Bernadeta Nikollbibaj, kosovarja që ushtron tri profesione në Zug të Zvicrës

Hobi i parë për Bernadetën ka qenë muzika. Ajo që në fëmijëri ka kënduar dhe nuk është dorëzuar që një ditë të bëhet këngëtare. Gjithçka nisi me videoklipin e saj të parë. Me publikimin e videoklipit, rrethi i saj vazhdimisht e kanë mbështetur dhe inkurajuar që të mos ndalet.

Ideja që të bëhem këngëtare ka lind nga dëshira të bëj një këngë me videoklip, pastaj nga ai moment personat që më rrethonin kanë thënë se kam talent me këtë fushë dhe kështu kam filluar të mirrem më intenzivisht me muzikë”, thotë Bernadeta.

Kështu, ajo deri tash ka realizuar pesë videoklipe. Projekti i fundit i saj është kënga “Inati”, e cila është e realizuar në bashkëpunim me këngëtarin Hekuran Krasniqi, bashkëpunimi i tretë ky me radhë, pasi që dy projektet e para korrën shumë sukses.

Është një vazhdim i dy projekteve të para, “Havana” dhe projektit të dytë “Fajet”, këto dy bashkëpunime të cilat i kam sjell me këngëtarin Hekuran Krasniqi kanë rezultuar me sukses dhe pasi bashkëpunimi me këto dy të parat ishte në nivel atëherë vendosa që të bëjmë edhe të treten të vërteten”, shprehet ajo.

Mirëpo, muzika nuk është profesioni i vetëm i vajzës me prejardhje nga Gjakova. Ajo merret edhe me modelizëm tash e një kohë, fushë kjo të cilën e ka shumë pasion dhe ky profesion i ka ndihmuar të krijojë lidhje me publikun e saj.

Modelimi më duket se është si dashuria e parë, ku nuk mundem pa të, të cilën nuk mund ta largoj nga vetja, e dua shumë edhe këtë profesion sepse është pikërisht modelimi fusha e cila më ka njoftuar me publikun”, thotë ajo.

Pasioni i madh dhe dashuria për këto dy profesione nuk e privojnë ata nga ushtrimi i profesionit të tretë, që është infermieria. Bernadeta qe tetë vjet punon si infermiere në një spital në Zug dhe kjo është një punë tjetër që e bën me shumë qejf për të cilën është shkolluar në Zvicër.

E pyetur se cilin profesion e ka më afër zemrës, ajo shprehet që nuk mund t’i ndajë ato.

Me i nda si me m’vra”, përgjigjet ajo duke qeshur.

Sipas saj, të gjitha profesionet e kanë rëndësinë e vet dhe i kanë sjellë ngjyrim të veçantë jetës së saj dhe po ashtu përfitime të shumta duke e pasuruar atë si njeri.

Janë profesione që e kanë përfitimin e vet, me të tri profesionet që kam ndjehem shumë e kënaqur dhe jam mirënjohëse për bashkëpuntoret që kam dhe personat që i kam njohur deri tani në të gjitha sferat që më të vërtetë nuk kanë çmim”.

Ajo për albinfo.ch shpalos që për adhuruesit e muzikës së saj po përgatit një surprizë.

Kam shumë plane të cilat edhe me kohë do ti bëjë publike, por për adhuruesit e mi për festat e fundvitit do të vij edhe me një projekt muzikor”, potencoi ajo.

Bernadeta Nikollbibaj me karrieren e saj vërteton që duhet t’u qendrojmë besnik ëndrrave pa marrë parasysh në çfarë cepi të botës ndodhemi. Në fund, ajo shpreh mallin që ka për vendlindjen e saj.

Kosova më mungon shumë dhe mundohem ta vizitoj sa herë që mund të gjej kohë. Atje kam familjen time dhe shoqërinë, kështu që vendlindjen time e kam përherë në mendjen time”, përfundoi Bernadeta.

 

Kështjella Pepshi dhe suksesi i saj në fushën e muzikës në Zvicër (Video)

Kështjella Pepshi tashmë është emër suksesi në fushën e muzikës. Debutimi i saj është në hapa të sigurt, në “rrymën” e veçantë zhanrore “Europop Jazz”, shkruan Albinfo.ch.

Përveç që zotëron një emër të veçantë, Kështjella është femra shqiptare shumë e suksesshme në fusha të ndryshme të jetës në Zvicër. Energjia dhe ambiciet e saj për jetën janë të mëdha dhe asnjëherë nuk i ndali përpjekjet duke punuar për to.

Të përshkruash portretin e saj nuk është e lehtë, pasiqë tek ajo vërehen shumë veçanti, si në sjellje, në formimin intelektual, profesional dhe etik, qoftë në qëndrimet e saj dhe, para së gjithash, në të menduar.

Kjo ngase perspektiva e qasjes së personalitetit të saj e bën të jetë një vajzë entuziaste dhe kërkuese për të arritur qëllimet drejt suksesit.

Kështjella Pepshi, pavarësisht se është në fillimet e dubutimit të saj, ajo është duke punuar fort për të depërtuar në tregun botëror dhe çdoherë e më shumë po bëhet një emër suksesi në fushën e muzikës, shkruan tutje albinfo.ch.

Vlen të theksohet se në vitin 2010 këngëtarja shqiptaro-zvicerane u zgjodh “Miss Kosova Univers” dhe, po atë vit, ajo prezantoi Kosovën në Las Vegas, për zgjedhjet e “Miss Univers”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të bukurisë në botë.

Kështjella, me kalimin e viteve, ishte e përfshirë edhe në fushën e politikës në Zvicër me shumë aktivitete të ndryshme, veçmas për migrimin e shqiptarëve dhe integrimin e tyre në një shoqëri dhe kulturë tjetër, siç është ajo zvicerane. Ajo ka kandiduar në Parlamentin zviceran me temën programore: “Çështjet e migrimit dhe integrimit”.

Për bukuroshen shqiptare, Zvicra është shteti që u ofron mbështetje të gjithë të rinjve, veçmas artistëve të rinj.

“Zvicra është një vend i bekuar nga Zoti. Është një vend me shumë perspektivë, të hapë rrugë dhe shkollim deri në maksimum, qoftë në kulturë, sport dhe në shumë fusha të tjera, ndërsa neve na mbetët ta shfrytëzojmë këtë sa më mirë”, shprehet ajo.

Krijimtaria dhe jeta profesionale muzikore

Kështjella ka lindur, jeton dhe vepron në Heimberg të Zvicrës, në kantonin e Bernës. Ajo është me origjinë nga Juniku i Kosovës. Prindërit e saj, para shumë vjetësh kanë emigruar në Zvicër shkaku i situatës jo të mirë të krijuar në atë kohë, shkruan albinfo.ch.

Sa i përket jetës dhe shoqërisë në Zvicër, ajo tregon se nuk ka qenë aspak e vështirë ambientimi i saj me rrethin shoqëror dhe se ndjehet e barabartë me të gjithë, pa paragjykime.

Duke qenë se ajo është lindur dhe e rritur në kantonin e Bernës, ajo ka përfundur shkollimin po në këtë vend.

Keshtjella tregon për albinfo.ch se muzikën e ka pasion dhe se ka filluar të këndojë që në moshë të re, nëpër koncerte të ndryshme në Zvicër.

“Kam filluar të këndoj si fëmijë, por nga mosha 7-vjeçare kam filluar të marr pjesë nëpër koncerte të ndryshme që organizoheshin në Zvicër, pastaj në manifestime shkollore dhe “Mini Pley Bec Show”, ku kam fituar edhe çmime të ndryshme”, tregon ajo.

Kështjella ndjek “rrymën” e muzikës “Europop Jazz”, zhanër ky i veçantë, i kombinuar dhe i vështirë për t’u kënduar. Ajo u komentua për ngjyrat e saj të zërit dhe mjeshtrinë e këndimit, të dy këto vlera që ajo i gëzoi që në paraqitjet e para si këngëtare. Në vitin 2018 ajo publikoi këngën e saj të parë: “Too Many Miles”.

“Zhanri im në muzikë është “Europop Jazz”, ndërsa kënga ime e parë quhet “Too many miles”, e cila është pritur jashtëzakonisht mirë”, shprehet ajo.

Duhet theksuar se Kështjella ka një gërshëtim të veçantë mes zhanrit “Europop Jazz” dhe kjo patjetër se është një përparësi për të, që në një të ardhme të bëhet yll i muzikës botërore.

Kënga e parë e saj u dëgjua shumë dhe u transmetua në shumë media muzikore të njohura botërisht.

“Kënga ime e parë pati mjaft sukses, “Too many miles”, këngë kjo e transmetuar në “Radio Berlin”, “Radio 15” dhe në emisionin më të shikuar në Evropë “MTV” në Televizion. Ky sukses më shtyn të ec edhe më shumë drejt ëndrrës sime”, thekson ajo.

 Skenike dhe me ngjyrim emocional

Kështjella Pepshi deri më tani ka arritur të realizojë katër këngë në gjuhën angleze dhe shumë “covera” nga këngëtarë të mirënjohur në botë, shkruan albinfo.ch.

Këngët e saj janë: “Too many miles”, “Even if the Sky is Blue”, “Who Cares”, “Wrong or right (Cover by Kwabs)” dhe “Shape of my Heart (Cover by Sting)”.

Të gjitha këto këngë kanë nga një sukses më vete, në të gjitha dimensionet. Si nga ana skenike, ashtu edhe nga ngjyrimi emocional që përçojnë te publiku.

Për bukuroshen shqiptare, “coverat” ishin një mundësi e mirë që të tregojë talentin e saj dhe pikënisje për të krijuar një profil orgjinal si këngëtare.

“Po, “coverat” ishin një mundësi ku si këngëtare pata mundësi ta tregoj talentin tim dhe për të provokuar, matur dëgjuesit sa po pëlqehesha. Por, për të pasur një profil si këngëtare, të duhen këngë e punuar vetë,” shprehet ajo.

Kështjella e pëlqen shumë gjuhën shqipe, por nuk ka menduar ta punojë një këngë në shqip, pasiqë është e fokusuar në tregun ndërkombëtar.

“Më pëlqen gjuha shqipe shumë dhe vërtet tingëllon shumë bukur, por nuk kam menduar për këtë çështje, pasi jam e fokusuar për të arritur në tregun ndërkombëtar”, tregon ajo.

Këngëtarja nga Kosova e veçon se frymëzim për të është Nexhmije Pagarusha.

“Këngëtare të preferuar nga Kosova do ta veçoja Nexhmije Pagarushën. Është shkurt një fenomen i papërsëritur dhe krenohem që i takon popullit shqiptar”, thekson ajo.

2021 do të startojë me album dhe projekte të reja

Kështjella bëri të ditur për Albinfo.ch se këtë vit do të sjellë disa këngë të reja, të përmbledhura në një album.

“Ndër planet e reja për këtë vit do të jetë përfundimi i albumit tim të parë muzikor me disa këngë dhe të jem para një ngjarjeje të madhe muzikore. Nuk dua të flas më shumë për këtë projekt, preferoj të flasë puna ime”, përfundon ajo. /Albinfo.ch

 

 

 

Alida Duka, këngëtarja e talentuar shqiptare në Hanover

Alida Duka është këngëtarja shqiptare, e cila jeton prej shumë vitesh në Hanover të Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.

Ajo ka filluar mësimet e pianos që në moshë të vogël, duke vazhduar më pas dhe liceun artistik.

Alida është një artiste mjaft aktive, pasi merr pjesë vazhdimisht në festivale dhe koncerte të organizuara në Shqipëri, edhe pse ndodhet larg vendlindjes.

Në një intervistë për mediat shqiptare, ajo flet për fillimet artistike, publikimet e reja dhe marrëdhëniet profesionale me vëllain e saj, kantautorin Ernest Duka – “Stine”. /Albinfo.ch.

Ilira Gashi, ylli i pop-it zviceran

Ilira Gashi, e njohur me emrin e saj skenik ILIRA, është një këngëtare, kantautore shqiptare, e cila është duke e shijuar suksesin e saj në shoqërinë zvicerane dhe atë gjermane. Ajo është 26-vjeçare, e lindur dhe rritur në Köniz-i të Bernës, shkruan albinfo.ch.

Rrjedh nga një familje shqiptare, prindërit e së cilës janë me prejardhje nga Shqipëria dhe Kosova. Si një shqiptare e Kosovës, ajo nuk ka frikë të flasë dhe nuk ka frikë nga ballafaqimet dhe diskutimet, qoftë edhe lidhur me prejardhjen e saj.

Ilira tani jo vetëm që po zë vendin e saj në industrinë muzikore, por është edhe e dashur për mijëra ndjekës në mediat sociale dhe për stilin e saj “pa filter”. Kjo e bën atë të dallohet nga të gjitha këngëtaret për stilin e saj të veçantë dhe, realisht më zbavitëse për momentin në tregun e muzikës, shkruan tutje albinfo.ch.

Duhet theksuar se karriera muzikore e saj filloi me shfaqjet në shkollën fillore. Ajo së pari u shfaq në TV zvicerane dhe shqiptare si adoleshente, më pas u transferua në Gjermani dhe nënshkroi një menaxhim, kontratë botuese me Sony / ATV Music Publishing. Ndërkohë në gusht të vitit 2018 Ilira nënshkroi me Four Music dhe publikoi single-in e saj të parë “Whisper My Name”.

Së fundmi, platforma më e madhe e muzikës në botë, Spotify, ka publikuar statistikat vjetore për të gjithë artistët nga bota. Ilira tashmë edhe zyrtarisht është këngëtarja ndër më të dëgjuarat zvicerane në platformën e transmetimit të muzikës Spotify.

Artistja shqiptare është dëgjuar 87.7 milionë herë në Spotify. Për këtë sukses, ajo ka falënderuar fansat e saj, duke thënë se numrat tregojnë për arritjet, por arti i vertetë do të jetë gjithmonë i lirë nga numrat.

“Numrat gjithmonë tregojnë diçka për arritjen, por arti i vërtetë do të jetë gjithmonë i lirë nga numrat. Kam një shije jo të mirë të numrave, sepse unë personalisht mësova të mos i gjykoj këngët sipas numrave. Por, më duhet të pranoj se më bëri të lumtur në mënyrë të pabesueshme kur i pashë këta numra”, është shprehur Ilira.

Ajo është e gëzuar për faktin se këngët e saj janë dëgjuar në gjithë globin dhe se muzika e saj i lidh njerëzit në kuptimin pozitiv.

“Këngët e mia janë dëgjuar në gjithë globin, pa marrë parasysh se çfarë kulture, feje, gjinie apo çfarë gjuhe flasin. Muzika ime i lidhi njerëzit. Më pëlqen të shoh përkrahësit e mi të lidhen përmes muzikës time, duke u bërë miq përmes faqeve të internetit dhe duke ndarë muzikën time”, tregon ajo.

Aktualisht Iliria jeton në Berlin të Gjermanisë dhe po vlerësohet si më e mira e pop-it, për shkak të cilësisë dhe fuqisë së rrallë të zërit të saj. Ajo ka një sekret në teknikën e saj të paimitueshme vokale të cilësisë dhe fuqisë së rrallë të zërit me një gamë që përfshin mbi 4 oktava, që pak këngëtar nga bota e kanë këtë dhunti. Madje, ajo është krahasuar me yllin e madh botëror, Mariah Carey.

Vlen të theksohet se ngjashmëritë e zërit të saj me Mariah Carey janë vertet tipike, ajo së fundmi ka relizuar një cover tjetër. Duke qenë se jemi në prag të festave të fundvitit, Iliria pikërisht ka zgjedhur këngën e Mariah Carey-t, “All I Want For Christmas Is You”, e cila këndohet me mjeshtëri dhe ngjyrim emocional, të cilën mund ta dëgjoni edhe në You Tube.

Nga ana tjetër, ndër këngët më të dëgjuara të Iliria Gashit janë “Fading”, “Royalty”, “Diablo”, “Easy”, “Lose you”, “Extra Fr!es”, “Pay my back”, “Do it yourself”, “Ladida”, “Get off my D..”, “Whisper my name”, etj. Të gjitha nga këto këngë kanë një sukses të madh, në të gjitha dimensionet. Si nga ana skenike, ashtu edhe nga ngjyrimi emocional.

Me këngën “Fading”, ajo ishte në krye të top-listave gjermane për javë të tëra.

Një adhuruese e madhe e tatuazheve

Përveç muzikës, Ilira është edhe adhuruese e madhe e tatuazheve. Ajo ka disa të tilla dhe i konsideron si simbole të identitetit të saj krijues.

“Një identitet i formësuar nga gratë e forta”. /Albinfo.ch

 

 

 

Annella, nga Zvicra, në Danimarkë, për t’u bërë emër suksesi

Annella është shqiptarja, e cila pa dyshim se është një yll në ngritje e sipër, me një histori frymëzuse të suksesit. Ndër shumë vajza dhe gra shqiptare në mbarë diasporën po tregohen të suksesshme në fusha të ndryshme, por, duket se ajo muzikore po mbizotëron fuqishëm në tregun botëror, aq sa edhe na bëjnë të ndihemi krenarë për arritjet e tyre dhe që nuk kanë hezituar asnjëherë tregojnë prejardhjen e tyre shqiptare, shkruan albinfo.ch.

E njëra prej tyre është sigurisht edhe Annella Zarina, këngëtare në Danimarkë, me krijimtari të pasur muzikore e cila jo vetëm që po zë vendin e saj në këtë industri, por edhe po vlerësohet si person i dashur, pozitiv dhe me stil unik nga shoqërinë daneze.

Annella ka lindur në Cyrih, në Zvicër, por me prejardhje është nga Dukagjini. Prindërit e saj kishin ardhur nga Peja në Zvicër, por jo për të vazhduar gjatë. Pas një viti e gjysmë nga lindja e Annellës, ata u shpërngulën në Danimarkë si refugjatë, shtet ky, ku Annella është rritur dhe zhvilluar artistikisht.

Një talente shqiptare në Danimarkë

Dëshira për muzikë ka filluar shumë herët për Annellën, që në moshën 9-vjeçare. Ajo për albinfo.ch tregon se si filloi dëshira për të kënduar dhe cilin shembull e kishte si pikënisje të saj.

“Dashuria për muzikë ka filluar shumë herët. Babi im ka qenë klarinetist dhe prej që kam qenë e vogël, më kujtohet shumë mirë, kur babai lunate me klarinet. Saktësisht, në moshën 9-vjeçare më ka lindur dëshira për muzikë, më kujtohet shumë pastër, kam qenë duke shikuar një televizion shqiptar dhe pashë Inva Mula, operiste, duke kënduar, këtu ka qenë pikënisja ime që do të bëhem një këngëtare”, është shprehur ajo, për albinfo.ch.

Nga kjo moshë ajo filloi të mirret më seriozisht me muzikën, duke kënduar në disa organizime, që i shërbenin edhe si motivim për të vazhduar tutje, që një ditë të bëhej edhe si Britney Spears dhe Christina Aguilera.

