Shkurt.ch

Zyrtarët e lartë shtetërorë mund të mbajnë nga 2 e më tepër pasaporta

Deputeti nga Kantoni Ticino, Lorenzo Quadri kishte pretenduar se një dyshtetësi nuk është e përshtatshme sidomos për zyrtarët që ushtrojnë detyra që lidhen me botën e jashtme

Pjesëtarët e Këshillit Federal (ministrat) ashtu si dhe deputetët dhe diplomatët zviceranë edhe më tutje kanë të drejtë të kenë më shumë se një pasaportë (nënshtetësi). Deputeti Lorenzo Quadri nga “Lega Ticinezi” ka dashur të ndryshonte këtë gejndje përmes një mocioni parlamentar. Por Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës e ka hedhur poshtë me shumicë dërmuese votash këtë mocion, shkruan sda.

Problemi i dyshtetësive ishte aktualizuar gjatë muajve të fundit, në lidhje me ministrin e tashëm federal, Ignazio Cassis, i cili, veç pasaportës zvicerane, kishte edhe atë italiane. Këtë pasaportë, deri në moshën 14 vjeçare madje ai e kishte pasur të vetmen, si pasardhës i një familjeje italiane të ardhur në Zvicër, shkruan albinfo.ch.

Por, Cassis e kishte dorëzuar pasaportën dhe nënshtetësinë italiane pak para se të merrte postin e ministrit federal. Vendësi i tij, deputeti nga Kantoni Ticino, Lorenzo Quadri kishte pretenduar se një dyshtetësi nuk është e përshtatshme sidomos për zyrtarët që ushtrojnë detyra që lidhen me botën e jashtme.

Ata, sipas tij, në varësi nga rrethanat, mund të ndryshojnë qëndrim në favor të shtetit tjetër, transmeton albinfo.ch Me fjalë tjera, Quadri dyshon në lojalitetin e zyrtarëve të tillë në raport me Zvicrën.

Ndërsa kancelari federal, Walter Thurnherr në përgjigjen e dhënë para deputetëve ka thënë se “lojaliteti është çështje e qëndrimit të brendshëm dhe jo e ndonjë rregullimi juridik”.

Se Kushtetuta federale nuk e përjashton dyshtetësinë ose shumështetësinë, kishte konstatuar kohë më parë edhe Këshilli Federal. Po qe se një e tillë do të ishte bazë për ndalimin e zgjedhjes në një post, ajo, sipas Këshillit Federal do të ishte shkelje e të drejtës pasive për zgjedhje, që e garanton kushtetuta.