Lajme
“Kthimi” i Hasan Prishtinës në Shkup
Tri ditë manifestime të ndryshme iu kushtuan figurës së shquar të Rilindjes kombëtare, Hasan Prishtina
Në tri ditët e kaluara Shkupi u bë qendër e një aktiviteti tejet të rëndësishëm dhe domethënës në kuadër të aktiviteteve gjithëpërfshirëse të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ky aktivitet iu kushtua patriotit Hasan Prishtina, kësaj figure historike, veprimtaria e të cilit lidhet me qytetin e Shkupit, qendër e atëhershme e Vilajetit të Kosovës.
Sot pas 100 vjetëve Instituti për trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve me mbështetjen e Komunës të Çairit organizoi Konferencë ndërkombëtare shkencore, e cila u hap me Akademinë solemne, e cila u mbajt të premten. Në akademi ishin prezentë shkencëtarë, akademikë si dhe funksionarë të lartë e ambasadorë. Në këtë Akademi prezentoi edhe Princ Leka si shenjë respekti dhe mesazhi për përmbylljen e një historie të pakëndshme mes këtyre dy familjeve.
Në fjalimin hapës për jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës foli akademiku Alejdin Abazi, si dhe të ftuar të tjerë nga Tirana dhe Prishtina, sikurse edhe pinjolli i familjes Prishtina, Mehmet Prishtina, i cili shprehu kënaqësinë për faktin që politikani i shquar i viteve më përcaktuese të kombit tonë “kthehet” në Shkup. Akademinë e përshëndeti edhe kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti.
Në ditën e dytë u mbajt konferenca akademike “Veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës”, ku u paraqitën 42 kumtesa akademike nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova për veprimtarinë e heroit mbarëkombëtar. Veç fakteve të njohura, në konferencë u shpaluan edhe shumë fakte të reja për jetën, veprën dhe rrethanat kur jetoi dhe veproi Hasan Prishtina. Ishin posaçërisht interesante të dhënat e reja që paraqiti historiani maqedonas Vlado Popovski për relacionin mes Hasan Prishtinës dhe përfaqësuesve të lëvizjes për pavarësinë e Maqedonisë si dhe rolin e Rusisë në këtë kontekst.
Drejtori i Institutit, Dr. Shefqet Zekolli, u shpreh për albinfo.ch se konferenca ishte një sukses, në të cilën u zhvilluan shumë debate interesante.
“Rikthimi” i Hasan Prishtinës në Shkup përfundoi të dielën me zbulimin e shtatores në sheshin “Skenderbeu” të Shkupit.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, gjatë festimit të shpalosjes së shtatores u shpreh përpara të pranishmëve:
“Hasan Prishtina erdhi sot në Shkup, sepse prej këtu u nis karvani i Pavarësisë. Hasan Prishtina sot po shpaloset në Shkup, sepse këtu u shpalos shtetësia shqiptare. Hasan Prishtina prej sot gjithnjë do të jetë në Shkup që prej këtu të jetë pararoja e shqiptarisë gjithandej”.
Në pyetjen e albinfo.ch se si e sheh vendosjen e këtij busti në kontekstin e një klime me retorikë të ngarkuar për raportet ndëretnike në Maqedoni, Mexhiti u përgjigj se si kjo shtatore, po ashtu dhe shumë aktivitete të tjera që i kemi bërë janë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe kontribuojnë për njohjen më të mirë të ndërsjellë mes komuniteteve. Ne jemi të bindur që kjo është rruga që i duhet Maqedonisë, prandaj dhe kështu do të vazhdojmë.
Me vendosjen e Hasan Prishtinës në Shkup shqiptarët po tregojnë se kanë potencial dhe vizion të qartë për atë se si duhet të duket një Shkup me tipare multietnike, siç ka qenë edhe e kaluara e tij, e cila pa dyshim dominohet nga puna dhe vepra e patriotëve shqiptarë si pjesë e pandashme e veprimtarisë të përgjithshme për liri dhe pavarësi në fillim të shekullit XX. Siç u tha nga akademiku Vllado Popovski gjatë konferencës të së shtunës, vizioni i Hasan Prishtinës duhet mirëpritur edhe nga maqedonasit, ashtu si pritet nga shqiptarët.
Sipas Dr. Zekollit, manifestimet për 100-vjetorin e pavarësisë në Shkup nuk do të mbarojnë me kaq. Hapi i ardhshëm nga Instituti do të jetë botimi i përmbledhjes së kumtesave të paraqitura gjatë konferencës shkencore si dhe përgatitja e një konference shkencore ndërkombëtare për Lekën e Madh, respektivisht Aleksandrin e Madh, me çka synohet të hidhet dritë mbi këtë figurë sa të famshme, aq edhe komplekse të antikitetit.
Në kuadër të 100-vjetorit, instituti po ashtu po punon për publikimin e një libri për Manastirin që, sipas Dr. Zekollit, është lënë në harresë.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Merita Pinta, një zonjë e fortë, me shumë merita Ka themeluar dhe drejton një kompani me dy shtëpi për të moshuar. Albinfo.ch e ka zgjedhur... -
Aktorja Fatlume Bunjaku do ta përfaqësojë Shqipërinë në “European Shooting Stars 2026” -
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi
Jeta në Zvicër
-
Prokuroria e St. Gallenit ndëshkon një pasagjer treni për racizëm "Tamil i ndyrë", "Sri Lanka i ndyrë", "Kthehu në vendin tënd", kishte thënë ai gjatë një... -
Taksa Kantonale e Aargaut do të ulet me 8 pikë përqindjeje -
Nigeriani padit në Strasburg policinë e Cyrihut -
Vit i vështirë në industrinë e orëve, më pak vende pune -
Të paktën gjysma e akullnajave të botës do të zhduken deri në vitin 2100












