Kosova

Pozita nuk ka vota për projekligjet, LDK kërkon zgjedhje të reja

Gjatë ditës së sotme Kuvendi i Kosovës u bllokua pasi nuk kishte vota për projekligjet dhe opozita lëshoi sallën.

Për shkak të mospjesëmarrjes në votim të një pjese të opozitës, Kuvendi i Kosovës e ka ndërprerë seancën e sotme, ku pritej të diskutohej edhe për dialogun me Serbinë.

Pasi tentoi disa herë të votohej amendamenti i katërt i propozuar nga Lista serbe për projektligjin për ndërtime pa leje, pozita nuk arriti ta kalonte, edhe pse në sallë ishin 75 deputetë.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se edhe pse ka deputetë në sallë, ka një qëndrim të padeklaruar se një pjesë e opozitës nuk do të votojë. Veseli ndërpreu seancën dhe tha se Kryesia e Kuvendit do të mblidhet për të caktuar seancën e ardhshme.

Në fillim të seancës së sotme deputetët u pajtuan me propozimin e PSD-së që të diskutohet për dialogun me Serbinë, pas përfundimit të 15 pikave të mbetura nga seancat e kaluara.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës insiston se vendi sa më parë duhet të shkojë në zgjedhje, sepse koalicioni qeverisës e ka humbur shumicën dhe, sipas tyre, kjo është vërtetuar edhe në seancën e sotme të Kuvendit.

“Vendi nuk mund të qeveriset nga koalicioni i pakicës, i cili nuk ka legjitimitet. Grupi Parlamentar i LDK-së nuk do ta përkrahë vazhdimin e kësaj forme të qeverisjes, ku një pakicë ka uzurpuar institucionet shtetërore. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja që të mos dëmtohet demokracia”, thuhet në njoftimin e LDK-së.