Kosova
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese: LVV e kundërshton, opozita e mirëpret
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për votimin e hapur të kryetarit të Kuvendit të Kosovës ka nxitur reagime të shumta e të kundërta nga spektri politik, duke reflektuar polarizimin e thellë rreth krizës institucionale që po vazhdon prej disa javësh, raporton albinfo.ch.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe politik, duke e akuzuar Gjykatën se po përpiqet t’ia japë “gardës së vjetër në tavolinë atë që nuk ua dha populli me votë”.
“Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por në atë se cila parti është në pyetje. Në vitin 2014 Gjykata u bë vegël e PDK-së, në vitin 2020 ndryshoi qëndrim kur fituesi ishte VV, dhe tash po vepron njësoj sepse sërish fituesi është VV-ja,” ka shkruar Murati.
Në të njëjtën linjë kritike, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka akuzuar gjyqtarët e Kushtetueses se po shkelin demokracinë dhe po mohojnë vullnetin e qytetarëve.
“Demokracia përfaqësuese u anulua në Kosovë dhe nuk vlen më. Kot i fiton zgjedhjet, kot del i pari,” ka shkruar ajo, duke përmendur edhe përbërjen politike të Gjykatës si të njëanshme, raporton albinfo.ch.
Nga ana tjetër, partitë opozitare e kanë mirëpritur vendimin. Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, e ka quajtur një fitore për demokracinë dhe një refuzim të “diktatit”.
“VV duhet ta propozojë kandidatin për kryeparlamentar dhe të votohet me procedurë të hapur. Shteti nuk mund të mbahet peng për ambicie të një personi,” tha Gjini.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjithashtu e ka cilësuar aktgjykimin si fitore të madhe për demokracinë dhe rendin kushtetues, duke akuzuar VV-në për uzurpim të foltores dhe shkelje të rregullores për 48 herë radhazi.
Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se vendimi konfirmon se Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur peng Kuvendin për interesa të pushtetit.
“Ky vendim është fitore për rendin kushtetues, për Kuvendin dhe qytetarët. Ata që zgjodhën krizën, dështuan,” shkroi Krasniqi.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se Kushtetuesja ka vërtetuar shkeljen e ligjit nga Qeveria Kurti dhe ka kërkuar përgjegjësi për, siç e quajti ajo, “dështimin institucional”.
Vendimi i Kushtetueses, i publikuar të premten, përcakton se kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet përmes votimit të hapur, brenda 30 ditëve nga konstituimi i legjislaturës. Po ashtu, i njëjti kandidat mund të paraqitet për votim maksimumi tri herë, ndërsa pjesëmarrja e deputetëve në votim është e detyrueshme, raporton albinfo.ch.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka zgjedhur Kryesinë e re Në fjalën e tij pas zgjedhjes, Kryetari i ri, z. Zenun Krasniqi, falënderoi anëtarët për besimin... -
Prishtina fiton Kupën e Diasporës, pas penalltive mposht Kosovën e Gjenevës -
Dua Lipa në International Booker Prize Awards: Letërsia është ura më e fortë mes kulturave -
Mos i hidhni zarfet e votimit në kosh, vota juaj mbron pagën dhe të ardhmen në Zvicër -
Lozanë: Lot, emocione dhe kujtesë në promovimin e librit “Për ata që nuk u kthyen”
Jeta në Zvicër
-
Shumë të moshuar për të marrë me qira: Diskriminimi zviceran ndaj të moshuarve në pasuri të paluajtshme Një çift pensionistësh dëshmon në programin On en parle: pavarësisht pensioneve AHV, kursimeve dhe mungesës së... -
Tërheqjet e produkteve që nuk përputhen me standardet janë gjithnjë e më të shumta në Zvicër -
“Zhurmë për vjedhje”: Sanduiçët peshojnë 14 gramë më pak, reagon Migros -
Zvicër: Proces gjyqësor me një çift serb dhe 40 gra të skllavëruara si pastruese -
Pse mbajtësit e lejes B në Zvicër fitojnë më shumë se banorët e përhershëm?














