Integrimi

Zgjedhësit shqiptarë njohin nga afër politikanët që do t`i votojnë

Për të prezantuar kandidatët e SP/PS të Winterthurit për Parlamentin Nacional, të dielën në këtë qytet është mbajtur një ballafaqim i politikanëve zviceranë me elektoratin shqiptar

 

Zgjedhjet parlamentare të Zvicrës nuk kanë qenë asnjëherë më parë kaq afër komunitetit shqiptar sikur këtë vit. Kandidimi i një numri të madh shqiptarozviceranëve për këto zgjedhje i ka sjellë shqiptarët me të drejtë vote më pranë se kurrë te kutitë e votimit.

Por, komuniteti ynë në Zvicër nuk ka ndonjë përvojë të gjatë pjesëmarrjeje në votime. Madje mund të thuhet se kjo gjë nuk ka qenë deri tash në listën e prioriteteve as te shqiptarët me të drejtë vote. Këtë vit ky trend duket se do të ndryshojë për të mirë.

Por, sikur çdo gjë e re, edhe “teknika” e votimit duhet mësuar. Për të mësuar se si të votojnë por para së gjithash për të prezantuar kandidatët e SP/PS të Winterthurit për Parlamentin Nacional, të dielën në këtë qytet është mbajtur një ballafaqim i politikanëve zviceranë me elektoratin shqiptar.
Iniciativën për këtë takim e ka marrë politikani i SP-së, Blerim Bunjaku i cili ka qenë edhe moderator i takimit.

Prezantimit i ka paraprirë një program artistik me disa valle dhe këngë që ansambli “Trojet” nga Winterthuri kishte përgatitur për këtë rast.
Në vazhdim, Bunjaku ka prezantuar para publikut shqiptar kandidatët e partisë së tij për Parlamentin Nacional dhe ka folur për rëndësinë që ka për shqiptarët e këtushëm pjesëmarrja në zgjedhje.

Ofertën e tyre para votuesve shqiptarë e kanë shpalosur kandidatët e Partisë Socialdemokrate nga ky qytet: Matea Meyer, Christoph Baumann, Pearl Pedergnana dhe Christa Benz- Meier. Ndërsa i pranishëm ka qenë edhe Nicolas Gallade, pjesë e ekzekutivit të Winterthurit nga po kjo parti.

Gallade ka bërë një prezantim të karakteristikave të qytetit të Winterthur-it, të njohur për të kaluarën e tij industriale dhe për të tashmen multikulturore. Bëhet fjalë për qytetin që, me rreth 108 mijë banorë sa ka, është i dyti për nga madhësia në Kantonin e Cyrihut dhe i gjashti në gjithë Zvicrën. Për shkak të përbërjes multikulturore të qytetit, ka thënë ai dhe panelistët tjerë, ka shumë rëndësi pjesëmarrja e qytetarëve me prejardhe të huaj në jetën politike të qytetit dhe në zgjedhjet nacionale që mbahen më 18 tetor.

Kandidati për parlamentin e vendit, Christoph Baumann, i cili është njëherësh edhe kryetar i SP-së së Winterthurit, ka udhëzuar të pranishmit rreth mënyrës së votimit. Ai ka sqaruar se votimi në Zvicër zakonisht bëhet përmes postës dhe dita e fundit e dërgimit të plikosë së plotësuar është e marta ose pesë ditë para të dielës kur mbahen zgjedhjet. Ata që nuk votojnë përes postës këtë mund ta bëjnë më 18 tetor por patjetër në zonën, lagjen ku jetojnë, ka theksuar ai.
Kantoni i Cyrihut në Dhomën Nacionale i jep 35 deputetë ndërsa në atë të kantoneve (në senat) dy sish. Nga Winterthuri kandidojnë pesë politikanë të SP-së, katër prej të cilëve ishin në tubim.

Kandidatët Pearl Pedergnana, Matea Meyer dhe Christa Benz-Meier kanë folur për rëndësinë që ka votimi për të gjithë, pasi që duke votuar e kemi mundësinë për të marrë pjesë në bashkëvendosje dhe në shfrytëzimin e të drejtave që ofron demokracia. Ato kanë vënë theksin në fushat e profesioneve nga të cilat vijnë vet, si arsimi dhe ekonomia.

Pas prezantimit të kandidaturave, është zhvilluar një debat në mes të publikut dhe panelistëve. Pyetjet që janë bërë nga të pranishmit kryesisht kanë pasur të bëjnë me çështje komunale dhe të jetës në qytet, ndërsa më pak me punën që do ta bëjnë kandidatët në rast se zgjidhen në Parlamentin Nacional.
Ky takim u ka ofruar mundësinë zgjedhësve nga komuniteti shqiptar që të fitojnë një pasqyrë nga afër për politikanët që nesër do t`i përfaqësojnë edhe ata, në Bernë, në rast se do t`u ofrohet besimi më 18 tetor.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI