Shqipëria përtej bregdetit

Zvicerani që ua zbulon çiklistëve mrekullinë shqiptare

Agjencia Turistike “Ride Albania Mountain Biking” drejtohet nga zvicerani Tobi Gessler. “Ideja themelore ishte që t`i orientoja turistët e huaj që me biçikleta të përshkonin malet shqiptare – një botë unike, një udhëtim mbrapa në kohë...” thotë Gessler për albinfo.ch

Aventurë/ çiklizëm malor

Peter nga Gjermania, në vitin 2017 kishte marrë pjesë në një tur të Shqipërisë Qendrore. Kur i kishte treguar një shokut të tij për planet e tij për Shqipërinë, ai i kishte thënë: “Atje me biçikletë? Krejtësisht e pamundur”. Në raportin e tij nga udhëtimi, të bërë për “Ride Albania Mountain Biking” disa javë më vonë, Peter shkruante: “Për t`i rënë shkurt – është e mundur dhe unë kisha atje njërën ndër aventurat më të mira çiklistike të jetës time”.

Themeluesi dhe pronari, Tobi Gessler

Agjencia Turistike Ride Albania Mountain Biking drejtohet nga zvicerani nga Anglia, Tobi Gessler. Tobi jeton në Shqipëri nga viti 2013. Para kësaj, ai në Zvicër ka punuar si punëtor social, para se, në moshën tridhjetëvjeçare, të absolvonte studimet në lëmin e bashkëpunimit për zhvillim, studime këto që e çuan atë në Shqipëri.

“Në vitin 2015 vendosa ta braktis vendin tim të punës dhe të themeloj një ndërmarrje  time të mëvetësishme. Unë e lidha pasionin tim për çiklizmin me idealet e mia për një zhvillim të qëndrueshëm rural. Ideja themelore ishte që t`i orientoja turistët e huaj që me biçikleta të përshkonin malet shqiptare – një botë unike, një udhëtim mbrapa në kohë, veçanërisht për mysafirët nga vendet shumë të industrializuara dhe të zhvilluara – me çfarë në të njëjtën kohë u ofroheshin mundësi ekonomike familjeve në vend, te të cilat ne hanim, pinim dhe flinim. Puna e re që unë e kisha krijuar, ishte me interes edhe të të rinjve shqiptarë, disa nga të cilët janë punësuar si guidë (udhërrëfyes). Unë nuk jam penduar kurrë për hapin që kam bërë”.

Sqarime rreth rrugës, para nisjes

Në kërkim të aventurës

Pyetjes nëse Shqipëria ofron situata të paparashikueshme dhe misterioze për njerëzit që janë në kërkim të aventurës, Tobi i përgjigjet qartë: “Patjetër”. “Edhe këtu, ai që dëshiron aventura me shkallë të lartë të adrenalinës – pra “sporte ekstreme” – mund t`i përjetojë ato, por Tobi e sheh tjetërkund potencialin e aventurës shqiptare: “Përveç maleve nuk ka `asgjë`, as asfalt, as teleferik, as helikopter që do të vinte brenda dhjetë minutash kur gjërat shkojnë keq. Në vend të kësaj, ka vetëm natyrë të egër me jetën e saj të ashpër, të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë – dhe vendës me mikpritjen e tyre të mrekullueshme. Për mysafirët nga një botë e pasur dhe e ngopur, një përvojë pothuaj ekzistenciale”.

Edhe kjo është pjesë e aventurës

Për t`i zbuluar shtigjet e aventurës, Tobi dhe kolegët e tij duhet të punojnë shumë. Për të zhvilluar, si shembull, produktin e tyre aktual, që është një tur njëjavësh në Shqipëri, atyre ju nevojitën tri javë. Por për Tobin, zhvillimi ose eksplorimi është mbase pjesa më e bukur e punës: “kur nisem  drejt shtigjeve të reja, të panjohura, nëpër çfarëdo moti, vet i dytë ose ndonjëherë edhe fare i vetëm – atëherë e ndjej jetën në intenistetin e saj të plotë, e përjetoj aventurën time krejt personale.

Freskim në zonën kufitare

Opsionet që ofron Shqipëria për Mountainbiking (çiklizëm malor), janë të shumta. Por, falë njohjes së vendit, Tobi rekomandon në veçanti Shqipërinë qendrore dhe atë jugore, bashkë me opsionet ndërkufitare me Maqedoninë dhe Kosovën. Veç kësaj, ka edhe shumë zona të panjohura që presin për tu zbuluar nga pionierët dhe aventuristët.

