Lajme

38 viktima nga stuhia në SHBA

Stuhia më e keqe në 45 vjetët e fundit goditi qytetin Buffalo, në shtetin e Nju Jorkut, gjatë fundjavës, duke vrarë të paktën 13 persona.

Ka arritur në 38 numri i viktimave nga stuhia vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Situata mbetet kritike në Nju-Jork, ku edhe punonjësit e kërkim-shpëtimit janë bllokuar në automjetet e tyre. Miliona amerikanë ende janë pa energji elektrike, pasi era e fortë ka rrëzuar një pjesë të madhe të shtyllave të tensionit.

Vetëm në Buffalo janë regjistruar 13 viktima. Ata kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve dhe ngricave në rrugë. Temperaturat kanë arritur në -30 gradë Celsius buzë liqenit Erie, në perëndim të Nju-Jorkut. Rreth 200 trupa të Gardës Kombëtare u mobilizuan në perëndim të Nju-Jorkut për të ndihmuar ekuipazhet e policisë dhe zjarrfikësve, për të kryer kontrolle shëndetësore dhe për të sjellë furnizime.

Guvernatorja e Nju-Jorkut, Kathy Hochul, e cilësoi stuhinë dimërore si katastrofën më të madhe që pas 1977-ës, ku në Buffalo humbën jetën 30 persona.

“Presidenti Joe Biden më ka siguruar se brenda një kohe shumë të shkurtër nga marrja e kërkesës sonë për shpalljen e fatkeqësisë natyrore ajo do të pranohet. Ky është një lajm i mirë për ne që të jemi në gjendje të fillojmë të mbulojmë koston e kësaj stuhie katastrofike me të cilën duhet të përballemi tani”.

Gati 2 metër dëborë është regjistruar në aeroportin e Buffalo. Shteti perëndimor amerikan i Montana është më i godituri nga i ftohti, me temperatura -45C. Edhe në Kanada, provincat e Ontarios dhe Quebec, po mbajnë peshën kryesore të stuhisë. Në Quebec pothuajse 120,000 familje mbetën pa energji elektrike. Katër viktima u regjistruan në provincën perëndimore të British Columbia.