Gruaja
“Artistja e shekullit 22”, Valerijana Krasniqi, shpalos botën e saj artistike
Në Adliswil, Zürich, deri më 30 prill mund të vizitohet ekspozita “Kunst des 22 Jahrhundert” (Arti i shekullit 22) e Valerijana Krasniqit
Kur ishte nxënëse e shkollës fillore, mësuesi e kishte vlerësuar shumë lart talentin e saj, duke e krahasuar me kolosët e artit botëror si Picasso ose Monnet. Kur e kujton këtë, rreth 25 vite më vonë, Valerijana Krasniqi buzëqesh dhe lë të kuptosh se mësuesi sigurisht ka pasur nuhatje të mirë për artin.
Ndërkohë ajo ka marrë një drejtim krejtësisht tjetër në jetë, është marrë me punë të ndryshme administrative dhe menaxheriale duke lënë në “gjumë” të thellë e të gjatë talentin e saj për artin.
Kështu, Valerijanës i janë dashur mbi 20 vjet që të rizbulojë talentin e saj për artin figurativ, pikturën. Ka ndodhur kjo gjatë shpërthimit të pandemisë, në vitin 2020. “Duke qëndruar e mbyllur në shtëpi, pa ndonjë angazhim, unë fillova të vizatoj dhe pikturoj”. Në këtë mënyrë ajo e kapërceu kohën e “distancimit social” me pikturën, por shumë shpejt dëshironte sfida të reja krijuese dhe kështu që ajo vazhdon të jetë e pasionuar pas pikturimit.
“Punimet e para më pëlqyen dhe më dhanë forcë të vazhdoj më tutje, gjithnjë me më shumë pasion”, thotë Valerijana Krasniqi për albinfo.ch., derisa parakalojmë para pikturave të saj në ekspozitën e saj personale, të hapur më 7 prill në Adliswil, ZH.
Në laudation e tij me rastin e hapjes së ekspozitës, kryetari i shoqatës së artistëve “Kunstzürichsüd” në Adliswil, Walter Diem ka folur në superlativ për artin e Valerijana Krasniqit. Duke ju referuar vlerësimit të përmendur më lart të mësuesit për talentin e Valerijanës, Diem ka thënë: “Në fillim, për një moment jam habitur por duke parë pikturat e saj, jam bindur se mësuesi kishte pasur të drejtë. Ajo ka një talent dhe prirje të vërtetë dhe krejtësisht unike, për pikturë”.
Diem udhëheq një shoqatë shumë aktive të arteve, e cila numëron rreth 70 krijues dhe zotëron një galeri, (ku dhe u organizua kjo ekspozitë) si dhe një atelie pune.
Pikturat e Valerijana Krasniqit janë të punuara me materiale të veçanta, (që piktorja dëshiron t`i mbajë sekret). Ato dallohen me një lloj “dimensioni të tretë” të përftuar nga relievi që të kujton rrjetin e merimangës dhe me elemente të thurjes që karakterizon shumicën e punimeve të ekspozuara. Po kështu, disa nga punimet kanë një ndriçim fosforeshent që u ndryshon ngjyrën, varësisht nga këndi i shikimit dhe nga drita që derdhet në to. Valerijana kombinon këto teknika të me pikturën për të krijuar vepra unike të artit që magjepsin me koloritetin e tyre. “Kam shumë dëshirë të luaj me ngjyrat dhe dritën”, thotë ajo, duke shtuar me vetëbesim se ka krijuar një art që mund të quhet plotësisht i saj, unik.
Në shumë nga punimet e ekspozuara shohim si motiv trungun (pemën), të realizuar me teknika dhe nga perspektiva të ndryshme. E pyetur nga albinfo.ch, Valerijana thotë se pema për të është burim jete në botë, prandaj gjithmonë e ka frymëzuar dhe motivuar për ta parë dhe zbuluar nga këndvështrime të ndryshme, duke gjetur secilën herë elemente të reja në të. Më tutje ajo shton se secili do të gjejë një ide, një shpjegim tjetër në pikturat e saj dhe kjo, sipas saj, është madhështia e të krijuarit art.
Është interesante të theksohet se ekspozita mban titullin “Arti i shekullit 22” dhe kjo lidhet edhe me motivet futuriste në punimet e ekspozuara të artistes shqiptarozvicerane. Madje edhe në një prezantim të publikuar për të në njërën ndër platformat më të mëdha për artin në Evropë, (Artmajeur Magazine), e cila ja kushton dy faqe, ajo emërtohet “artiste e shekullit 22”.
Shumica e punimeve janë në dispozicion për shitje dhe kanë çmimet përkatëse, në katalog ashtu si dhe në muret ku janë ekspozuar ato.
Ekspozita e Valerijana Krasniqit mund të vizitohet të enjteve, të premteve dhe të shtunave, deri më 30 prill. Ndërsa më 24 prill bëhet “finisazhi”, i saj me një aperitiv për mysafirët.
E-Diaspora
-
Cyrih: Takim pune për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkimit të shkollave shqipe LAPSH mbetet i përkushtuar që mësimi plotësues të jetë i unifikuar, i qëndrueshëm dhe në shërbim... -
KQZ: Afër 64.000 votues nga diaspora janë regjistruar për të votuar -
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet
Jeta në Zvicër
-
Nga 8 dhjetori Aeroporti i Cyrihut lejon pjesërisht lëngjet në bagazhin e dorës Pasagjerët do të jenë në gjendje të mbajnë lëngje në bagazhet e tyre të dorës fillimisht... -
Zvicër: Kërkohet kontrollim më i mirë i letërnjoftimeve të të huajve -
Ndalimi i reklamave të duhanit në Zvicër për të mbrojtur të miturit do të fillojë në vitin 2027 -
Tregtia e energjisë elektrike diellore midis banorëve të së njëjtës komunë do të jetë e mundur nga viti 2026 -
Ndryshimet e transportit publik që priten në qytetet më të mëdha të Zvicrës në vitin 2026












