Lajme

5.000 ushtarë zviceranë, për sigurinë e Forumit në Davos

Parlamenti ka miratuar një maksimum prej 5000 pjesëtarësh të ushtrisë që mund të angazhohen për WEF (Forumi Ekonomik Botëror), Davos

Ushtria e Zvicrës ka filluar angazhimin e saj në lidhje me ofrimin e sigurisë së Forumit Ekonomik Botëror WEF në Davos.

Punët përgatitore dhe ato të spektrit të ndërtimeve në funksion të Forumit, janë në proces të plotë, thuhet në një komunikatë për media, të shpërndarë nga Departamenti i Mbrojtjes në Qeverinë e Zvicrës, transmeton albinfo.ch. Si shembull këtu përmenden angazhimet në fushën e masave të sigurisë, logjistikës dhe mbështetjes së menaxhmentit.

Forcat Ajrore gjithashtu janë duke kryer tashmë fluturime përgjimi dhe duke bërë transportin ajror.

Parlamenti ka miratuar një maksimum prej 5000 pjesëtarësh të ushtrisë që mund të angazhohen për WEF.

Forumi Ekonomik Botëror në Davos zhvillohet nga 21-24 janar. Në të marrin pjesë personalitetet më të larta nga politika botërore, përfshirë këtu edhe presidentin amerikan, Donald Trump, i  cili ka paralajmëruar ardhjen.

Avionët luftarakë të armatosur do të patrullojnë gjatë gjithë kohës së konferencës.

WEF  në Davos këtë vit ka jubileun e saj të 50-të.