“Dëshira ime ishte të bëhem këngëtare e shquar, një artiste sikurse Britney Spears dhe Christina Aguilera që i vlerësoj shumë. Duke parë këtë vullnet që kisha, me ndihmën e babait fillova të shkoj në studio muzikore dhe të merrem me muzikë, pra në moshën 14 vjeçe kam filluar seriozisht muzikën”, bën të ditur Annella.

Zëri më i mirë i zgjedhur danez

Annella si 14-vjeçare kishte filluar në mënyrë profesionale të këndojë në një studio në Danimarkë. Prindërit e saj donin që paralelisht me këndimin, ajo të shkollohej edhe në “Shkollën e Muzikës”. Ani pse në fillim ajo nuk e pranoi aq mirë këtë, sot ndihet falënderuese prindërve, sepse aty pikërisht mësoj shumë dhe u bë e pasur profesionalisht.

“Prindërit e mi nuk pranonin të bëhem një këngëtare, pa u shkolluar. Edhe pse në fillim nuk pranova lehtë, por nga që kjo do të më shërbente, pranova propozimin e prindërve dhe fillova shkollën e mzikës për 4 vjet me radhë. E gjitha kjo ishte, sepse, sipas tyre, nëse dëshiron të bëhesh këngëtare duhet shkolluar për atë fushë. Dhe kishin të drejt sepse aty kam shkolluar gjuhën e muzikës në mënyrë profesionale dhe në veçanti zërin tim”, tha Annella.

Pas përfundimit të shkollës së muzikës, ajo ka udhëtuar për në SHBA, pikërisht në Nju Jork, për të punuar me producetë të njohur, duke bërë një mix këngësh klasike me ato moderne, pra një kombinim i zhanreve muzikore që vështirë realizohen, shkruan tutje albinfo.ch.

Zëri i saj është karizmatik, dhe ndjek një rrymë interesante të trajtimit të këngës. Shumë ekspertë danezë e vlerësojnë ngjyrën e zërit të saj të veçantë dhe unike në tregun muzikor që sipas tyre ka shumë pak në fushën e saj.

Tashmë këngët e saj janë mes 100 këngëve të momentit në Danimarkë. Rreth një muaj më parë, artistja shqiptare u vlerësua si zëri më i mirë danez në industrin muzikore.

Disa nga këngët më të suksesshme të saj janë: “Perfume”, “All in”, “Kisse Misse”, “Bass me Baby”, “Red Stilettos”, “Like a Jazz Song”, “Trouble”, “Love Music, “My Fix” dhe “Shall We”.

“Pop elektro-suing”, zhanër i veçantë

Annella Zarina po krijon një karrierë interesante, duke ndjekur një rrymë muzikore, artistike në zhanrin e “Pop/elektro-suing”. Duhet theksuar se ky zhanër muzikor është shumë i rrallë dhe se çdoherë e më shumë po bëhet më i dashur për publikun.

Duke qenë se këngët e saj tashmë janë mes 100 këngëve të momentit në Danimarkë dhe si zëri më i mirë i zgjedhur danez, i dha shumë popullaritet.

Annella shquhet edhe për gjallërinë që krijon në këndim dhe skenë, me ngjyrat e saj dhe stilin e veçantë të veshjës. Po ashtu, për të nuk është aspak problem të këndoj edhe në zhanret tjera dhe se në planet e saj të afërta do të bëjë një mix të tillë.

Vlen të theksohet se Kënga “Perfume” ka pas një sukses të mirë në tregun muzikor. Ajo realisht është kënga e saj më e dëgjuar në Spotify, një platformë muzikore e dëgjimit.

Imazhi mund të përmbajë: 1 person

Pandemia dhe muzika

Viti 2020 pa dyshim se ishte shumë i vështirë për të gjithë, shkaku i pandemisë që paralizoj po thuajse të gjitha fushat e jetës. Njëjtë ishte edhe për Annellën, ajo e cilëson një vitë të vështirë në aspektin muzikor, një mbyllje totale e koncerteve dhe muzikës në tërësi.

Viti 2020 ka qenë shumë i vështirë. Të gjitha koncertet janë anuluar dhe viti si i tillë nuk ka qenë produktiv, sidomos në muzikë. Nuk kam mundur të udhëtoj në Amerikë shkaku i virusit, kjo më ka stopuar, sepse aty e kam bazën e këngëve dhe melodisë që i punoi bashkë me producentë”, shprehet ajo.

Megjithatë, duke qenë se Annella është tekstë-shkruese dhe të gjitha këngët i punon vet, ky vit ka një medalje pozitive për të. Ngaqë kishte shumë kohë të lirë, ajo vendosi që të shkruaj tekste muzikore për të bërë “bum” në vitin 2021 me këngët e saj.

“Gjatë këtij viti edhe pse ishte i vështirë, ne artistët gjejmë një mënyrë që të bëjmë diçka. Gjatë kohës së karantinës, kam shkru shumë tekste këngësh, kam filluar po ashtu me bashkëpunu me disa muzikantë dhe producentë këtu në Danimarkë” bënë të ditur ajo.

2021 do të startojë me këngë të re dhe projekte të reja

Annella është shumë optimiste për vitin 2021, sipas saj, ky viti do t’i sjellë shumë suksese.

Plani për vitin 2021 është lanësimi i të gjitha këngëve të reja që i kam shkruar, duke i punuar edhe me videoklipe artistike. Po ashtu, me kalimin e koronës, shpresoj t’i realizoj edhe disa koncerte në stinën e verës”, tregon ajo.

Në planet e saj, në vitin 2021 është edhe ardhja në Kosovë, ku do të bashkëpunojë edhe me artistë shqiptarë.

Për Albinfo.ch, Annella Zarina bënë të ditur për herë të parë lansimin e këngës së re e cila do të bëhet më 27 janar dhe quhet “Selfish”. Këngë kjo, e cila do të jetë më shumë pop dhe do të ketë pak a shumë tema të cilat jemi ballafaqur gjatë viti 2020.

“Jam shqiptare dhe ndihem krenare për këtë” /Albinfo.CH 

Imazhi mund të përmbajë: 1 person, duke buzëqeshur

Fatjeta Barbullushi dhe bendi Guralumi vijnë me albumin “Lule bore”

Këngëtarja e njohur shkodrane, Fatjeta Barbullushi, në një intevistë për albinfo.ch zbulon më të rejat në karrierën e saj muzikore dhe tregon se sa e  vështirë është të jesh artiste në një vend të huaj.

Ndër të tjera, ajo zbuloi projektin më të ri muzikor “Lule bore”, që e kishte realizuar në bashkëpunim me një grup të njohur të skenës muzikore në Zvicër.

Ndoshta, mision i vështirë por Barbullushi bashkë me bendin “Guralumi” ia kanë arritur me projektin më të ri të sjellin një homazh kolosëve të muzikës së mirëfilltë shqiptare, si Nexhmije Pagarusha, Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Muharrem Gurra e plot kompozitorë e artistë  të tjerë shqiptarë.

Fatjeta, e cila jeton dhe krijon në Zvicër, njihet për shumë hite, siç janë “Pashë dy sytë në ballë”, etj.

Ajo kishte emigruar në Zvicër që në vitin 1999, ndërsa sot e kësaj dite i mbetet besnike identitetit, traditës, kulturës e artit shqiptar.

“Vija shpesh edhe me organizime e aktivitete muzikore edhe më përpara. Jam pritur mirë padyshim, e publiku shqiptar më ka përkrahur, ndoshta sepse ishim të njohur me njëri-tjetrin gjithsesi me anë të prezantimeve të mia televizive dhe skenave shqiptare”, fillon rrëfimin Barbullushi.

Ajo ka të edituar deri tani 4 albume,  dhe të gjithë janë të lidhur me veprimtarinë e saj artistike në Zvicër.

Por, albumi i fundit “Lule bore” është më ndryshe.

“Po, `lule bore` përfshin edhe publikun e huaj, i cili shfaq tashmë shumë interes për muzikën të cilën e përcjellim aktualisht”, thotë këngëtarja shkodrane.

“Tematika e këngëve të mia përqendrohet gjithmonë te qëllimi i kuptimit tim për jetën e universin në përgjithësi; `Dashnia”.”

Ajo ka bashkëpunuar për tekste dhe këngë gjithmonë me emrat më të njohur  e të talentuar të muzikës shqiptare.
Barbullushi, me kërkesën e grupit “Guralumi” ka pranuar të jetë soliste e këtij jazz bandi, një grup muzikantësh, të cilët marrin frymëzimin nga muzika shqiptare.

“Dëshira dhe pëlqimi im  për muzikën jazz më kanë shtyrë të jem më e interesuar, kurioze dhe të eksploroj plotë labirinte të këtij zhanri. Kam marrë kurse dhe formacione intensive përpara dhe gjatë integrimit tim në grup”, tregon ajo arsyet për bashkimin me grupin muzikor “Guralumi” të Lozanës

Në dhjetor të vitit kaluar në bashkëpunim me shtëpinë e njohur zvicerane  muzikore në Bernë, “Unit Records” është nxjerrë albumi “Lule bore”, promovimi i të cilit po vazhdon.

“Të jesh thjesht artist, sa është bukur aq është dhe vështirë, po të jesh  artist në emigracion është shumë e vështirë. Mendoj e besoj se aty ku ka vështirësi, ka edhe  arritje të mirëfillta e me kuptim, të suksesshëm e shembullor, nëse dimë t’i qëndrojmë besnik pasionit, identitetit, traditës, kulturës e artit tonë”, thotë këngëtarja Barbullushi.

Albumi “Lule bore” i përmban dhjetë këngë tashmë të mirënjohura për publikun shqiptar.

“Në këtë album, bashkë me aranzhuesin  e kompozitorin Gjon Guralumi, i cili është dhe lideri i grupit, kemi zgjedhur tu bëjmë homazh kolosëve të muzikës së mirëfilltë shqiptare, si Pagarusha, Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Muharrem Gurra,  e plot kompozitorë e artistë  të tjerë shqiptarë”, tregon Barbullushi.

Zgjedhja e repertorit e kuruar në detaje përbën larushi këngësh të të gjithë trevave shqiptare.

Albumi  është regjistruar në një studio profesionale në Zvicër pas një pune intensive dy vjeçare të bendit dhe solistes.

Editimi është realizuar në një ndër shtëpitë muzikore të njohura zvicerane “Unit Records”, e cila iu bashkua projektit me një kontratë pesë vjeçare bashkëpunimi.

 

Dorina Garuci, ylli i ri i muzikalit në Austri

Para tri vitesh, dy studentët të muzikës nga Brück-u, Markus dhe Ronald Stinauer kishin ftuar kolegen e tyre të studimeve Dorina Garucinnë qytetin e tyre të lindjes për një koncert të vogël, shkruan noen.at. Shqiptarja e re që në paraqitjen e parë pati entuziazmuar publikun me zërin e saj të jashtëzakonshëm, transmeton albinfo.ch. Që atëherë, ajo prezantohet me shumë sukses në koncerte të ndryshme si në Bluesfest në aksione bamirësie dhe në festat e qytetit.

Ndërkohë këngëtarja 23 vjeçare ka diplomuar me sukses të shkëlqyer për këngëtare të muzikalit (mjuziklit) dhe po ngjitet me shpejtësi në shkallët e suksesit në fushën e saj.

Nga e premtja e kaluar ajo po paraqitet në rolin kryesor të femrës në Teatrin e qytetit në Baden, në muzikalin e suksesshëm “Jekyll&Hyde”.  Aty Dorina luan prostitutën e cila dashurohet në dr. Jekyllin, nga i cili vritet si mr. Hyde, përcjell albinfo.ch. Paraqitja e saj në këtë vepër muzikore skenike është shoqëruar me duartrokitje frenetike nga publiku.

Kur ajo, vitin e kaluar kishte marrë pjesë në audicion për këtë rol, po kërkohej në fakt një aktore 30 vjeçare. “Por pastaj ata deshën të më angazhonin patjetër mua”, qeshet 23 vjeçja Garuci, transmeton albinfo.ch. Kështu, ajo tash po paraqitet bindshëm jo vetëm me zërin e saj të fuqishëm por edhe me fuqinë shprehëse të aktrimit dhe vallëzimit.

Erisa Ramaj mahniti gjermanët në “Das Supertalent”

Ajris Erisa Ramaj është njëra nga kandidatet, e cila javën e kaluar mahniti publikun gjerman me performacën e saj në spektaklin “Das Supertalent”. Në prezantimin e saj para jurisë, ajo nuk përmend askund që ka të paktën prejardhje shqiptare.

Disa kandidatë mund ta shfaqin talentin e tyre të vërtetë, kur dalin në skenë. Ndërkaq, te disa të tjerë është e kundërta. Kështu i ndodhi edhe këngëtares Ajris Erisa Ramaj, e cila sapo doli para jurisë, humbi nga frika.

Edhe pse filloi kënga, 21-vjeçarja kërkon që gjithçka të niset nga fillimi. Më pas e merr veten dhe me këngën e Beyonce “If I were a boy” shpërthen emocion në sallë dhe ngrit gjithë spektatorët në këmbë.

“Ti je e mrekullueshme”, ishin fjalët e anëtarit të jurisë, Bruce Darnell, ndërsa me këtë pajtohet edhe anëtarja tjetër, modelistja Lena Gercke. “Unë i besoj secilës fjalë tuaj që ti e këndon, dhe ti për mua je e shkëlqyer”. I impresionuar me talentin e Erisës mbeti edhe Guido Maria Krtschmer: “ Ti i ke të gjitha çka i duhen një këngëtareje. Ti këndon me shpirt”. Vetëm poptani Dieter Bohlen ishte pakëz skeptik: “Këtë që e dëgjuan tre kolegët e mi, unë nuk e dëgjova”, thotë ai.

Ajris Erisa Ramaj ka thënë para jurisë se është 21-vjeçare nga Frankfurti am Main, ndërsa punon si kamariere. Ajo thotë se jeton në Frankfurt, ndërsa me prejardhje është nga Italia. Në biografinë e saj, askund nuk përmend se është shqiptare, madje të shënuar e ka se di vetëm gjuhën gjermane dhe italiane. Pas kësaj performance shumë pyetje i janë bërë në adresë të saj, duke i kërkuar të dinë se a është shqiptare? Por, Erisa nuk është përgjigjur. Pyetje të njëjtë ka pasur edhe në rrjetin social “Instagram”, ku Erisa vendos t’ i përgjigjet një fanseje të saj. “Babai im është shqiptar”. “Edhe unë jam shqiptare”, ia kthen fanses.

 

A.Gj.

Koncert fantastik i Edita Abdieski (Abdiu) në Bernë

Që nga fitorja e saj në shoun e mirënjohur «X-Factor», shqiptarja me prejardhje nga Maqedonia Edita Abdiu (26), për herë të parë është paraqitur para publikut të saj në Bernë. Në sallën në „Bierhübeli”, ajo i mahniti vendësit me zërin e saj të fuqishëm, por jehona e koncertit nuk ishte aq mbresëlënëse.

Edita Abdiu ndjehet shumë e emocionuar. Vështirë për tu besuar, por shumë e vërtetë që 26-vjeçarja kishte arritur t`i frymëzojë mijëra shikues me zërin e saj magjeps gjatë shout të njohur gjerman. Por, koncerti i së premtes, për shqiptaren ishte një dëshpërim i madh: Për herë të parë, pasi e fitoi shoun «X-Factor», ajo u paraqitë para publikut të saj në Bernë. «Jam pak e emocionuar, pasi kam ftuar familjen dhe miqtë e mi», kishte pranuar ajo para fillimit të koncertit në „Bierhübeli”, duke bërë me dije se ata do të jenë kritikët e saj më të ashpër.

Pas një ore, kur ajo me grupin e saj doli në skenë, të pranishmit nuk mundën të hetonin ndonjë lloj nervozizmi. „Bierhübeli”-i ishte i mbushur pothuajse me dy të tretat e publikut. Me zërin e saj të fuqishëm, që nga fillimi i saj ua bëri me dije të pranishmëve përse e mban nofkën „zëri”.

CD.ja e parë e saj «One» doli në muajin mars, ndërsa Edita thotë se ka bërë një zgjedhje personalisht. Në koncert u vërtetua qartë se Edita dhe grupi janë në një garmoni të plotë. Pas përfundimit të çdo kënge, ajo pranonte duartrokitje frenetike, por dëgjoheshin edhe thirrje drejt sajé «Edita», «Edita»…. Por, shihej qartë se Edita nuk mund tì përshtatej një ambienti në një sallë të vogël koncerti, po të krahasohet me shoun e madh televiziv, në të cilin ajo kishte një frymëzim të veçantë.

Në asnjë rast nuk vërehej ndonjë gabim në zërin e saj, ajo ishte e përsosur. Ndoshta shumë e përsosur? Fitohej përshtypja se zëri i Editës është shumë i fuqishëm për publikun vendës.

Ishte kjo paraqitja e dytë në Zvicër, për shqiptaren e lindur në Bernë, e cila jeton në Keln të Gjermanisë, një ditë më parë ajo ishte paraqitur para publikut të Cyrihut. Kur ajo e viziton Bernën, ajo banon me të ëmën në lagjen Bümpliz. Kështu veproi edhe në këtë fundjavë, pasi ajo ende ka nostalgji të madhe për vendlindjen. Gjashtë muaj pasi ka fituar shoun «X-Factor», gjërat në jetën e saj nuk kanë ndryshuar shumë, me përjashtim se ajo tani jeton nga kënga.

ëshë e padiskutueshme se Edita ka një zë të hatashëm, por një zë i cili nuk i përshtatet koncerteve të tilla. Ajo që më së tepërmi i la mbresa Editës gjatë koncertit, ishte: „Nuk ka më bukur se sa në publik të shikosh aq fytyra të njohura dhe të dashura». Kulminacioni i koncertit ishte një përzierje e këngëve të yllit Michael Jackson, këngët e të cilit, Ediza së paku i këndoi si vetë këngëtari tashmë i ndjerë. Gjatë këtij çereku të orës, Edita vërtetë dëshmoi se çka mund të bëjë, përpos asaj që vetëm të këndojë.

Arbanita, ylli që po troket në skenën muzikore të Zvicrës

Sërish një shqiptare nga Berna në mesin e më të mirëve në një spektakël të madh zviceran garash të këndimit. Pas Edita Abdieskit (Abdiu), Albana Azizit dhe Lira Gashit, në dyert e sukseseve në skenën muzikore po troket edhe një këngëtare me potencial të madh.

Kësaj radhe është 15 vjeçarja Arbanita Avdija, e cila me zërin e saj të mrekullueshëm dhe me interpretimin bindës ka siguruar vend në mesin e më të mirëve, që do të garojnë në gjysmëfinalen e spektaklit “Die grösste Schweizer Supertalente”. Ajo, më 25 shkurt në Kreuzlingen do të këndojë së bashku me moshatarin e saj zviceran Nico Minnig, me shpresën se do të zgjidhen në finale.

