Kosova
Kosova në kohën e zhvillimeve politike dhe rreziqeve të sigurisë
Ndërsa Evropa po riarmatoset dhe NATO po përballet me sfida të brendshme, siguria në Kosovë mbetet një çështje thelbësore për stabilitetin rajonal. Autoritetet kosovare garantojnë qëndrueshmëri, por ekspertët paralajmërojnë për cenueshmërinë e saj dhe bëjnë thirrje për një angazhim më aktiv të liderëve kosovarë në tryezat ndërkombëtare ku diskutohet siguria.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, thekson për Radio Evropën e Lirë se vitet e fundit kapacitetet mbrojtëse të vendit janë përmirësuar ndjeshëm. Investimet në personel, pajisje dhe doktrinë kanë qenë vendimtare për avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke e bërë atë më të aftë për të përmbushur detyrat e saj mbrojtëse dhe për t’u përshtatur me sfidat e reja.
“Ne kemi një flotë dronësh Bayraktar dhe kemi siguruar sisteme të tjera fluturake pa pilotë. Vazhdimisht po investojmë për të përmbushur nevojat operacionale të FSK-së dhe për t’u përgatitur për çdo ndryshim situate,” deklaroi Maqedonci.
FSK është në fazën e tretë dhe të fundit të transformimit në ushtri me kapacitete të plota, një proces i nisur në vitin 2018. Ministri thekson se disa objektiva të planifikuara për vitin 2028 tashmë janë realizuar, përfshirë rritjen e personelit aktiv mbi 4,300 ushtarë, me pritshmëri për të arritur 5,000 brenda vitit të ardhshëm. Synimi përfundimtar është një forcë prej mbi 7,500 pjesëtarësh, përfshirë rezervistët.
NATO vazhdon të mbajë qëndrimin se FSK duhet të kufizohet në detyra humanitare dhe mbrojtje civile, një qëndrim i përsëritur nga Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte, gjatë një vizite në Kosovë. Megjithatë, presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se FSK ka mandat të plotë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, në përputhje me ligjet në fuqi, shkruan REL.
Kosova nuk është pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s për shkak të mosnjohjes nga katër shtete anëtare: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Si pasojë, ajo mbështetet në marrëveshje dypalëshe, kryesisht me SHBA-në dhe Turqinë, për forcimin e mbrojtjes së saj.
Përtej kufirit, Serbia vazhdon të forcojë ushtrinë e saj me armatim nga Perëndimi dhe Lindja, një zhvillim që Kosova e konsideron si kërcënimin kryesor për sigurinë e saj. Ekspertët thonë se për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve, është e nevojshme rritja e transparencës mbi kapacitetet ushtarake të të dyja vendeve.
“KFOR-i dhe Bashkimi Evropian mund të luajnë një rol kyç në ndërmjetësimin e komunikimit mes Kosovës dhe Serbisë për të shmangur keqkuptimet dhe tensionet e panevojshme,” thotë për Radio Evropën e Lirë Katarina Gjokiq, eksperte nga Instituti Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm.
Adrian Shtuni, nga Qendra Ndërkombëtare kundër Terrorizmit, thekson se transformimi i FSK-së në një ushtri plotësisht operacionale është një domosdoshmëri urgjente. Me rritjen e shpenzimeve ushtarake në Evropë dhe një peizazh të ndryshuar të sigurisë globale, Kosova duhet të përshpejtojë përpjekjet për të forcuar mbrojtjen e saj.
Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes është rritur nga 67.3 milionë euro në vitin 2021 në 207.8 milionë euro në vitin 2024, me një planifikim prej mbi 1 miliard eurosh për katër vitet e ardhshme. Kosova ka nënshkruar marrëveshje me SHBA-në për blerjen e sistemeve kundërajrore Javelin dhe ka arritur marrëveshje me Turqinë për ndërtimin e një fabrike municioni.
Sipas Shtunit, Kosova duhet të bëhet më aktive në strukturat ndërkombëtare të sigurisë dhe të forcojë aleancat e saj. “Nuk mund të fokusohemi vetëm në politikën e brendshme. Është e domosdoshme që Kosova të jetë e pranishme në tryezat ku diskutohet siguria evropiane dhe të pozicionohet strategjikisht për të përfituar nga fondet e mbrojtjes së BE-së,” thekson ai.
Kosova është në një moment vendimtar për të ardhmen e saj të sigurisë. Përballë sfidave rajonale dhe globale, autoritetet duhet të vazhdojnë investimet në mbrojtje, të forcojnë marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë dhe të sigurojnë një qasje strategjike për të mbrojtur sovranitetin dhe stabilitetin e vendit. Në një kohë kur Evropa po ristrukturon mbrojtjen e saj, Kosova nuk mund të mbetet pas, transmeton albinfo.ch.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Gjykata Supreme refuzon ankesën e LVV-së për qendrat e votimit jashtë Kosovës Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me... -
Edicioni i katërt i “Tri Net Film Fest”: Mes modestisë së sallës dhe fuqisë së ekranit -
AlbGala 2025: Mbrëmja ku u afirmua ekselenca shqiptare në Zvicër -
Nata e dytë e Tri Net Film Fest -
Votuesit e regjistruar për të votuar jashtë Kosovës nuk mund të votojnë brenda vendit
Jeta në Zvicër
-
BE planifikon rrjet hekurudhor rreth Zvicrës, SBB zgjeron lidhjet direkte me Europën Hekurudhat Federale Zvicrane (SBB) po zgjerohen për të ofruar më shumë lidhje direkte me qytetet europiane,... -
Vaud: Rruga hekurudhore Montreux-Aigle e mbyllur, qindra persona bllokuar -
St. Gallen nis projektin pilot për mbledhjen elektronike të nënshkrimeve -
Prostitucioni i të miturve, shumë diskret, por fenomen në rritje në Zvicrën frëngjishtfolëse -
Norma bazë e interesit pritet të mbetet në zero për qind













