Lajme

Projekti “Borea” ngjall qytetin e Pejës

Kryeministri Mustafa tha se qendra rekreative turistike “Borea” është një projekt i mrekullueshëm, një iniciativë tepër e dobishme e Komunës së Pejës

Një projekt gjigant që ka për synim ta shndërrojë Pejën në njërin nga destinacionet më të frekuentuara jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon ngjallë,  Projekti “Borea” u prezantua sot para investitorëve dhe Qeverisë së Kosovës dhe mori mbështetjen për investime. Projekti është në harmoni të plotë me strategjinë e zhvillimit ekonomik si dhe zhvillimin e turizmit të qytetit të Pejës.

Projekti “Borea”do të kapë vlerën e investimit mbi 50 milionë euro, ku pritet që operatori privat të ofrojë shërbime të skijimit, hotelerisë dhe shërbime të turizmit në katër stinët e vitit. Nën organizimin e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri sot në Pejë u mbajt një Konferencën e Investitorëve, ku mori pjesë edhe kryeministri Isa Mustafa dhe disa ministra të kabinetit të tij.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se qendra rekreative turistike “Borea” është një projekt i mrekullueshëm, një iniciativë tepër e dobishme e Komunës së Pejës.

“Është një projekt që kapërcen kufijtë e Pejës dhe të regjionit, por që bëhet projekt i gjithë vendit dhe mbarëkombëtar, një projekt i cili mund të jap impulse të mëdha të zhvillimit ekonomik të Pejës dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ky, po ashtu, është një projekt me të cilin ne do të mburremi nesër për bukuritë natyrore që posedon Peja dhe Kosova dhe për ofertën turistike që do ta kenë gjithë ata që do t’i shfrytëzojnë këto bukuri natyrore”, tha kryeministri.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa, shprehu besimin e plotë te afaristët vendorë që ata të investojnë në këtë projekt dhe që ata të jenë zotërues dhe bartës të këtij projekti.

“Ju garantoj se Qeveria e Republikës së Kosovës për çdo gjë do të mbetet përgjegjëse që të ju ndihmojë maksimalisht në mënyrë të drejtpërdrejt përmes ministrive përkatëse dhe përmes të gjitha organeve që përkrahin zhvillimin ekonomik”, tha kryeministri.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se kjo ngjarje është rezultat i vizionit dhe kontributit që nga vitet 70-ta të intelektualëve dhe elitës së këtij qyteti të cilët mendonin për zhvillimin dhe për perspektivën e tij.

Kryetari Muhaxheri bëri të ditur se tashmë janë në fazën përfundimtare ku ky projekt del në suaza ndërkombëtare dhe hyn në një garë që në partneritet publiko privat të gjenden investitorët të cilët duke parë leverdinë e investimit, do të investojnë në këtë projekt dhe ky projekt të bëhet realitet.

“Besoj se këtë herë rrethanat politike dhe shoqërore, por edhe përkrahja e kryeministrit dhe Qeverisë është evidente dhe ky projekt vitin e ardhshëm do të jetë projekt që fillon të realizohet”, tha ndër të tjera, Muhaxheri.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se ky është projekt i gjithë Kosovës.

“Nga studimi i fizibilitetit që është studiuar me shumë kujdes nga departamenti për partneritet publiko privat në Ministri të Financave dhe vlerësimi pozitiv që na është dhënë neve si komitet është se vlera për para e këtij projekti është shumë e madhe. Për t’u siguruar që projekti shkon përpara, për të pasur siguri të lartë të realizimit, projekti është vënë në faza dhe vlera e investimit që kërkohet nuk është vlerë e papërballueshme për kapacitetin e bizneseve që ka Peja…”, tha ministri Hoti.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, theksoi se është mësuar shumë edhe nga Brezovica, por se dështimi i një projekti assesi nuk duhet të dekurajoj që të mos vazhdohet me projekte të tjera.

“Është një numër i madh i kompanive të huaja të cilat po interesohen për këtë projekt gjigant. Ajo çfarë ka ndodhur me këtë kabinet qeveritar është një kthesë e madhe edhe në tërheqjen e investimeve të huaja sepse konsideroj se ju jeni dëshmitar në fakt që ne në mënyrë të dukshme kemi përmirësuar ambientin e biznesit”, tha ajo.