 

Familja Avdija

Por, kush është Arbanita, çfarë e dallon atë nga mijëra moshataret e saj që dëshirojnë të këndojnë? Arbanita Avdija është vajza e Nexhmedin dhe Hamide Avdiut nga Mikushnica-Komuna e Skënderajt. Ajo është lindur në Grantschen-Weinsberg të Repubilkës së Baden-Württenbergut të Gjermanisë, në vitin 1996. Katër vite më vonë, familja e saj u shpërngul në Belp, një qytezë e vogël e Kantonit të Bernës, në Zvicër. Ndodhi kështu sepse babai i saj gjeti punë në Klinikën e Ortopedisë të Fakultetit të Mjekësisë –Inselspital, në Bernë. Ai punon sot si instruktor i Kirurgjisë në Inselspital Bern dhe docent i Kirurgjisë Maxillofaciale dhe Otorinolaringologjise në Medizentrum në Wankdorf.

Nëna e Arbanitës punon në Spitalin e Münsingenit, si asistente medicinale ndërsa vëllai, Ariani 18 vjeçar, është nxënës i vitit të dytë të shkollës së mesme të mjekësisë.

Arbanita ka kryer shkollën fillore në Belp. Gjatë gjithë kohës ajo, krahas mësimit e kishte gjithherë pasion muzikën. Në shkollën e Muzikës Gürbetal për tre vjet me radhë mori mësimet për piano, te mësuesja Annemarie Schürch.

Deri më tash, Arbi, siç e quajnë shkurt, ka pasur shumë herë rastin të tregojë talentin e saj në manifestime të ndryshme. Janë shumë aktivitete të komunitetit shqiptar që organizohen këtu në Zvicër me rastin e kremtes së Vitit të Ri pastaj Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës ku ajo ka kënduar dhe ka rënë në sy me talentin e saj të veçantë.

Arbi dhe Nico

Por, Arbanita, me gjithë moshën shumë të re, tashmë ka një bagazh të pasur suksesesh edhe në gara të ndryshme për këngëtarë, në regjionin ku jeton dhe më gjerë. Kështu ajo me “Tanzgruppe Breakthrough” në garën e quajtur Kampionati i Zvicrës Veriore, të mbajtur në Aarau, ka zënë vendin e dytë; po me këtë grup është shpallur e para në Bernë. Po kështu në garën e talenteve në Kehrsatz, Arbanita në duet me Nico Minnig ka zënë vendin e parë. Në garën lokale “Belp sucht den Superstar” ajo po kështu ka dalë e para. Dhe, lista e sukseseve të Arbanitës nuk përfundon me kaq. Ajo, duke luajtur rolin kryesor në mjuziklin “The Pirates” në Belp ka fituar tashmë edhe përvojën e shfaqjeve më komplekse muzikore.

Muzika e preferuar e Arbanitës është soul, RnB dhe jazz por e kultivon edhe muzikën shqipe. Nga këngëtaret e skenës botërore adhuron Beyonce, ndërsa nga shqiptaret, Dafina Zeqirin.

Duke qenë se ajo është dëshmuar shumëfish me talentin e saj për këndim dhe ka një shkollim bazik muzikor, Arbanita mendon se muzika do jetë edhe profesioni i saj në të ardhmen.

Aktualisht, kurorëzimi i sukseseve të saj të deritashme për Arbanitën është sigurimi i pjesëmarrjes në gjysmëfinalen e garës “Die grösste Schweizer Supertalente” (Supertalentet më të mëdhenj zviceranë”. Më 25 shkurt në Kreuzlingen, Arbanita dhe Nico do të japin gjithçka nga vetja për të siguruar finalen. Por sigurisht, për të bërë këtë hap gjigant atyre u duhet edhe ndihma e jonë.

Prandaj, ajo lut të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre nga Zvicra, Gjermania, Austria, Franca dhe Italia që më 25 shkurt të telefonojnë dhe të dërgojnë sa më shumë sms-a në adresë të këngës së saj. Kështu do të ndihmojnë që një shqiptare të sigurojë finalen e Zvicrës të kësaj gare të madhe.

Ibadete Ramadani dhe “Super700” me album të ri

Grupi “Super700” nga Berlini, i udhëhequr nga shqiptarja Ibadete Ramadani ekziston prej disa vitesh. Me një muzikë të veçantë që është vështirë t`i përcaktohet zhanri, “Super700” është vlerësuar si një bend që krijon një shkrirje në mes të muzikës pop rok alternativ, vestern etj.

Ibadetja është e lindur në Kosovë, në Prishtinë, ku ka jetuar disa vite dhe më vonë me familjen është shpërngulur në Gjermani,.

Në vitin 2009 këngëtarja shqiptare-gjermane bashkë me grupin ka dhënë koncert edhe në Prishtinë, ku është pritur ngrohtësisht nga publiku. Përveç në Gjermani, “Super700” ka zhvilluar turne edhe në SHBA, ku është pritur mjaft mirë.

Këto ditë Ibadete Ramadani së bashku me tre anëtarët gjermanë të grupit ka edituar albumin e tretë, me titullin “Under The No Sky” (Nën asnjë qiell). Me këtë album “Super700” do të ndërmarrë një turne gjatë muajit maj nëpër disa qytete të Gjermanisë.

E veçanta e albumit qëndron në faktin se kësaj radhe solisten, themeluesen dhe udhëheqësen e grupit, Ibadeten, nuk e shoqërojnë më si back vocal motrat e saj Iliriana dhe Albana. Po kështu mungon edhe njëri nga kitaristët. Por, siç vlerësojnë kritikët e muzikës, për aq sa ndjehet mungesa e zërave të dy motrave, edhe më shumë gjen shprehje fuqia e zërit dhe interpretimi i vetë Ibadetes.

Një ndryshim tjetër krahasuar me dy albumet e para është mungesa e emrave të mëdhenj në mesin e producentëve. Kështu, në albumin e parë, atë të vitit 2006 producent kishte qenë Gordon Raphael, që kishte bërë të njëjtën gjë edhe për të famshmit “Strokes”. Ndërsa producent i albumit të dytë të “Super700” kishte qenë Rob Kirwan i cili kishte punuar edhe për U2 dhe për PJ Harvey.

Por të gjitha këto mungesa nuk janë reflektuar në cilësinë e albumit, thonë mediet që ndjekin këtë lloj muzike. “Albumi tingëllon natyrshëm dhe në mënyrë homogjene: një sintezë në mes të pop-it dhe rokut, me ndikime të ndryshme të tjera.

“Super700” performon më 18 maj në Berlin; 19 maj në Köln; më 20 maj në Hamburg; më 23 maj në Munih dhe më 24 maj në Shtutgard.

“Baba Uslender” në fokus të medieve zvicerane

„Baba Uslender“ është emri artistik i Granit Dervishajt. Ai është fenomeni i parë i madh zviceran i paraqitur në Youtube, shkruajnë gazetat zvicerane “Tages Anzeiger” dhe “Bund”. Me mënyrën e tij (vet)ironizuese, shqiptari Dervishaj të lë përshtypje jo shumë miqësore edhe në takimin e parë, në jetën reale. “A dëshiron një turinjve?” “Ne jemi dele të zeza dhe ne sillemi vërdallë” bën rap ai në slengun tipik të brezit të sekondove. Dhe, vargjet e tij nuk rimojnë. Sepse, fundja, e gjithë mrekullia e jetës së të huajit në Zvicër është e tillë që nuk mund të përthekohet brenda rimave.

Baba Uslender është fenomeni i parë i vërtetë zviceran në Youtube. Ende pa edituar asnjë album ose pa mbajtur ndonjë koncert të madh, klipet e tij si “Bitte Spitte” ose “Baustelle Song” kanë pasur nga gjysmë milionë klikime. Këngët me ritme të forta, me rima josimetrike dhe me gjeste vetironike agresive i kanë sjellë atij një grup fansash të entuziazmuar. “

Studioja e tij “Uslender Productions” ia ka dalë që të bëjë video me pretendime profesionale përkundër standardit të ulët të prodhimit. Në dhjetor të vitit të kaluar Baba Uslender pati fituar çmimin “Kick Ass Award” për këngën më të mirë në Lucern nga Radio 3fach. Me atë rast, është emetuar albumi i tij i parë iTunes dhe është ngjitur në vendin e 17 të toplistave.

Një sukses që kishte ardhur nga asgjëja.

21 vjeçari me flokë “të lëpira” dhe me një mjekër cjapi, nuk dihet kur është “Baba Uslender” e kur Granit Devishaj. Ai vjen nga Hochdorfi i Lucernit, shqiptar i brezit të dytë. I ati, një bujk, kishte ardhur para 30 viteve në Zvicër dhe kishte punuar si zdrukthtar. Graniti është i treti nga katër fëmijët e tij. Ai thotë se ka pasur një fëmijëri normale, ka qenë nxënës i mirë, që e ka folur gjermanishten njësoj mirë sikur moshatarët e tij zviceranë. Deri në klasën e katërt. Kur, papritur kishte dëgjuar t`i thonë “Du Huerenalbaner” (Ti, shqiptar i kurvës, sharje rrugësh në schweizerdeutsch). Ai nuk e kishte kuptuar se kjo ishte një sharje e re dhe ia kishte krthyer: “Huerenalbaner je vetë”. Nuk shkoi larg deri sa Graniti e kuptoi se atij po i caktohej një rol, të cilin ai tashmë e vesh me një humor të thatë, me shije. Mbase, atij, që në Kosovë do ta quanin “Huere Schwyzer” nuk i kishte mbetur gjë tjetër pos që të luante rolin e njeriut “jashtë ligjit”. Ky rol do t`i vinte si i porositur kur, si 11 vjeçar po i shkruante tekstet e para të rapit dhe dëgjonte hip-hopin e ashpër të raperëve gjermanë Bushido dhe Sido. “Unë nuk dëshiroja të bëja rap të tillë të vrazhdë. Më mirë me ironi”. Një ironi që ushqehet nga realiteti i vërtetë social dhe serioziteti i të cilit nuk mund të kapet gjithmonë. Dhe kjo është përparësia e “Baba Uslenderit”. Graniti më me dëshirë sillet në klubet shqiptare, sepse në klubet normale të natës, si shqiptar që është, mundet të hyjë vetëm kur është me fat. Dhe të shumtën gjen belanë. E vërtetë, ai tashmë edhe është paditur për kërcënim. Po ashtu e vërtetë, telashet nuk janë të huaja për të. “Me gjithë faktin se të gjitha i kam menduar me humor…”. Shokët e mi nganjëherë më thonë se kështu po u bëj keq shqiptarëve. Por unë ua kthej se ata duhet të dëgjojnë më mirë. Unë jam duke bërë pikërisht të kundërtën”. “Baba” mund të luante fare mirë edhe rolin e “shqiptarit të mirë”. Por nga ana artistike ai i duket shumë jo interesant. Dhe ai ka edhe shumë ambicie para vetes. I madh sa Bligg (raper i njohur zviceran) do të bëhet sigurisht, dikur, mendon ai. Albumi i tij është në përpunim e sipër dhe Graniti është i gatshëm që për ëndrrën e tij të japë çdo gjë.

Lexoni po ashtu shkrimet tona:

Elhaida Dani, fituese në “The Voice of Italy” (Video)

Këngëtarja shkodrane Elhaida Dani është fituese e garës „The Voice of Italy“. Me falë zërin e saj të bukur dhe interpretimin bindës ka bërë për vete publikun dhe jurinë. Në mbrëmjen finale Elhaida ka interpretuar hitin „Margherita“ së bashku me mentorin e saj, këngëtarin e njohur Riccardo Cocciante.

Votimi përmes sms-ëve ka nxjerrë fituese shqiptaren 20 vjeçe. Mbrëmja finale e spektaklit “The Voice of Italy”, është transmetuar sonte në televizionin italian “Rai 2″.

Për publikun shqiptar Elhaida Dani është e njohur si pjesëmarrëse në Festivalin e Këngës. Ajo ka qenë fituese e “Top Fest 2012” në Top Channel, me këngën “S’je më”.

https://www.youtube.com/watch?v=a-mj8uQjmGA

 

31.05.2013

Patrik Nuo gjurmëve të Travoltës

Patrik Nuo, këngëtari i njohur zviceran me prejardhje shqiptare, pas një pauze të heshtjes, sërish “ndjehet i gjallë”. Ai ka provuar skenën e pop muzikës gjermane, xhunglën dhe pjesëmarrjen në jurinë e spektaklit të madh gjerman për zbulimin e talenteve të muzikës.

Por, ajo që Patriku nuk e kishte provuar deri më tash, ishte mjuzikli. Pikërisht roli në mjuziklin e njohur “Grease” (Ethet) do ta bëjë sërish këngëtarin me prejardhje nga Gjakova protagonist në arenën e muzikës së popullarizuar.

Duke provuar veten në këtë zhanër muzikor-skenik Nuo shkon gjurmëve të yllit hollivudian John Travolta, shkruan t-online.de. Ky i fundit e kishte popullarizuar mjuziklin dhe filmin muzikor “Grease” në vitet shtatëdhjetë duke e bërë simbol muzikor të një gjenerate. Subjekti i mjuziklit është marrë nga jeta e të rinjve të viteve pesëdhjetë.

Për të realizuar këtë projekt të madh muzikor, Patrick Nuo do të kthehet në Zvicër nga SHBA ku jeton aktualisht. Regjinë e veprës “Grease” do ta bëjë Danny Zuko.

Mbetet të shpresohet se Nuo me këtë rol përfundimisht do t i kthehet vokacionit të tij të parë, muzikës. Duke i dhënë fund një periudhe kur ai më shumë përflitej për çështje nga jeta e tij private në shtypin e thashethemeve se sa për muzikën.

“Muzikës shqiptare do t`i mungojë mbretëresha e saj”

Në kujtim të së madhes  Vaçe Zela, të dielën në  Bazel  u mbajtën homazhe me rastin e ndarjes së saj nga jeta. Pas kthimit nga Shqipëria në Zvicër, shumë adhurues të këngës dhe personalitetit  të Vaçe Zelës dëshironin që ta vizitonin familjen e saj për ngushëllime e ta nderonin artisten e madhe duke ndarë dhimbjen me ta.

Për këtë arsye bashkëshorti  i saj Pjetër Rodiqi dhe e bija, Irma, vendosën që të caktojnë një ditë kur secili do të kishte mundësi në t`i bënte homazh artistes së madhe.

Meqë Vaçe Zela njëzet vitet e fundit të jetës së saj i kaloi në Bazel, prania e saj kishte lënë gjurmë të pashlyeshme te shqiptarët me banim në Bazel dhe më gjerë. Ajo me zemërgjerësinë e madhështinë e saj si dhe familja e saj e respektuar, krijuan rreth të gjerë shoqërie në qytetin e Bazelit.

Skender Nikoliqi dhe Nazmi Jakurti me familje, ishin ndër ata që kishin nderin të ishin miq të familjes së Vaçe Zelës për më shumë se pesëmbëdhjetë vite dhe me ndihmën e tyre u organizua edhe ky takim.

Homazhi, që është mbajtur në kuadrin e veprimtarive të Këshillimores Shqiptare të Bazelit, ABSM, ishte organizuar me përkushtim të veçantë dhe enkas për këtë rast ishte përgatitur një program artistik.  Tërë kohën në sfond dëgjoheshin tingujt e këngëve të Vaçe Zelës, këngë të komponuara nga kompozitorë të mëdhenj shqiptarë si Çesk Zadeja, Tish Daia, Kujtim Laro etj. Në hyrje të sallës ishte vendosur një libër i kujtimeve , ku secili kishte mundësinë t`i shkruante mbresat  dhe kujtimet veta  për artisten e madhe.

Homazhi u hap nga bashkëshorti i Vaçe Zelës i cili i i falënderoi të pranishmit dhe  të gjithëve u shfaqi mirënjohjen e tij për ndarjen e dhimbjes me familjen.

Me këtë rast ishte përgatitur edhe një recital. U recituan poezi  të rapsodit Agim Gashi nga Lipjani e me banim në Gjermani, i cili i kishte kushtuar poezi Vaçe Zelës, pastaj  poezi  të Gjevahir Cirongut etj.

Në vazhdim të pranishmit kishin rast të përcillnin një film dokumentar të realizuar në Shqipëri me rastin e vdekjes së Vaçe Zelës dhe ceremonisë së varrimit të saj, me titull: „Homazh për Artisten e Popullit, Vaçe Zela“.

„Muzikës shqiptare do t`i mungojë mbretëresha e saj“. Agim Doçi . Me këtë thënie të Agim Doçit, të pranishmëve iu dha rasti që të thoshin disa fjalë për Vaçe Zelën. Ishin të shumtë ata të cilët me fjalë të zgjedhura folën për përshtypjet e tyre për artisten e madhe të këngës shqipe. Shfrytëzuan këtë rast të gjithë, si folësit nga Shqipëria ashtu dhe ata nga Kosova që të thonë se Vaçe Zela vetëm përkohësisht shkoi nga kjo botë sepse vepra, emri i saj dhe kënga e saj nuk do vdesin kurrë. Ajo u vlerësua si personalitet e cila me këngën e saj theu kufijtë e diktaturës së egër komuniste në Shqipëri, ua lehtësoi të gjithëve dhimbjen e i bashkoi të gjithë shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare dhe më gjerë kudo në botë.

Fjalën e morë edhe Ambasadori i Shqipërisë  Ilir Gjoni, ai i Kosovës, Naim Malaj, meshtari don Marian Marku, mjeku i Vaçe Zelës, Sefedin Haxholli etj.

Në fund, të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi edhe vajza e Vaçe Zelës, Irma.

 

 

Anita Latifi në Top 15 të DSDS

Anita Latifi është konsideruar si njëra ndër favoritet në garën e njohur muzikore “Deutschland sucht den Superstar” (DSDS). Por pastaj, një shpërthim nervoze nga ana e saj bëri që shqiptarja simpatike dhe temperamente të diskualifikohej nga gara e mëtejme.

Megjithatë, Anitës i është dhënë edhe një shans: ajo do të paraqitet sërish në spektakël dhe mund të zgjidhet nga publiku për të vazhduar garën më tutje.

Anita Latifi është e lindur në Wuppertal të Gjermanisë më 16 janar 1996 dhe posa ka mbushur 18 vjet. Jeton në shtëpi me prindërit (Mustafë dhe Misrete) dhe bashkë me tre vëllezër e motra. Ajo është duke e ndjekur klasën e njëmbëdhjetë të kolegjit profesional por ëndrra e saj është karriera në muzikë.

Si këngëtare, Anita e adhuron Rihanna-n, të cilën e ke imituar duke bërë edhe tatuazhin e njëjtë me të.

Ndërkaq në një tatuazh tjetër ajo e ka vënë shkronjën e parë të emrit të babait të saj (M). Prej tij thotë se e trashëgon talentin muzikor, pasi që Mustaf ka qenë pjesë një bendi muzikor në Kosovë.

Ajo shpreson të vazhdojë tutje me DSDS ku tash bën pjesë në Top 15.

Ardian Bujupi: Muzika, hobi dhe profesioni im

U bë i njohur gjatë spektaklit muzikor “DSDS” në Gjermani. Edhe pse zuri vendin e tretë, ai llogaritet si njëri nga këngëtaret e rinj më të pëlqyer në Gjermani dhe në trojet shqiptare. Ardian Bujupi ende ruan kujtime të mira për këtë spektakël, ndonëse thotë se për shkak të angazhimeve muzikore nuk arrin të i përcjell edicionet e reja. Kënga më e re e tij është “All Night” në bashkëpunim me Lindarin. Veten e quan tip problematik. Me femra tregon se i ka punët mirë, por ende s’po gjen nuse.

