Shqipëria
FMN këshillon Shqipërinë të jetë e kujdesshme me investimet e mëdha publike
Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar tha sot se ekonomia e Shqipërisë tregoi qëndrueshmëri ndaj dy goditjeve të mëdha, atë tërmetit të fundvitit 2019 dhe pandemisë. Por, ndërsa vihet re një rimëkëmbje e fortë dhe një rritje që parashikohet në 7.8 për qind për vitin 2021, Fondi Monetar vlerëson si sfida kryesore mbeten investimet me efikasitet te njerëzit dhe ekonomia, si dhe uljen e deficitit të lartë fiskal dhe borxhit publik. Fondi rekomandon që Qeveria të heqë dorë nga ndërhyrjet e shpeshta me akte normative si dhe të moderojë investimet publike tejet ambicioze.
Si Fondi Monetar Ndërkombëtar, ashtu dhe autoritetet shqiptare, Ministria e Financave nga njëra anë dhe Banka e Shqipërisë, nga ana tjetër, janë të të njëjtit mendim se ekonomia shqiptare pati një rigjallërim të fortë pas goditjeve të marra vitin e kaluar.
“Pas një periudhe kontraktimi me 4 për qind në vitin 2020, ekonomia po ngrihet fuqishëm me rritje të parashikuar prej 7.8 për qind në vitin 2021, nxitur nga mbështetja e vazhdueshme e politikave monetare dhe fiskale, nga rindërtimi, pakësimi i kufizimeve të lëvizjes, prodhimi i lartë të energjisë elektrike falë kushteve të favorshme të motit në pjesën e parë të vitit, si dhe një sezoni turistik relativisht të mirë“, deklaroi drejtuesja e misionit te FMN-së, Yan Sun..
Qeveria shqiptare, nga ana e saj, parashikonte fillimisht një rritje prej 5.5 për qind. “Momentalisht ne parashikojmë një rritje prej rreth 7.6% për këtë vit. Ndërsa për periudhën afatmesme parashikojme që ajo të konvergojë dhe stabilizohet rreth nivelit 4%. Ne parashikojmë se një rritje e tillë në periudhën afatmesme do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat, ashtu edhe nga investimet“, u shpreh ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Nga ana e saj, FMN parashikon që në vitin 2022 rritja të zbresë në 3.8 për qind. Për Bankën e Shqipërisë, “ndonëse ritmi i rritjes ekonomike pritet të vijë në ngadalësim, ai do të jetë i qëndrueshëm dhe i mjaftueshëm për të gjeneruar një shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve prodhuese, rritje të punësimit e të pagave, si dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022“, deklaroi guvernatori i Bankës Qendrore, Gent Sejko.
Ekonomia shqiptare pritet të përballet me një tjetër kërcënim, atë të një krize energjitike, për shkak të rritjes së fortë të çmimeve të importit. Ndërkohë që rritje kanë pësuar dhe çmimet e produkteve të tëra në tregjet botërore. Por, për ministren Ibrahimaj, ecuria e mirë ekonomike do të shërbejë si kundërpeshë ndaj këtyre rreziqeve potenciale, ndonëse ato sipas saj, nuk përbëjnë ndonjë kërcënim serioz dhe se me gjasë efektet e tyre do të jenë të moderuara.
Edhe FMN parashikon se rritja globale e çmimemeve do të jetë kalimtare. Sipas Fondit, “sfidat kryesore tani janë të dyfishta: Së pari, investimi me efikasitet tek njerëzit dhe ekonomia për të mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm të vendit; së dyti, rindërtimi i hapësirës për manovrim të politikës fiskale, për të ulur deficitin shumë të lartë fiskal dhe raportin e borxhit publik. Mënyra për të kapërcyer këto dy sfida është ndërtimi i një strategjie ambicioze për të rritur të ardhurat tatimore dhe përmirësimi i transparences dhe cilësisë së investimeve publike”.
Shqipëria ka të ardhurat tatimore më të ulëta në rajon dhe politikat e saj tatimore vlerësohen nga Fondi Monetar si “të fragmentarizuara, se kanë hendeqe, përjashtime dhe ndryshime të shpeshta që minojnë stabilitetin”. Fondi i rekomandoi qeverisë të heqë dorë nga ndërhyrjet e shpeshta përmes akteve normative, ndërsa sa u përket shpenzimeve, është i mendimit se “investimet publike tejet ambicioze duhen moderuar. Sfidat kryesore përfshijnë mungesën e transparencës mbi tejkalimin e kostove dhe afateve fillestare dhe mosrespektimin e proceseve të miratuara të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve, përfshirë këtu kur PPP-të përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme“, vlerëson Fondi Monetar Ndërkombëtar./VOA
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” Vlashent Sata, një identitet artistik që harmonizon rrënjët me estetikën bashkëkohore. Intervistë me artistin që ndërthur... -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet -
Gjermani
Ekspozitë në Braunschweig, identiteti dhe arti kosovar në skenën gjermane -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil
Jeta në Zvicër
-
Ndalimi i reklamave të duhanit në Zvicër për të mbrojtur të miturit do të fillojë në vitin 2027 Rregullat e reja mbi reklamimin e duhanit për të mbrojtur fëmijët, të miratuara nga parlamenti zviceran... -
Tregtia e energjisë elektrike diellore midis banorëve të së njëjtës komunë do të jetë e mundur nga viti 2026 -
Ndryshimet e transportit publik që priten në qytetet më të mëdha të Zvicrës në vitin 2026 -
Zvicra nënshkroi kontratën për tetë avionët e parë F-35 -
Pse autoritetet e Cyrihut po i anashkalojnë intervistat për natyralizim?












