Kosova
Kosovë: Rriten çmimet e produkteve bazike
Shumë konsumatorë thonë të kenë vërejtur se në tregun e Kosovës ka pasur ngritje të çmimeve dhe kryesisht produktet që, sipas tyre, kanë shënuar ngritje janë ato të konsumit të përditshëm.
Blerina Hajdari nga Prishtina thotë se çmimet në tregun e Kosovës kanë shënuar ngritje muajve të fundit.
Ajo thotë se gjatë blerjeve ditore dhe mujore që ka bërë në familjen e saj pesë anëtarëshe, çmimet që më së shumti kanë shënuar ngritje janë vërejtur te produktet bazike.
“Kam vërejtur ngritje të çmimeve, sidomos të produkteve elementare, si qumështi, buka, mielli, mishi, në përgjithësi mendoj se ka pasur ngritje pas taksës, por që ngritja e çmimeve të produkteve të konsumit ka qenë edhe para taksës”, thotë Hajdari.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se shkalla e inflacionit e matur në muajin mars 2019, në krahasim me muajin mars 2018 ishte 3.3 për qind.
Sipas këtyre të dhënave të ASK-së, ngritje të çmimeve ka pasur te produktet e konsumit, si buka dhe drithërat (11.6%); mish (3.7%); qumësht, djathë dhe vezë (4.2%); perime (32.5%); pije alkoolike (1.7%); duhan (3.6%).
Agjencia e Statistikave të Kosovës në publikimin e saj nuk ka dhënë ndonjë arsye se çfarë ka ndikuar në rritjen e çmimeve.
Përfaqësuesit e bizneseve thonë se ka shumë arsye që kanë ndikuar në ngritjen e çmimeve, duke përfshirë edhe vendosjen e taksës 100 për qind për produktet të cilat importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore, fillimisht 10 për qind, e më pas 100 për qind, është në fuqi që nga muaji nëntor i vitit të kaluar.
“Ngritja e çmimeve fillimisht pas vendosjes së taksës ka qenë në 1 për qind, pastaj kjo ka shkuar në 2 për qind, taksa ka arritur që të ngrit disa shërbime që lidhen drejtpërsëdrejti me konsum, por janë edhe faktorët tjerë që kanë ngritur çmimet në konsum, siç është ngritja e çmimeve në vendet prej nga Kosova importon produktet”, ka thënë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, për Radion Evropa e Lirë, përcjell albinfo.ch.
Arlinda, qytetare nga Prishtina thotë se këtë ngritje të çmimeve e ka vërejtur menjëherë pas vendosjes së kësaj takse.
“Unë personalisht po mendoj (kam parë/vërejtur) që ka ndryshime të çmimeve, çmimet janë rritur krahasuar me dy apo tre muaj më parë. Saktë nuk po mund të them se sa për qind ka pasur shtrenjtim, por gjërat që para dy apo tre muajve i kam blerë me 50 euro, tani janë më shtrenjtë. Produkte të njëjta që i kam blerë me 50 euro tani i blej me 60 apo 65 euro. Çmimet e ushqimit kanë shënuar rritje”, thotë ajo.
Ngjashëm shprehet edhe Verina Gërxhaliu, studente.
“Kam vërejtur që ka pasur ngritje të çmimeve pas taksës që Qeveria e Kosovës ka vendosur për produktet e Serbisë”, tha ajo.
Deri para vendosjes së taksës Serbia ka qenë vendi që ka eksportuar më së shumti në Kosovë.
Para vendosjes së taksës, gjatë një dite Serbia ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro, tani, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës mesatarisht eksporton mallra në vlerë prej rreth 8 mijë euro.
Taksa ka pasur ndikim edhe në mosvazhdimin e dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Serbia ka thënë se nuk do të marrë pjesë në negociatat për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën derisa të hiqet taksa.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi janë duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut.
Por, kryeministri Ramush Haradinaj, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapur nga vendimi për tarifën 100 për qind, e cila vazhdon të mbetet në fuqi.
E-Diaspora
-
SH.K.A “Dardania” shpalos vlerat e valles shqiptare në “Tanzfest”, në Winterthur Prezantimi kishte edhe një mesazh të fuqishëm: ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin e vlerave shqiptare... -
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka zgjedhur Kryesinë e re -
Prishtina fiton Kupën e Diasporës, pas penalltive mposht Kosovën e Gjenevës -
Dua Lipa në International Booker Prize Awards: Letërsia është ura më e fortë mes kulturave -
Mos i hidhni zarfet e votimit në kosh, vota juaj mbron pagën dhe të ardhmen në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Qindra njerëz protestuan në Cyrih në mbështetje të atyre që vuajnë nga lodhja kronike Disa qindra njerëz u mblodhën të dielën në Europaplatz në Cyrih për të treguar solidaritetin e... -
Nga 70% në 30% në tetë vjet: Si e humbën paratë e gatshme betejën e pagesave -
Fundjavë me stuhi në Zvicër -
Çmimet e larta e bëjnë të vështirë hyrjen në bujqësi në Zvicër -
SWISS do të ulë nivelin e stafit administrativ me 10%