 

Për “albinfo” këngëtari 23 vjeçar tregoi se si ka rënë në dashuri me shoqen e klases. Ndërkohë, projektet e tij të afërta janë një këngë në bashkëpunim me Genta Ismajlin dhe Dalool, si dhe një tjetër bashkëpunim me këngëtaren amerikane Lumidee. Për këto dhe shumë të tjera, këngëtari Ardian Bujupi flet për “albinfo”.

 

U bëre i njohur në spektaklin muzikor “DSDS”. Çfarë kujtimesh ruan nga ai spektakël?

 

Shumë kujtime të mira. Kam mësuar shumë nga ai spektakël, nga juria e tij, më ka bërë të njohur në shumë shtete të Evropës, në të gjitha trojet shqiptare, kam fituar shumë fansa dhe më ka ndihmuar për t’u plasuar sa më mirë në tregun muzikor. Spektakli “DSDS” mendoj se do të mbetet gjithmonë në zemrën time!

 

Meqë edhe tash kur po bisedojmë, ky spektakël është duke u zhvilluar në Gjermani. A e përcjell rregullisht?

 

Fatkeqësisht shumë rrallë. Unë thuajse çdo të shtunë jam i zënë me koncerte nëpër Evropë dhe nuk po kam mundësinë të fokusohem para televizorit. I shikoj ditën e nesërme pjesët më interesante të spektaklit.

 

Edhe në këtë edicion po merr pjesë një shqiptare, që quhet Anita Latifi. Cilat janë përshtypjet tuaja për të?

 

Anita është bërë e famshme për shkak të karakterit të saj. Unë i uroj shumë fat, por ajo duhet të mos harrojë se ka femra shqiptare që ndoshta identifikohen me të, dhe kjo mendoj se nuk është një pasqyrë e mirë për ne si shqiptarë.

 

Sikur mos të kishe marrë pjesë në këtë spektakël, ku mendon se do të ishe?

 

Unë kurrë nuk e di ku do të isha sot, edhe nuk e di a do të isha më i lumtur apo jo! Lumturi, dashuri dhe fat nuk vijnë vetëm nga fama dhe paraja. Ndoshta do ta gjeja rrugën edhe pa këtë spektakël.

 

Me sa kam lexuar je i vetmi prej gjithë kandidatëve të atij edicioni që po vazhdon me sukses karrierën muzikore. A ishte e vështire karriera jote si solo këngëtar?

 

Kur një punë e do, atëherë të gjitha vështirësitë të duken të vogla. Ky është profesioni im më i mirë për mua. Unë muzikën e kam punë dhe hobi, prandaj jam i kënaqur me arritjet e mia.

 

Tek publiku shqiptar sigurisht se të konsiderojnë si një yll, por si po pritesh në tregun evropian?

 

Kam fansa kudo në botë që përcjellin karrierën time. Unë ua jap mundësinë me më përcjell çdo hap timin. Tekstet e këngëve të mia i kupton si ai në Amerikë, Kosovë, Gjermani apo kudo që gjendet. Unë i falenderoj të gjithë për përkrahjen që ma japin.

 

Të flasim pak për aktivitet tua muzikore. Së fundmi ke publikuar bashkë me Lindarin këngën më të re “All night”. Sa ka arritur të depërtojë në tregun gjerman kjo këngë?

 

Kënga “All Night” është si eksperiment kështu që qëllimisht e kam postuar në youtube, kurse natyrisht do e lansoj edhe në shitje por edhe në VIVA. Në Kosovë kënga transmetohet në të gjitha mediet, ndërsa në Gjermani lëshohet nëpër clube dhe në vetura. Kaq ka qenë edhe qëllimi i popullaritetit të kësaj kënge.

 

Në këtë këngë marrin pjesë edhe dy këngëtaret Ronela Hajati dhe Samanta Karavello. U mendua se do të vini në një bashkëpunim trio, por ato ishin vetëm si modele. Pse jo edhe këngë?

 

Kënga ishte e përfunduar më herët. Kur ne ishim duke xhiruar klipin, Ronela dhe Samanta ishin në Prishtinë. Unë i kam të dyja shoqe të ngushta. I ftova të vijnë në klip, dhe ato pranuan. Pra, ishte krejt spontanisht dhe i falenderoj shumë.

 

Shpesh herë kemi dëgjuar që të kanë quajtur si tip “problematik”. Në fakt, çfarë tipi je?

 

Shumë problematik!

 

Dimë që je i pasionuar pas shpejtësisë. A ke hasur shpesh në problem me policinë për shkak të shpejtësisë?

 

Hmm, pak…

 

Mes tjerash në medie gjermano – folëse është shkruar shumë edhe për një përleshje që ke pasur në një klub nate. Cila është e vërteta?

 

Nuk mund të flas për këtë çështje.

 

Po me femrat si i ke raportet?

 

(qesh). Mirë, por ende s’po gjej nuse.

 

Në Kosovë thuhet se ke pasur lidhje me femra të shumta, madje edhe të njohura. Na trego ndonjë prej tyre?

 

Nuk jap unë emra, ju mediet jeni për këtë punë.

 

Çfarë duhet të këtë një femër që të jesh ti më të?

 

Preferoj femra të drejta dhe të sinqerta. Për lidhje serioze kisha pas dëshirë me qenë shqiptare.

A mund të të quajmë si tip aventurier?

Ndoshta!!!

 

Sa ka qenë lidhja më e gjatë që ke pasur dhe kur ka ndodh ajo?

 

Kam qenë 16 vjeçar dhe u dashurova me një vajzë të klasës. Kemi qenë së bashku dy vite.

 

Jeton prej muzikës apo punon edhe diçka tjetër?

 

Unë jam i interesuar edhe për profesionin e financave. Kam shumë shoqëri që punojnë nëpër banka të ndryshme, dhe po interesohem më mësuar në këtë lami.

 

Hobi yt cili është?

 

Muzika më është bërë profesion dhe hobi. Sapo i them vetës se do të shkoj çdo ditë në fitness, në fakt veç shtrihem para televizorit dhe ha fara.

 

Të kthehemi edhe një herë të muzika. Cilat janë planet tuaja të afërta?

 

Shumë shpejtë do të dalin bashkëpunimet e mia me artistë të njohur ndërkombëtarë dhe shqiptarë. Një këngë e kam me këngëtaren amerikane Lumidee dhe një tjetër me Genta Ismajlin dhe Daloolin, të tre së bashku.

 

 

Edhe këtë vit duket se verën e keni të rezervuar në trojet shqiptare. Ku do të jeni?

 

Kudo ku ka shqiptarë. Në  Kosovë, Ulqin dhe Shqipëri.

Ardian Bujupi

Arben Gjinaj

 

Faton Lahaj, këngëtari që u bë i famshëm nga rruga në Gjermani

Kur njerëzit e shumtë që vizitojnë qytetin e bukur buzë lumit Rhein marrin daljen kryesore të stacionit hekurudhor, i pret ndërtesa madhështore e Kölner Dom. Derisa turistë të shumtë me kamera në duar lëvizin në drejtime të ndryshme të gjejnë pozitën më të mirë për të fotografuar këtë Katedrale madhështore, disa të tjerë kanë harruar për një kohë simbolin e këtij qyteti dhe janë mbledhur rreth një djaloshi. Ai, me kitarë dhe me një zë të mprehtë, duket se i ka rrëmbyer ata njerëz në rrugëtimin e tij muzikor, me ritmet e një roku melankolik.

Te publiku vërehej një kurreshtje se kush këndon në origjinal këngët që i këndon djaloshi, i cili e quan veten „Dunkles Licht“ (Drita e errët), por edhe se kush fshihet pas këtij emri artistik, derisa dëgjojnë vargjet e tij:

“Öffne dein Geist bist du siehst was Du sein kannst… aufwachen du bist so nah, aufwachen du bist so nah an deinem Ziel“.

(Hape shpirtin të shohësh se kush mund të jesh…zgjohu, ti je aq afër, zgjohu, ti je aq afër qëllimit tënd).

Autori i kësaj muzike dhe këtyre vargjeve është vetë djaloshi, i cili fshihet pas këtij emri artistik. Quhet Faton Lahaj, është lindur në Prishtinë, ku edhe ka nisur rrugëtimi i tij muzikor. „Ushtronim me shokë në bodrume të errëta, të lagshta e të ftohta të ndërtesave dikund në Prishtinën e viteve të 90-ta“, fillon rrëfimin e tij Fatoni që është ndër themeluesit e grupit muzikor „Purgatori“.

“Ishte një kohë e zymtë, e pasigurt, e pashpresë. Përgjigjja jonë për këtë ishte muzika. Gjithçka sillej rreth saj. Muzika ishte mënyra jonë e luftës për mbijetesë“, vazhdon ai duke u ndalur te një ngjarje e rëndësishme për të, koncertin e tij të parë. “Kënduam për herë të parë para publikut, në „Teatrin Dodona“ në vitin 1995. Ishte ky një moment i paharruar për ne“.

Rrugëtimin e tij muzikor e vazhdoi në Gjermani. Të fitosh bukën e gojës me muzikë në Gjermaninë e viteve të fundit të shekullit të 21-të ishte vështirë. Fatoni kryente punë të ndryshme, por çdo mbrëmje pas pune i kthehej kitarës. Kjo ishte „puna“ të cilën e kryente me dashurinë më të madhe. Edhe në mërgim muzika ishte ajo që i jepte fuqinë të mbijetojë çdo situatë të vështirë.

