Ekonomi

Zvicra, e para për investime në Shqipëri, ndiqet nga Holanda dhe Turqia

Nga statistikat e publikuara prej Bankës së Shqipërisë, tri vendet e para, të cilat kanë investuar më së shumti në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të 2018-ës janë Zvicra, Holanda dhe Turqia, shkruan albinfo.ch. Kur bëhet fjalë për vendin e parë, kjo lidhet kryesisht me investimin në gazsjellësin TAP, ku vetëm gjatë periudhës janar-qershor 2018 janë regjistruar 194 milionë euro investime. Nga ky shtet, ose më mirë nga gazsjellësi TAP, kanë ardhur 40% e totalit të investimeve në 6 muajt e parë të vitit.

Për shkak të Hidrocentralit të Devollit, në vend të dytë ndodhen investimet e Holandës, edhe pse kjo tashmë është shitur te një kompani norvegjeze. Në 6 muajt e parë të vitit holandezët sollën në total 101 milionë euro, ku 87% e kësaj shume ishte në tremujorin e parë, ndërsa në të dytin shënuan rënie të ndjeshme.

Vendin e tretë e zë Turqia, me 44 milionë euro, nga e 8 që ishte kjo shifër për 6-mujorin e parë 2017. Investimet më të mëdha turke janë në sektorin bankar dhe atë të telekomunikacioneve.

Më pas renditet Austria, me 35 milionë euro, kryesisht në sektorin bankar dhe atë të energjisë (hidrocentraleve). Franca është e pesta, me 29 milionë euro (rënie 29%) edhe ky i lidhur me gazsjellësin TAP, përmes kompanisë franceze Siepecapag, që po realizon projektet inxhinierike të gazsjellësit. Italia dhe Greqia, ndonëse janë dy shtete me të cilat kemi pasur historikisht lidhje tregtare, sollën përkatësisht vetëm 16 dhe 13 milionë euro kapital në gjysmën e parë të vitit.

Rritje të investimeve totale

Në total, për 6 mujorin investimet e huaja ishin 494 milionë euro, me një rritje prej 27% me bazë vjetore, por fluksi më i madh i tyre ishte në tre muajt e parë të vitit (282 milionë euro), ndërsa në të dytin ranë në 212 milionë euro. Efektin kryesor në rënien në 3 mujorin e dy të e dhanë Holanda, Zvicra dhe Franca.

Në tremujorin e dytë 2018, fluksi i investimeve të reja nga Greqia ishte negativ, prej -10 milionë eurosh, me negativi në vite. Në fakt, Greqia vijon ende që të jetë e para sipas stokut të investimeve në vite, me 1.27 miliardë euro, por ky stok ka mbetur i pandryshuar prej të paktën 3 vitesh. Bankat me kapital grek po tërhiqen nga tregu shqiptar (NBG u shit te Abi Bank dhe Tirana Bank është në negociata për t’u shitur te grupi Balfin). Telekomunikacionet, që ishin investitori tjetër i madh nga Greqia, janë në një situatë të vështirë, pasi prej dy vitesh po rezultojnë me humbje dhe kanë minimizuar investimet. Nëse vazhdon kjo tendencë, shteti helen pritet të humbë “flamurin” si investitori më i madh në vend.

E dyta për nga stoku i investimeve ka kaluar Zvicra, me 1.13 miliardë euro, në rritje të shpejtë vitet e fundit, por që është efekt i faktit që investimet e gazsjellësit TAP konsiderohen me bazë në Zvicër. Në vend të tretë është ngjitur Holanda, me 973 milionë euro, si rrjedhojë e investimeve në energji, duke ia kaluar Kanadasë, e cila deri para dy vjetësh ishte investitori i dytë më i madh në vend për shkak të origjinës së Bankers Petroleum, prodhuesit më të madh të naftës.
Italia është në vend të pestë me një stok prej 646 milionë eurosh, e ndjekur nga Turqia, me 565 milionë euro.

Interesante se Gjermania, e cila ka një shkëmbim tregtar me Shqipërinë rreth 400 milionë euro, kur bëhet fjala për investime është vetëm në vendin e 11-të me investime totale prej 129 milionë eurosh.