Jeta në Gjermani
Vazhdojnë protestat kundër masave të Coronës në Gjermani
Në shumë qytete në Gjermani qytetarët janë mbledhur për t'i kundërshtuar masat kufizuese të qeverisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit
Në Stuttgart, menjëherë pas fillimit të tubimit, u arrit numri i aprovuar prej 5000 pjesëmarrësish. Edhe në Mynih, shumë më tepër njerëz se numri i lejuar prej 1 000 personave, donin të shkonin në Theresienwiese, ku zhvillohet çdo vit festa e famshme e birrës (Oktoberfest). Por, policia e kishte bllokuar territorin, prandaj edhe njerëzit në fillim u radhitën rreth e përqark zonës së protestës, derisa i shpërndau policia. Protestuesit ishin në përgjithësi paqësorë dhe iu përmbajtën kushtit të vënë nga Bashkia e Mynihut për të ruajtur distancën prej 1,5 metrash. Protesta zgjati dy orë.
Në Stuttgart demonstruesve iu caktua një sipërfaqe tjetër. Tubimi në kryeqytetin e landit Baden-Württemberg ishte regjistruar fillimisht për gjysmë milioni pjesëmarrës. Por qyteti e kufizoi numrin e pjesëmarrësve në 5000.
Tubime u zhvilluan edhe në qytete të tjera gjermane, si Berlin, Nuremberg, Leipzig, Bremen dhe Frankfurt. Në shumë vende kishte edhe kundërprotesta. Në banderola shiheshin mbishkrime si “Dinjiteti i njeriut është e mira më e madhe, jo shëndeti i tij”, “Maskat nuk ndihmojnë kundër gënjeshtrave” ose “Stop vaksinimit”. Kundërdemonstruesit thërrisnin: “Nuk ka të drejtë për propagandë naziste”.
Sic raporton DW në Hamburg protestuan afro 200 njerëz kundër “rregullave të higjienës” dhe “vaksinimit me detyrim”, edhe pse vaksina kundër COVID-19 nuk ekziston ende. Autoritetet kishin aprovuar 50 pjesëmarrës. Shumë nga pjesëmarrësit nuk mbanin maska dhe nuk e respektuan distancën e kërkuar nga Bashkia.
Protestat kundër masave të qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit korona po zhvillohen tashmë prej disa javësh në Gjermani. Senatori i brendshëm i Berlinit, Andreas Geisel, kishte paralajmëruar më parë nga agresiviteti i demonstruesve. Në një videomesazh në Twitter, ai kishte thënë se pjesëmarrësit janë një miks i rrezikshëm i përbërë prej ekstremistësh të dy poleve, si nga e majta dhe e djathta, nga përkrahës të teorive konspirative dhe kundërshtarë të vaksinimit.
Shumë vëzhgues janë të shqetësuar se këto protesta mund të shfrytëzohen nga djathtistët. Ministri Federal i Brendshëm, Horst Seehofer, i tha “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” se shumë njerëz aktualisht janë të shqetësuar për ekzistencën e tyre. Prandaj është e rëndësishme të veprohet sa më shpejt në mënyrë që në këto protesta të mos e vendosin tonin radikalët e krahut të djathtë dhe përqafuesit e teorive të konspiracionit”, shkruan DW, përcjell Albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Itali
I burgosuri me origjinë nga Kosova arratiset nga spitali në Itali, dyshohet se mashtroi gardianët 23-vjeçari u dërgua për trajtim pasi pretendoi se kishte gëlltitur detergjent, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur... -
Sot i jepet lamtumira e fundit motrave shqiptare që humbën jetën tragjikisht në Gjermani -
Gjermani
Gjermani: Humb jetën shqiptari nga Kosova pas një aksidenti në vendin e punës -
Dy motrat nga Kosova që vdiqën në aksident në Gjermani, varrosen nesër në Topanicë të Kamenicës -
Bad Vöslau, Austri: Skulptori Destan Gashi hap ekspozitën e tij në natyrë
Jeta në Zvicër
-
20 vjet Vali Ranch: Një ëndërr që u bë destinacion i njohur turistik në Kosovë Në një kohë kur turizmi në Kosovë po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje, Vali Ranch... -
Dogana gjermane sekuestron 117 kilogramë marihuanë që kaluan përmes Zvicrës -
Temperaturat e larta mbushin lumenjtë e Zvicrës me mijëra qytetarë -
Temperaturat përvëluese në Zvicër: Sot u regjistruan 39 gradë -
Zvicra pritet të përballet me Iranin në 1/16 e finales së Kupës së Botës