Ai filloi të këndojë rrugëve të Kölnit, ndërkohë që grumbulli i njerëzve që mblidhej të dëgjonte muzikën e tij bëhej gjithnjë e më i madh. Natyrisht se ndër ta kishte kalimtarë të rastit, por Fatoni ndërkohë kishte dëgjuesit e tij të rregullt që e përcillnin në çdo kënd të Kölnit.

Filluan pastaj angazhimet në manifestime të ndryshme. Me aftësinë e tij të performojë, Fatoni ndriçonte skenat e klubeve të natës. Në një klub nate kërkohet ana e tij si këngëtar rocku, por ai shpesh performon edhe në festa private, ku rocku i tij është melankolik. Por, gjithmonë pa humbur origjinalitetin e tij.

„Muzika më inspiron, për shkak se kur këndoj e luaj kitarë, jam unë vetë. Nuk mundohem ta kopjoj askënd, jam origjinal unë“.

Në ndërkohë është vështirë të takosh Fatonin duke kënduar në ndonjë rrugë të Kölnit. Numri i performancave është rritur aq shumë,  sa ai e ka vështirë të merret me organizimin e tyre. Prandaj Fatoni është në kërkim të një menagjeri, me të cilin do të bënte edhe hapin e ardhshëm në profesionalizimin e aktivitetit të tij. Edhe pse Kölni është qytet i mediave, një hap i tillë nuk është aspak i lehtë.

Ndoshta hap i parë në këtë drejtim ishte ftesa e Lion Club Meinerzhagen-Kierspe në koncertin e tyre vjetor. Aty, në përcjellje të Orkestrave Kamertale të Meinerzhagen dhe Wipperfürth, në udhëheqjen e Mirko Kohlmann, Fatoni pati një performancë të shkëlqyeshme.

“Duhet kohë të shërohen plagët që i kam bërë vetes në këtë rrugëtim. Do të verbohem nga brengat, m’i hap sytë, të lutem. Sa shumë do të doja të të shoh“, jehonte zëri i Fatonit në sallën e mbushur plot. Duartrokitjet ishin të gjata. Ftesa që të performojë në koncertin e ardhshëm iu bë menjëherë në të njëjtën mbrëmje. Në nëntor të këtij viti Fatoni do të dalë prapë në këtë skenë.

Me shpresë për paraqitje të tilla sa më të shumta, Fatoni vazhdon në mënyrë autodidakte punën e tij me muzikë, duke gjetur nganjëherë edhe kohë të ulet buzë lumit Rhein. Aty takon disa shokë shqiptarë, me të cilët këndojnë këngë të rock skenës kosovare të viteve të ‘90-ta.

Gjithmonë i vendosur të arrijë qëllimin e tij, të cilit iu ka afruar aq shumë.

Faton Lahaj 3

 

www.fatonlahaj.de

Ardian Bujupi sjell “Boom Rakatak” në bashkëpunim me këngëtarët amerikanë

Pas sukseseve në koncertet që kishte gjatë sezonit veror në trojet shqiptare, Ardian Bujupi është rikthyer sërish për të vazhduar karrierën artistike në Gjermani.

Këngëtari që u bë i njohur nga spektakli “DSDS” pritet që këto ditë të lansojë këngën më të re “Boom Rakatak”, në bashkëpunim me Big Ali, Lumidee dhe Dj. Mase.

Kënga dhe videoklipi do të lansohen më 29 gusht. Ai ka folur edhe se si është arritur bashkëpunimi me këngëtarët ndërkombëtarë.

“Big Ali ishte për kohë të gjatë objektiv yni. Kështu që ai na ftoi në Paris. Kur u takuam atje, fillimisht nuk kemi folur asgjë rreth këngës, por vetëm kemi qëndruar për qejf në një party. Kur ne kemi shkuar në studio dhe ia kemi treguar këngën, atij i ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Ai menjëherë ka hyrë në studio dhe e ka incizuar pjesën e tij. Përveç kësaj, ne kishim kontakt me menagjerin e Lumidee në Nju-Jork dhe ia kemi dërguar  këngën edhe atij, të cilit i ka pëlqyer po ashtu shumë. Më pastaj ne kemi shkuar menjëherë për Nju-Jork, ku edhe kemi bërë incizimin e videoklipit”, ka thënë Ardian Bujupi për  Albinfo.ch.

Këngëtari shqiptar foli edhe për xhirimet e klipit që janë bërë në Nju-Jork. “Ishte hera e parë për mua që shkova në Nju-Jork, dhe jam fascinuar. Fillimisht kisha stres se ku dhe si do të bëjmë xhirimet, por gjithçka ka përfunduar më sukses”, ka thënë ai duke treguar se klipi përveç se është shumë i bukur, do të lansohet në Francë, në vendet ballkanike, në Austri, Zvicër, Gjermani dhe po ashtu pritet të dalë edhe në Amerikë.

Bujupi, i cili tashmë ka kontraktë me kompaninë gjigante “Universal Music”, pret që gjatë muajt tetor të lansojë edhe albumin e tij më të ri. “Kënga ime e re do të jetë pjesë e albumit të ri.

Siç është marrë vesh me kompaninë “Universal Music”, albumi i ri do të dalë në muajin tetor. Në këtë album do të ketë këngë të ndryshme dhe në gjuhë të ndryshme.

Do të këtë në gjuhën angleze, gjermane dhe shqipe. Ardiani thotë se fansat e tij tashmë janë në të gjitha vendet e botës dhe për këtë dëshiroj të bëj këngë për të gjithë”, ka thënë ai.

Ardian Bujupi me kengetaret amerikan
A.GJ

Saranda Hasani, në mesin e 8 zërave më të bukur në Suedi

Saranda Hasani është emri më i ri që është duke “shpërthyer” më zërin e saj në Suedi. Ajo ka arritur që në mesin e 13700  kandidatëve të hyjë në 8 zërat më të mirë në spektaklin “Idol” në Suedi.

18 vjeçarja nga Vitia tashmë e ka prekur finalen dhe është duke ecur drejt suksesit për të fituar këtë garë të madhe dhe shumë të shikuar nga audienca suedeze. “…sapo me njoftuan nga juria profesionale se nga 13700 pjesëmarrës, Saranda ka arritur të rreshtohet në mesin e 8 zërave më të mirë femrorë në Suedi”, ka thënë babai i Sarandës, këngëtari, Sherif Hasani.  Për “albinfo.ch”, ai gjithashtu ka falenderuar gjithë popullin shqiptar e në veçanti ata që jetojnë në shtetet skandinave për mbështetje të pakursyer ndaj yllit të së ardhmës në Suedi.

Saranda e cila ditëve të fundit ka pushtuar mediat suedeze, me muzikë merret prej vitesh. Më parë ajo bashkë më të atin e saj ka kënduar këngën “Do të kthehem përgjithmonë”, ndërsa kënga e saj më e pëlqyer në gjuhën shqipe është “Me jep dashuri”.

A.Gj.

Rita Ora në jurinë e „The Voice UK“

Pas dorëheqjes së Kylie Minogue nga juria, ku ka qëndruar në edicionin e vitit 2014 të ‘The Voice’, BBC menjëherë ka gjetur zëvendësuesen.

Ajo është Rita Ora, një nga femrat më të paguara në gjithë botën nga muzika pop.

Rita kishte refuzuar një ftesë një milion dollarëshe nga Simon Cowell për të qenë pjesë e jurisë në ‘X Factor’.

„Jam shumë e kënaqur të jem pjesë e The Voice dhe që ekipi im të fitojë këtë edicion. Le të kënaqemi Will, Tom dhe Ricky. Me të vërtetë, menzi po pres të rrotullohem në karrigen time të madhe të kuqe“, ka shkruar në një postim Rita në rrjetet sociale.

Audicionet e fshehta fillojnë muajin tjetër, ndërsa sezoni i ri i ‘The Voice UK’ do të fillojë të shfaqet në janar të vitit 2015.

Eda Zari, “një sensacion në vete”

Në kuadrin e një “Nate kontrastesh” të mbajtur në Lorrach, këngëtarja e xhazit nga Shqipëria me qëndrim në Gjermani, Eda Zari ka magjepsur dëgjuesit e saj me iso-polifoninë e sjellë nga atdheu i saj. Zari në Shqipëri ka studiuar këndimin dhe ka njohur me themel iso-polifoninë, muzikën e vënën nën mbrojtje të Unesko-s. Një muzikë që shënon koncertin e saj me harmoni të pazakonshme dhe që ngjall mallin për vendlindjen, shkruan gazeta “Die oberbadische”.

Në koncert pati edhe një përpjekje të Eda Zarit për të vendosur një urë në mes të saj dhe publikut, duke joshur të pranishmit për t`i bërë ison këngëve të saj.

Kush nuk ka qenë aty, ka humbur diçka: Qoftë edhe vetë këngëtarja është një sensacion në vete. Zëri i saj është jashtëzakonisht shumështresor: Nga tingulli i ngrohtë, i errët, intim nëpër psherëtimat ëndërrimtare ai përfundon te pjesët ekspresive solo që ngjajnë me muzikën flamenco.

Dhe jo vetëm kjo: Eda Zari, duke bërë nga një hyrje me fjalët e saj për secilën këngë, i merr të gjithë dëgjuesit me vete në një udhëtim fascinues.

Aftësia e Zarit për ndryshime është enorme, ashtu sikurse edhe e instrumentistëve që e shoqërojnë, shkruan gazeta. Ajo di të bëjë me  po aq kolorit zëri si pijanecin qesharak ashtu edhe të rrëfejë dashurinë e brishtë apo edhe pikëllimin e një nëne të vrarë në holokaust…