Rrugica të vjetra, çikleta moderne

Ride Albania Mountain Biking, me cilësi të garantuar zvicerane

Tobi i drejtohet kryesisht tregut europerëndimor dhe me Ride Albania Mountain Biking ofron një produkt me cilësi dhe siguri zvicerane: që nga guidat e certifikuara ciklistike, përmes biçikletave me qira, të mbajtura në mënyrë të përsosur e deri te automjeti mbështetës për bagazh, riparime dhe urgjenca. Kështu, gjatë një jave çiklistike në Shqipëri, është përkujdesur për çdo gjë, duke filluar nga marrja në aeroport/port detar deri në ndarjen, në vendin e njëjtë. Kjo është një ekspertizë që nuk e ofron askush tjetër dhe mbetet një aventurë e madhe, e përhershme.

Tatëpjetë, diku në Kosovë

Tobi sapo ka përfunduar një tur me mysafirë nga Zvicra dhe Gjermania. “Java e shtegtimit” u ofron çiklistëve të avancuar një aventurë ekskluzive përmes Kosovës dhe Shqipërisë, që nga malet e Sharrit, të larta mbi 2000 metra, deri në Detin Adriatik. Dhe, për të ardhmen janë planifikuar ture të reja çiklizmi, të cilat do të përfshijnë Kosovën, Maqedoninë dhe ndoshta, pse jo, edhe Greqinë.

Jo larg nga kryeqyteti, Tirana

Ja si duket një tur çiklistik (fragmente)

Një tur çiklistik nëpër Shqipërinë qendrore kushton 1080 euro për person, në një grup të vogël prej gjashtë deri dhjetë vetash. Dita e parë, me arritjen dhe marrjen nga aeroporti/porti detar, e fillon javën me një darkë mirëseardhjeje. Ditën e dytë fillon aventura nga Tirana përmes kodrinave të gjelbra dhe liqeneve në drejtim të Krujës, qytetit të heroit kombëtar të shqiptarëve, qytet ky që ndodhet në male. Këtu fillon bota e Shqipërisë qendrore me traditat e saj të gjalla dhe mikpritjen autentike. Duhet të kalohen 20 kilometra rrugë kodrinore me shtigje të egra, natyrore, të ndërtuara para njëqind vitesh nga italianët dhe ne mbërrijmë në zonën e Matit. Një “singletrack” i shkurtër na çon në destinacionin e ditës, ku ne do të kalojmë natën në një kullë, një pirg tradicional mbrojtjeje, të vjetër 200 vjet.

Takime në kodra

Dita e pestë, në mes të javës dhe në një qytezë në kufi me Maqedoninë, është ditë pushimi. E kemi merituar. Mundeni, thjesht, vetëm të relaksoheni. Një zhytje në Drinin e Zi ose një piknik i shkurtë me biçikletë në fshatin e afërm? Kjo është tortura e zgjedhjes. Në ditën e gjashtë, në program janë 52 kilometra sportive dhe ngjitja në lartësinë prej 1400 metrash me biçikletë – që shpërblehet me pamjen e njërit nga shtigjet më të bukura të Shqipërisë.

Me një grup italian

Dita e fundit e turit çiklistik është një udhëtim relaksues, kryesisht në ngritje dhe me pamje të gjera. Një transferim na kthen në kryeqytet, Tiranë, ku ne e festojmë një javë çiklistike me një darkë në një restorant të shkëlqyer peshku.

Përfundimi: Shqipëria është një aventurë e madhe, befasi jashtëzakonisht pozitive!

 

Informata të mëtejshme për ofertat & historinë e Ride Albania Mountain Biking, nën linkun vijues: www.ride-albania.com

Punë që u siguron mundësi fitimi familjeve mikpritëse shqiptare

“Një botë unike, një udhëtim mbrapa në kohë, veçanërisht për mysafirët nga vendet shumë të industrializuara dhe të zhvilluara – me çfarë në të njëjtën kohë u ofroheshin mundësi ekonomike familjeve në vend, te të cilat ne hanim, pinim dhe flinim. Puna e re që unë e kisha krijuar, ishte me interes edhe të të rinjve shqiptarë, disa nga të cilët janë punësuar si guidë (udhërrëfyes). Unë nuk jam penduar kurrë për hapin që kam bërë”.

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI