Koronavirusi: çast pas çasti

17 vende të BE-së, në zonën e kuqe

Shtatëmbëdhjetë nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Mbretëria e Bashkuar, janë në zonën e kuqe të hartës së re evropiane të kufizimeve të lëvizjes. Harta u botua nga Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) dhe vetëm tri vende të BE-së janë kryesisht të gjelbra. Këto janë Norvegjia, Finlanda dhe Greqia.

Pesë vende: Italia, Qiproja, Estonia, Lituania dhe Letonia – janë shënuar kryesisht me portokalli. Gjermania, Austria, Suedia, Danimarka dhe Islanda nuk janë shënuar me ngjyra për shkak të të dhënave të pamjaftueshme të testit.

Sipas rekomandimeve, ndryshe nga ata që vijnë nga zona e gjelbër, udhëtarët nga zona portokalli dhe e kuqe (ose gri) mund t’u nënshtrohen disa kufizimeve.

Në mënyrë që një rajon të klasifikohet si i gjelbër, duhet të ketë më pak se 25 raste të reja për 100,000 banorë në dy javët e fundit dhe më pak se 4 për qind teste pozitive nga numri i përgjithshëm i testuar. Rajoni është në zonën e kuqe kur numri i rasteve të reja në dy javët e fundit është më i madh se 50 dhe kur përqindja e pozitiveve nga numri i përgjithshëm i testeve të kryera është më shumë se 4 për qind, ose kur kriteri për rastet e reja tejkalon 150 në 100,000 banorë.

Ka dy raste në kategorinë portokalli, rajone me më pak se 50 raste për 100,000 banorë, por përqindja e pozitiveve është më e madhe se katër përqind, ose ka midis 25 dhe 150 raste të reja për 100,000 banorë, por përqindja e testuar pozitivisht është më pak se katër për qind.