijë njerëzve. Nuk mund ta besoja që ndodhesha përballë kaq shumë njerëzve, madje pata dhe mundësi të takoja Bon Jovi-n pas kuintave. Ai ishte një moment i madh dhe shumë special për mua.

Zëri i Amerikës: Çfarë është ajo që vërtetë do të donit të arrinit në karrierën tuaj, qoftë ndonjë ëndërr apo qëllim?

Bebe Rexha: Sinqerisht, unë thjesht dua që muzika ime të dëgjohet. Shkruaj shumë prej këngëve të mia që të ndihmoj njerëzit. Nuk ka rëndësi nëse janë 10 njerëz apo 1 milion, thjesht dua që muzika ime të mund të ndihmojë të tjerët. Për shembull, kënga e Eminemit dhe Rihannës, Moster Under My Bed, është për momentet kur ndonjëherë mendojmë se jemi pak të çmendur, ose të papërshtashmëm, apo jo perfektë. Kënga thotë se mund ta pranojmë veten ashtu siç jemi, me çmendurinë që kemi, me të qenit jo perfektë. Të pranosh gjithçka duke thënë se “jam mik me monstrat nën shtrat dhe flas me zërat në mendjen time” por jam në rregull me këtë gjë dhe e dua vetveten. Pra, të ndihmoj njerëzit në botë: ky mendoj se është qëllimi im, ëndrra ime.

Zëri i Amerikës: A keni një artist të preferuar ose dikë që e konsideroni si një model për ju?

Bebe Rexha: Më pëlqen shumë grupi The Cranberries, më pëlqen pa dyshim Madonna, por gjithashtu Michael Jackson; Lauryn Hill, pra grupi The Fugees. Më pëlqen shumë muzika rap, muzika klasike, dhe shumë artistë e lloje të tjera muzike, por këta janë disa nga të preferuarit e mi.

Zëri i Amerikës: Kur parashikoni të publikoni albumin tuaj dhe cilat janë planet për të ardhmen e afërt dhe të largët?

Bebe Rexha: Tani po punoj me shtëpinë time diskografike, Warner Brother Records, me të cilën kanë punuar artistë si Madonna dhe Prince dhe jam e lumtur për këtë. Me ta po përgatitemi për publikimin e gjerë të këngës “I Can’t Stop Drinking About You”, më datë 1 qershor. Më pas do të vijë dhe publikimi i albumit, ndoshta pas 3 ose 4 muajsh. Do të jetë një përvojë e bukur. Do të bëjmë gjithashtu dhe promovim e albumit, i cili do të publikohet në të gjithë botën dhe jam shumë entuziaste për gjithçka. Jam me fat, sepse kam shumë mbështetje nga shtëpia diskografike, nga familja ime dhe nga komuniteti shqiptar. Jam shumë mirënjohëse për këtë./voa/