Kosova
Gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli deklarohet i pafajshëm

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur të mërkurën shqyrtimi gjyqësor ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës, raporton albinfo.ch.
Në deklarimin e tij, Naim Murseli është shpallur i pafajshëm dhe ka deklaruar se, nëse provohet aktakuza ndaj tij, ai vetë do të kërkojë dënim me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, i akuzuari Granit Plava u mbrojt në heshtje, kurse Kushtrim Kokalla u deklarua i pafajshëm.
Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues kërkoi që babai i viktimës të lirojë sallën e gjyqit, pasi do të paraqitet si dëshmitar në rastin penal.
Prokurorja e çështjes, Javorka Perlinçeviq, tha në fjalën hyrëse se aktakuza është mbështetur në një numër të madh provash, duke përfshirë dëshmi të ekspertëve, deklarata të dëshmitarëve dhe dëshminë e familjes Ademaj. Ajo theksoi rëndësinë e ekspertizës së Naim Ukës, si dhe të fakteve që kanë dalë nga hetimet.
Avokati i familjes së viktimës, Leutrim Syla, theksoi se procesi gjyqësor do t’i japë përgjigje të gjitha dilemave të ngritura, ndërsa falënderoi Tom Dodajn për pranimin e fajësisë për shitjen e armës së përdorur në vrasje. Edhe përfaqësuesi i familjes, Leonardi Ademaj, shprehu mbështetje të plotë për fjalën hyrëse të Prokurorisë dhe avokatit Syla.
Avokatja e Naim Murselit, Teuta Zhinipotoku, deklaroi se mbrojtja ka kërkuar që klienti i saj t’i nënshtrohet ekzaminimit të statusit mendor, por nuk ka marrë përgjigje nga Prokuroria apo Gjykata. Ajo theksoi se ky vlerësim është i nevojshëm për të përcaktuar nëse Murseli është në gjendje të ndjekë procedurat gjyqësore dhe të konsultohet me avokatët e tij. Megjithatë, kryetarja e trupit gjykues tha se një kërkesë e tillë nuk është pranuar zyrtarisht nga ana e saj, raporton albinfo.ch.
Avokati i Kushtrim Kokallës, Ndrecë Dodaj, theksoi se nuk ekziston asnjë provë që vërteton përfshirjen e të mbrojturit të tij në vrasje. Ai shtoi se provat e Prokurorisë mund të ndihmojnë në ndriçimin e mënyrës së vdekjes, por jo në identifikimin e kryerësit.
Ndërkohë, avokati i Granit Plavës, Skënder Gojani, tha se për shkak të gjendjes së rënduar psikike dhe emocionale, klienti i tij nuk do të deklarohet për fajësinë apo pafajësinë e tij për momentin. Ai kritikoi faktin që nuk i është lejuar kontakti me të pandehurin pas marrjes së ekspertizës psikiatrike.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naim Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar nga një sigurim jetësor në Suedi me vlerë rreth 260 mijë euro. Ai dyshohet se e ka planifikuar krimin bashkë me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke i porositur që ta kryejnë vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove.
Në ditën e vrasjes, sipas Prokurorisë, Murseli kishte blerë një armë me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj për 280 euro. Dodaj tashmë ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me 5 vjet burg dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe paraqitjen e provave, ndërsa familja Ademaj ka kërkuar që drejtësia të vendoset sa më shpejt për humbjen e Liridonës, raporton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
KQZ nis fushatën e informimit të diasporës mbi procesin zgjedhor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë thirrje për qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë...
-
Udhëtarë nga Gostivari bllokohen 15 orë në Austri pas defektit të autobusit, kompania nuk reagon
-
Piloti kosovar në qiellin ndërkombëtar, Lirik Qerimi licensohet për Boeing 737
-
Afro dy ore pritje në dalje të pikës Merdarë dhe Dheu i Bardhë
-
Dënim i përjetshëm kosovarit, për vrasjen e “dyshes” së një gruaje
Jeta në Zvicër
-
Zvicra po shqyrton porosi të reja armësh nga SHBA për të ulur tarifat tregtare Ministri i Mbrojtjes i Zvicrës, Martin Pfister, është i gatshëm të bëjë porosi të reja armësh...
-
Shpresa dhe sfida një vit pas stuhisë shkatërruese në Brienz
-
Fshati zviceran ku një në dhjetë persona janë të përfshirë në politikë
-
Mbi 24 shoferë të ndaluar në Aargau pas Paradës së Rrugës në Cyrih
-
Industria farmaceutike zvicerane përballet me zhvendosje të prodhimit në SHBA për shkak të tarifave të larta