Shqipëria
Riatdhesohen rreth 100 shtetas shqiptarë
Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, apeloi te shtetasit shqiptarë që të mos aplikojnë për azil të paligjshëm në vendet e BE-së, pasi shanset për ta përfituar janë zero, duke nënvizuar faktin se vendet e BE-së kanë nisur të aplikojnë dispozita ligjore më të ashpra ndaj azilkërkuesve shqiptarë, sidomos Gjermania dhe Franca.
Apeli vjen ndërsa në aeroportin “Nënë Tereza” u riatdhesuan rreth 100 azilkërkues shqiptarë nga Franca e Gjermania, shkruan ATSH, përcjell albinfo.ch.
“U kryen dy aksione riatdhesimi të shtetasve shqiptarë azilkërkues nga dy vendet e BE-së, Franca dhe Gjermania. Janë operacionet e para të riatdhesimit për vitin 2019. Në total janë rreth 100 shtetas shqiptarë, të cilët kanë kërkuar azil në këto vende të BE-së, por që sigurisht kërkesat e tyre nuk janë pranuar dhe sot ata janë riatdhesuar në territorin e Republikës së Shqipërisë”, tha zv.ministrja Voda.
“Si zëvendësministre e Brendshme mendoj se kam për detyrë t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos aplikojnë dhe të mos udhëtojnë apo migrojnë drejt vendeve të BE-së, me qëllimin e vetëm për të kërkuar azil. Duhet të kuptojnë edhe një herë sepse kërkesa për azil është një kërkesë, e cila nuk mund të pranohet nga vendet e BE-së, për shkak se Shqipëria është në listën e vendeve të origjinës së sigurt, pra do të thotë është një shtet me të gjithë standardet për një jetesë normale, një shtet demokratik, me një qeverisje demokratike dhe shtetasit shqiptarë kanë shanse zero për t’u pranuar kërkesat për azil”.
Voda sqaroi se në Gjermani legjislacioni është ashpërsuar dhe është reduktuar koha e procesimit të kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë.
“E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Francën. Duke filluar nga janari 2019, legjislacioni francez i ndryshuar ka kaluar në Parlamentin francez, shumë shpejt hyn në fuqi dhe ky legjislacion do të ashpërsohet. Kriteret do të jenë shumë më të rrepta, koha e shqyrtimit të kërkesës, pra aplikimit për azil do të jetë shumë më e shkurtër, dhe shtetasit shqiptarë të cilët padrejtësisht kanë aplikuar për azil në Francë, do të kthehen, do të riatdhesohen në territorin e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Voda, shkruan ATSH, përcjell albinfo.ch.
Po ashtu Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda theksoi se për ata që duan të emigrojnë, disa nga vendet e BE-së, në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, kanë hapur qendra ku janë të mirëpritur të gjithë ata qytetarë, shtetas shqiptarë të cilët duan të punësohen jashtë vendit, për të parë mundësinë për t’u punësuar dhe për të migruar në rrugë të rregullt.
“Kështu që thirrja ime do të ishte të zgjedhin mundësitë dhe jo migracionin e parregullt. Kjo ka qenë edhe motoja e Ministrisë së Brendshme, në një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi në të 12 qarqet e Shqipërisë gjatë vitit 2018”, tha në fund Voda.
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Ndërmjet Washingtonit, Strasburgut dhe Zvicrës: LUGINAS po ndërton një model inovativ të organizimit për diasporën Intervistë e albinfo.ch me kryesinë e Lidhjes së Shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Zvicër... -
Bernë
Filmi “La Beauté de l’Âne” shfaqet në Bernë në kuadër të javës së Frankofonisë -
Gjermani
I jepet sot lamtumira e fundit 17-vjeçarit nga Kosova që vdiq pas aksidentit në Gjermani -
Londër
Kushtet e pasigurta të punës, shkaku kryesor i vdekjes së 19-vjeçarit shqiptar në Angli -
Erdhi për pushime në Kosovë, mërgimtari vritet nga e dashura
Jeta në Zvicër
-
Si t’i kapërceni pengesat me të cilat përballet çdo njeri gjatë integrimit në Zvicër Shumica e banorëve ndërkombëtarë që krijojnë një jetë të re në Zvicër do të dëshmojnë se... -
Bazel: Qytetarët votojnë në qershor për katër çështje kantonale -
Tre zviceranë humbën jetën nga një ortek në Kanada -
Rrëshqitje dheu në Weggis, evakuohet një shtëpi banimi -
Zvicra përballet me debat të ashpër për kriminalitetin e të huajve













