Kosova

49 vjet burgim për vrasje me pagesë

U premtohen 100 mijë franga për vrasjen e Ferdinant Gjinit në Zvicër, dënohen me 49 vjet burgim katër të akuzuarit, ndërsa gjykatësi Sharraxhiu bëri të ditur se të akuzuarve do t'u vazhdohet masa e paraburgimit

Gjykata Themelore në Pejë të enjten ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për vrasje me pagesë në Deçan, Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, i akuzuari Murat Sinanaj është dënuar me 19 vjet burgim, i akuzuari Bekim Raja me 15 vjet burgim, i akuzuari Avni Sinanaj me 9 vjet burgim, kurse i akuzuari Gjon Pnishi me 6 vjet burgim.

Gjykatësi Sharraxhiu bëri të ditur se të akuzuarve do t’u vazhdohet masa e paraburgimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 korrik 2018 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurve Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Bekim Raja akuzohen se në maj të vitit 2012 në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi që ky i fundit, së bashku me të pandehurin Avni dhe Murat Sinanaj ta kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblim prej njëqind mijë frangash zvicerane.

Në dispozitivin e aktakuzës përshkruhet se të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj më 23 qershor 2014, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake mes tyre në mënyrë dinake dhe me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për vete, e mashtrojnë viktimën duke e joshur me substanca narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturën e tij “Passat” nga Gjakova për në drejtim të Deçanit, i përcjell nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Më tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të pandehurit Avni Sinanaj, që të kalojnë nëpër fshatrat Hereq, Gramaqel, Dubrav, Gllogjan, dhe me të arritur tek ura që i lidh fshatrat Llukë e Prapaqan, i pandehuri Murat Sinanaj duke qenë i përgatitur, i zënë pritën dhe, me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Murat Sinaj shtënë me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Fillimisht, në këtë rast ka qenë i akuzuar Gjon Pnishi, i cili ishte shpallur fajtor për këtë vrasje dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Pejës, në qershor të vitit 2016.