Shqipëria
Migracioni shqiptar: pritshmëri të larta, të ardhura më të ulëta jashtë vendit
Hulumtimi Kombëtar i Migracionit 2024, i realizuar nga INSTAT në bashkëpunim me Bankën Botërore, sjell një pasqyrë të detajuar mbi profilin, arsyet dhe pasojat ekonomike të migracionit shqiptar, duke ofruar një bazë të rëndësishme për hartimin e politikave publike.
Sipas gjetjeve, migracioni shqiptar dominohet nga të rinj meshkuj, kryesisht të moshës 25–44 vjeç, me aftësi të mesme profesionale, të nxitur kryesisht nga kërkimi i mundësive më të mira ekonomike jashtë vendit. Më shumë se 75% e migrantëve aktualë janë meshkuj.
Studimi evidenton dallime të dukshme sipas nivelit arsimor dhe destinacionit. Rreth një e treta e shqiptarëve që emigrojnë drejt Shteteve të Bashkuara kanë arsim universitar, ndërsa vetëm 5% e atyre që shkojnë në Greqi kanë përfunduar arsimin e lartë. Gjithashtu, zonat bregdetare dhe qendrore të vendit shënojnë nivele më të larta migracioni, për shkak të afërsisë gjeografike me destinacionet kryesore si Italia dhe Greqia.
Para emigrimit, shumica e migrantëve janë të punësuar në vende pune me aftësi të ulëta dhe përfitojnë rreth 10% më pak të ardhura krahasuar me personat që qëndrojnë në vend. Tre muaj para largimit, rreth 75% e tyre janë të punësuar, por kjo përqindje bie ndjeshëm në muajin e fundit para emigrimit.
Një nga gjetjet kryesore të studimit është hendeku i madh mes pritshmërive dhe realitetit ekonomik të migrantëve. Ata prisnin të ardhura mujore mesatare prej rreth 3,900 dollarësh, ndërsa në realitet fitojnë rreth 2,200 dollarë. Si pasojë, edhe kursimet rezultojnë shumë më të ulëta se pritshmëritë, rreth 450 dollarë në muaj kundrejt 1,270 dollarëve të parashikuar. Ky hendek është veçanërisht i theksuar për migrantët në Greqi.
Hulumtimi përfshiu 3,804 familje migrantësh dhe 1,198 familje jo-migrantësh, duke kombinuar intervista ballë për ballë dhe sondazhe telefonike me shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Kjo metodologji siguron një pasqyrë të plotë mbi ciklin e migracionit, nga largimi deri te integrimi jashtë vendit.
Studimi shërben si një instrument kyç për ndërtimin e politikave migratore të bazuara në evidencë dhe është në përputhje me objektivat e Marrëveshjes Globale për Migracionin e Sigurt, të Rregullt dhe të Rregulluar. Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, theksoi rëndësinë e migracionit në jetën e familjeve shqiptare, duke nënvizuar se varësia nga remitancat mbetet ende e lartë. Ndërsa përfaqësuesja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Evis Sulko, vuri në dukje se shumica e migrantëve nuk kanë përfituar mbështetje të strukturuar gjatë procesit të emigrimit.
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Diaspora i siguron VV-së mandatin e 53-të, LDK humb një deputet Me 96.32% të vendvotimeve të procesuara (2,752 nga 2,857), rezultatet e fundit zgjedhore në Kosovë konfirmojnë... -
“She Leads 2026” bëri bashkë bizneset shqiptare nga Zvicra, Kosova dhe Maqedonia e Veriut -
Në Cyrih protestohet për të mbrojtur Zvërnecin në Shqipëri -
Greqi
Ky shtet evropian godet rrjetin e vjedhjes së makinave, 11 shqiptarë përfundojnë në pranga -
Votat e mërgatës nxjerrin në pah favoritët dhe më pak të votuarit e partive
Jeta në Zvicër
-
SBB tregon në aplikacion trenat pa klimë gjatë verës Gjatë muajve të verës, aplikacioni dhe faqja zyrtare e hekurudhave federale zvicerane SBB tregojnë se cilët... -
Zvicër: Debat për heqjen e lehtësimit tatimor për hotelet -
Marrëveshja SHBA-Iran do të nënshkruhet në resortin luksoz zviceran -
Pas Bazelit, edhe Cyrihu po shqyrton zbritjen e tatimeve direkt nga paga -
Valë e të nxehtit po afrohet drejt Zvicrës, temperaturat mund të arrijnë deri në 38°C













