Lajme
Vritet Presidenti i Haitit
Presidenti i Haitit, Jovenel Moïse, u vra gjatë një sulmi në rezidencën e tij private
Sipas një deklarate të lëshuar të mërkurën nga kryeministri i përkohshëm i vendit, Presidenti i Haitit, Jovenel Moïse, u vra gjatë një sulmi në rezidencën e tij private. Vrasja u quajt një “akt urrejtjeje, çnjerëzor e barbar”.
Kryeministri i përkohshëm, Claude Joseph, tha gjithashtu se gjatë sulmit që ndodhi gjatë natës u plagos edhe Zonja e Parë, Martine Moïse, e cila ndodhet e shtruar në spital.
Para ngjarjes Haiti ndodhej në një situatë të pasigurt politike, e cila ishte bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme, ndërsa pakënaqësitë nën udhëheqjen e Jovenel Moïse-t ishin rritur. Presidenti po drejtonte me dekrete prej më shumë se dy vjetësh, pasi vendi dështoi të mbajë zgjedhje, ndërsa opozita në muajt e fundit i kishte kërkuar atij të largohej nga detyra.
“Situata e sigurisë në vend ndodhet nën kontrollin e Policisë Kombëtare të Haitit dhe Forcave të Armatosura të Haitit”, thuhej në një deklaratë të zyrës së kryeministrit të përkohshëm. “Demokracia dhe republika do të fitojnë”, thuhej më tej.
Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës rrugët ishin kryesisht të zbrazëta në kryeqytetin e vendit Port-au-Prince, por autoritetet thanë se në një zonë pati plaçkitje të bizneseve.
Zoti Jozeph tha se në Pallatin Kombëtar (rezidenca zyrtare e presidentit) janë dislokuar forca policie dhe, sipas tij, anëtarët e komunitetit të pasur të Pétionville-t do të dërgohet në zona të tjera.
Zoti Jozeph e dënoi vrasjen duke e cilësuar atë një “akt urrejtjeje, çnjerëzor e barbar”. Ai tha se disa nga sulmuesit kishin folur spanjisht, por nuk dha detaje të tjera.
Problemet ekonomike, politike dhe sociale të Haitit janë thelluar kohët e fundit, me dhunën e bandave që mbizoron në Port-au-Prince, inflacionin në rritje dramatike e mungesë të ushqimeve e karburanteve, në një vend ku 60% e popullsisë fiton më pak se 2 dollarë në ditë. Këto probleme ekzistojnë ndërsa Haiti ende po përpiqet ta rimarrë veten nga tërmeti shkatërrues i vitit 2010 dhe Uragani Matthew që goditi vendin më 2016.
Udhëheqësit e opozitës e kishin akuzuar 53-vjeçarin Jovenel Moïse se po kërkonte të fuqizonte pushtetin e tij, ndër të tjera nëpërmjet miratimit të një dekreti që kufizonte kompetencat e një gjykate që kontrollonte kontratat qeveritare, si dhe nëpërmjet një tjetër dekreti, i cili krijoi një agjenci zbulimi që i përgjigjej vetëm presidentit.
Në muajt e fundit, udhëheqësit e opozitës i kishin kërkuan atij të largohej nga detyra, duke argumentuar se mandati i tij kishte përfunduar ligjërisht në shkurt të vitit 2021. Zoti Moïse dhe mbështetësit e tij kishin thënë se mandati i tij kishte nisur kur ai kishte marrë detyrën në fillim të 2017-ës, pas një procesi zgjedhor kaotik që detyroi emërimin e një presidenti të përkohshëm për të shërbyer gjatë një boshllëku njëvjeçar.
Haiti kishte planifikuar të mbante zgjedhjet e përgjithshme më vonë gjatë këtij viti./VoA
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar












