Futboll

Zvicra në Euro 2020: Gëzimet dhe dëshpërimet

Zvicra përfundoi aventurën e saj në Kampionatin Evropian, ku kishte momente dëshpëruese dhe të lumtura

Zvicra arriti deri në çerekfinale të Euro 2020. Suksesi më i madh deri më tani në një Evropian dhe barazim i suksesit me Botërorin e vitit 1954, shkruan albinfo.ch.

Nati e filloi dobët me një barazim me Uellsin dhe humbje 3:0 me Italinë. Ky ishte dëshpërimi më i madh. Nuk munguan kritikat dhe sulmet ndaj futbollistëve. Por, ata iu kundërpërgjigjen me fitoren 3:1 ndaj Turqisë. Kjo i siguroi kalimin në 1/8 e finales, ku përballë kishin kampionët e botës. Shumëkush e ka pritur një humbje, por futbollistët e Zvicrës bënë një mrekulli, duke barazuar 3:3, edhe pse ishin në disavantazh 3:1. Triumfi me penallti ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme. Ishte fitorja e parë me eliminim direkt.

Zvicra zhvilloi një lojë shumë të mirë edhe kundër Spanjës, duke barazuar 1:1, e me penallti kësaj radhe nuk kishin fat. Përballë favoritëve luajtën nga minuta e 77-të me një lojtar më pak.

Keystone (AP Photo/Dmitri Lovetsky, Pool)

Granit Xhaka zhvilloi një Evropian të jashtëzakonshëm. Ai u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes kundër Francës, ku udhëhoqi skuadrën si lider. Nuk luajti ndaj Spanjës, por sërish mbajti fjalim para futbollistëve që e rrethuan në mes. Një lider dhe kapiten i vërtetë.

Keystone

Xherdan Shaqiri sa herë kritikohet shkëlqen. Nuk e filloi mirë, por shënoi dy gola kundër Turqisë dhe kualifikoi Zvicrën. U zgjodh lojtari i ndeshjes. Shënoi gjithashtu edhe ndaj Spanjës dhe e përmbylli Evropianin me tre gola. Tashmë ka tetë gola në Evropiane dhe Botërore, më shumë se cdo futbollist në histori të Zvicrës. Po ashtu ka shënuar në Kupën e Botës më 2014, Euro 2016, Kupën e Botës 2018 dhe Euro 2021. Kundër Spanjës ishte kapiten. Një Evropian me rekorde për Shaqirin, shkruan tutje albinfo.ch.

Foto: UEFA.org

Haris Seferoviq shënoi tre gola, prej tyre dy ndaj Francës, ndërsa Zuber ka bërë katër asistime, më shumë se çdo lojtar tjetër në këtë Evropian. Yann Sommer ishte i mrekullueshëm ndaj Spanjës, por edhe Francës. Pas largimit të Shaqirit në minutën e 80-të ndaj Spanjës, portieri mori shiritin e kapitenit dhe zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme.

Pavarësisht eliminimit në çerekfinale, futbollistët u pritën me brohorima, që tregon se ky Evropian ishte më shumë gëzim se dëshpërim.

Keystone


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI