Kosova

Zjarri në Prevallë nuk është lokalizuar, nuk paraqet rrezik për banorët

Agjencia për Menaxhimin Emergjent ka bërë të ditur se zjarri i përhapur në parkun nacional të Prevallës ende nuk është lokalizuar.

Megjithatë, shtojnë se nuk ka rrezik për jetë dhe pasuri të banorëve të zonës.

Në operacionet për fikjen e zjarrit nga toka pos zjarrfikësve dhe shpëtuesve nga Prizreni janë përfshirë edhe ata nga Gjakova, Prishtina e Ferizaj.

“Gjithashtu MPB/AME ju njofton se rrezik për jetë dhe pasuri të banorëve në Prevallë nuk ka, deri sa përpjekjet për ta mbajtur nën kontroll dhe të lokalizuar zjarrin vazhdojnë nga kapacitetet e komunës së Prizrenit me Komunat në ndihmë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, pas takimit me shtabin emergjent ka thënë se situata është nën kontroll e se rreziku është më i vogël.

“Meqenëse kemi të bëjmë me Park Nacional, nënkuptohet se edhe institucionet e nivelit kombëtar, por edhe ndërkombëtar si KFOR-i, kanë obligime dhe shtabi është në koordinim të plotë me të gjithë akterët e autorizuar që po merren me këtë çështje, derisa gjendja po monitorohet dhe nuk pritet eskalim”, thuhet në një njoftim nga kabineti i Totajt.

Sipas njoftimit sot planifikohet intervenim dhe lokalizim i zjarrit për ta pasur nën kontroll dhe për t’i minimizuar pasojat eventuale.

Zjarri në bjeshkët e Prevallës ka nisur orët e hershme të së dielës.