Futboll
Mërgim Vojvoda, futbollisti më i mirë në Kosovë
Futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin 2020 është zgjedhur Mërgim Vojvoda, ndërsa epiteti i më të mirit në Superligë i takoi Armend Thaçit të Ballkanit. Të dy janë mbrojtës të krahut të djathtë. Thaçi i Ballkanit u zgjodh më i miri me votat e gazetarëve sportivë, derisa Vojvoda, që luan për Torinon në Serie A, nga përzgjedhësit e përfaqësueseve të Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Ceremonia e shpalljes së më të mirëve nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) u organizua të mërkurën. Të pranishëm në këtë ceremoni, shkaku i rrethanave të pandemisë, ishin vetëm fituesit, drejtuesit e FFK-së dhe Përfaqësueses së Kosovës.
Për mbrojtësin e Torinos është hera e parë që e merr çmimin e më të mirit. Ai nuk ishte prezent në ceremoni, ndërsa kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ia dha çmimin ndihmëstrajnerit të Kosovës, Muharrem Sahiti.
“Dua t’i falënderoj të gjithë për këtë çmim. Do të kthehemi shumë shpejt në nivele më të larta, e do të aspirojmë suksese më të mëdha. Këtë e meriton Kosova, FFK-ja, populli ynë e sidomos tifozët ‘Dardanët’. Dua t’i falënderoj të gjithë bashkëlojtarët, trajnerët, e të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me mua. Faleminderit të gjithëve! Kjo është Kosova, ju dua shumë”, ka thënë Vojvoda nëpërmjet një video-mesazhi.
Nga ana tjetër, edhe për Thaçin e Ballkanit ishte hera e parë që e fiton çmimin si futbollisti më i miri i Superligës.
“Është motiv që në të ardhmen ta dëshmoj se e kam merituar këtë çmim. Shpresoj që viti 2021 të jetë më i mirë për të gjithë ne. Për të gjithë ka qenë një vit shumë i vështirë. Të gjithë ne futbollistët i kemi shkelur nganjëherë rregullat pasi nuk na lejohet të pushojmë gjatë gjithë kohës. Është dashur të stërvitemi, e ajo puna shumë e madhe po jep frytet e veta”, ka thënë Thaçi.
Trajneri më i mirë i vitit u zgjodh Ardian Nuhiu i Dritës. Nuhiu me Dritën e fitoi titullin e kampionit të Kosovës stinorin e kaluar, ndërsa Drita është shpallur kampione vjeshtore edhe këtë stinor. Falë suksesit në edicionin e kaluar dhe aktual, Drita e fitoi epitetin e klubit më të mirë për vitin 2020. Këtë edicion Drita arriti deri në raundin e dytë kualifikues Ligës së Evropës dhe u bë ekipi i parë që luajti në këtë rreth.
“Është dita më e lumtur në jetën time. Është një arritje e veçantë për mua. Një trajner shumë i ri dhe patjetër duhet të falënderoj shumë njerëz sonte këtu. E kishit theksuar se ka qenë kampionati më i vështirë, është shumë e saktë, pasi është nder e privilegj ta marr këtë çmim unë, në një konkurrencë të tillë siç kemi pasur në Superligë, shumë trajnerë cilësorë. Por, gjithmonë duke falënderuar klubin tim Drita, e njerëzit kryesorë pa të cilët nuk do të ishim këtu”, ka thënë Nuhiu.
Futbollistja më e mirë e vitit është zgjedhur Blerta Shala e klubit Mitrovica. Ajo, me ta pranuar çmimin, ka falënderuar klubin dhe Federatën duke shtuar se ky çmim e motivon të punojë më tepër. Ndërsa, KFF Mitrovica u zgjodh klubi më i mirë në konkurrencë të femrave.
Epiteti i golashënuesit më të mirë për vitin 2020 ishte për Mirlind Dakun e Ballkanit, ndërsa Feronikeli u shpall si klubi më ferplej. Jeton Rukovci i FC Prishtinës u zgjodh lojtari më i mirë i vitit në futsall, e FC Prishtina klubi më i mirë në futsall. Epiteti i arbitrit të vitit i takoi Mervan Bejtullahut.
“Jemi detyruar ta mbajmë këtë ceremoni shkaku i situatës së krijuar vetëm me fituesit. Ishte një vit i jashtëzakonshëm, i vështirë. Ne humbëm rastin me ekipin përfaqësues për të qenë në Evropian, ne të gjithë e fituam betejën e jetës me COVID-19, edhe pse ka marrë në Kosovë goxha shumë jetë. Ka qenë një vit i ngjeshur. Shpresoj që vitin tjetër të organizojmë dhe të luajmë në rrethana normale”, ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi.
E-Diaspora
-
Cyrih: Takim pune për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkimit të shkollave shqipe LAPSH mbetet i përkushtuar që mësimi plotësues të jetë i unifikuar, i qëndrueshëm dhe në shërbim... -
KQZ: Afër 64.000 votues nga diaspora janë regjistruar për të votuar -
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet
Jeta në Zvicër
-
Nga 8 dhjetori Aeroporti i Cyrihut lejon pjesërisht lëngjet në bagazhin e dorës Pasagjerët do të jenë në gjendje të mbajnë lëngje në bagazhet e tyre të dorës fillimisht... -
Zvicër: Kërkohet kontrollim më i mirë i letërnjoftimeve të të huajve -
Ndalimi i reklamave të duhanit në Zvicër për të mbrojtur të miturit do të fillojë në vitin 2027 -
Tregtia e energjisë elektrike diellore midis banorëve të së njëjtës komunë do të jetë e mundur nga viti 2026 -
Ndryshimet e transportit publik që priten në qytetet më të mëdha të Zvicrës në vitin 2026













