Kosova

10-vjetori i pavarësisë, mes shpresave dhe zhgënjimeve

Sipas politologut Ramush Tahiri, qytetarët janë zhgënjyer, sidomos me elitat politike dhe strukturat udhëheqëse, të cilat nuk kanë arritur të krijojnë një platformë të mirëfilltë për kapërcimin e gjendjes së rëndë në vend

Më 17 shkurt, Kosova përmbushë një dekadë pavarësi, ndërsa zhgënjimi i qytetarëve dhe analistëve politikë mbetet i lartë, sidomos për shkak të mos-integrimit në Bashkimin Evropian. Politologu Ramush Tahiri shpreh mendimin se përkushtimi i qytetarëve të Kosovës ndaj shtetit të tyre ka qenë dhe mbetet i madh, madje edhe me sakrifica dhe durim që shërben si shembull, me besimin e plotë te garniturat udhëheqëse të Kosovës dhe te faktorët ndërkombëtarë.

Por, sipas tij, qytetarët janë zhgënjyer, sidomos me elitat politike dhe strukturat udhëheqëse, të cilat nuk kanë arritur të krijojnë një platformë të mirëfilltë për kapërcimin e gjendjes së rëndë dhe për prosperitetin e shtetit dhe të shoqërisë së Kosovës.

“Parakushti themelor që Kosova është një shtet i lirë, është realizuar. Por, kjo nuk është e mjaftueshme që qytetarët të jenë të kënaqur me këtë shtet, sepse gjendja ekonomike është e keqe, paperspektiva e njerëzve është madhe dhe gjithashtu, njerëzit nuk mendojnë që është realizuar ideali i tyre për një shoqëri demokratike, prosperuese , ku secili i ka kushtet e mira për të jetuar, për të punuar dhe për t’u shkolluar”, tha politologu Tahiri për REL.

Sociologu Ismajl Hasani thotë se përgatitjet shpirtërore të qytetarëve të Kosovës për të kremtuar 10-vjetorin e pavarësisë së vendit, duhet shikuar në aspektin individual dhe shoqëror. Në aspektin individual sipas tij, qytetarët kanë kënaqësinë për jubileun e shpalljes së shtetit të pavarur. Por, në aspektin shoqëror, ata janë të zhgënjyer.

“Në qoftë se shikojmë kontekstin shoqëror, ka një indiferencë, do të thosha, madje që shkon deri te zhgënjimi, për sa i takon mospërmbushjes së aspiratave të qytetarëve të Kosovës në raport me gjërat e përditshme, që janë të lidhura me zhvillimin ekonomik, me prosperitetin e vendit, shkalla e lartë e korrupsionit, e nepotizmit, papunësia e madhe, problemi i mungesës së lëvizjes së lirë, e cila ka mbetur peng për fajin e lidershipit kosovar”.

Antigona Paçuku nga Prishtina, thotë se pritjet e qytetarëve 10 vjet më parë dhe realiteti i sotëm janë krejtësisht të ndryshme.

“Është shumë më zbehtë kësaj radhe, për shkak se pritjet kanë qenë shumë më të mëdha. Tash, gjithkund, në cilëndo sferë që të shikojmë, jemi më prapa se që kemi pritur. Viti i parë ka qenë vit entuziast, ndërkaq që tash është e tepërt të flasim. Cilado Qeveri që po vjen, ne presim gjithmonë diçka më mirë, mirëpo kurrfarë ndryshimesh nuk po shihen”, thotë ajo.

Mendim të ngjashëm ka edhe Florent Spahiu nga Peja. Siç thotë ai, jo vetëm që pritjet e qytetarëve nuk janë realizuar as pas 10 vjetësh, por sipas tij, situata ka degraduar edhe më shumë.

Politologu Tahiri thotë se dështimi i elitave politike ka rezultuar me humbjen e besimit të qytetarëve për një perspektivë të mirë.

“E kanë humbur besimin tek mekanizmat demokratikë të kontrollit të pushtetit, por edhe të ardhjes në pushtet. Njerëzit ndjehen të pafuqishëm, janë të mbyllur në strukturën e vetë individuale dhe familjare. Nuk kanë shpresë që Kosova do të bëhet një shtet i përparuar”, tha ai.

Sociologu Hasani shpreh mendimin se megjithatë qytetarët e Kosovës kanë dashuri dhe krenari, madje edhe të papërmbajtur për vendin. Por, në të njëjtën kohë, sipas tij, ata ndjejnë neveri ndaj nomenklaturave politike, posaçërisht ndaj atyre që kanë udhëhequr vendin pas pavarësimit.

Ndryshe, në rrumbullakësimin e 10 vjetorit të pavarësisë, Kosova mbetet ndër vendet më të varfra të Evropës, ndërkaq vazhdon të jetë vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka marrë liberalizimin e vizave. Deri më tash, Kosovën e kanë njohur 115 shtete, dhe është pranuar në dhjetëra organizata ndërkombëtare.