Kosova
Zvicra dhe Kosova drejt një epoke të re ekonomike
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Republikës së Kosovës po hyn në fazën përfundimtare të miratimit në Parlamentin zviceran. Deputeti Nik Gugger, në emër të Komisionit, theksoi se kjo marrëveshje është ekonomikisht e dobishme, politikisht e mençur dhe strategjikisht e domosdoshme, duke përforcuar lidhjet mes dy vendeve dhe duke hapur mundësi të reja për kompanitë zvicerane dhe ekonominë e Kosovës.

Fjalimi i plotë i deputetit zviceran Gugger Niklaus-Samuel
Një marrëveshje e tregtisë së lirë me Kosovën – kjo në shikim të parë mund të duket e çuditshme ose befasuese. Pse pikërisht Kosova? Përgjigjja është e thjeshtë: sepse kjo marrëveshje është ekonomikisht e arsyeshme, politikisht e mençur dhe strategjikisht konsekuente.
Në fillim të këtij viti, Këshilli Federal shënoi një sukses tjetër në përpjekjet e tij për diversifikimin e marrëdhënieve tregtare të Zvicrës. Më 22 janar në Davos u nënshkrua Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Kosovës. Sot, ne si Parlament kemi në dorë hapin e fundit dhe vendimtar për ta vënë atë në zbatim.
Qëllimi ynë është i qartë: duam të parandalojmë që kompanitë zvicerane të diskriminohen ndaj konkurrentëve nga shtete të treta vetëm sepse këta të fundit tashmë kanë qasje më të mirë në treg. Pikërisht këtu kjo marrëveshje jep një kontribut të rëndësishëm.
Marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Kosovës janë më të ngushta sesa shpesh mendohet. Zvicra e njohu pavarësinë e Kosovës që në vitin 2008, vetëm dhjetë ditë pas shpalljes së saj. Që atëherë janë zhvilluar marrëdhënie intensive dypalëshe. Zvicra ka angazhimin e saj më të madh ushtarak jashtë vendit në Kosovë përmes KFOR-it dhe, që nga pavarësia, ka investuar qindra miliona franga në zhvillimin e qëndrueshëm dhe social të vendit – me fokus në qeverisje demokratike, siguri njerëzore, ekonomi të qëndrueshme, punësim, ujë, klimë dhe shëndetësi.
Edhe në aspektin ekonomik, lidhjet janë më të forta sesa e tregon vetëm vëllimi i tregtisë. Në vitin 2023, ai arriti në 137 milionë franga: 64 milionë franga eksporte nga Zvicra dhe 73 milionë franga importe nga Kosova. Shifra modeste, por me rëndësi të madhe.
Falë diasporës kosovare, Zvicra është investitori i dytë më i madh në Kosovë. Deri në fund të vitit 2023, mbi një miliard euro nga Zvicra janë investuar në Kosovë – dëshmi e besimit, angazhimit afatgjatë dhe potencialit të madh ekonomik.
Prandaj kjo marrëveshje është kaq e rëndësishme. Ajo sjell përfitime konkrete dhe të matshme: të gjitha eksportet zvicerane drejt Kosovës do të lirohen nga tarifat doganore, pengesat teknike dhe jotarifore do të reduktohen, ndërsa objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm do të përfshihen në mënyrë detyruese. Kjo krijon siguri juridike, nxit investimet dhe diversifikon tregjet – përparësi jetike në një kohë me prirje gjithnjë e më proteksioniste në tregtinë globale.
Pikat kryesore të marrëveshjes janë:
Tregtia e mallrave: Kosova obligohet që brenda pesë vjetësh nga hyrja në fuqi të heqë të gjitha tarifat për produktet industriale, peshkun dhe produktet bujqësore.
Shërbimet: Tregtia e shërbimeve rregullohet sipas modelit të marrëveshjes GATS të OBT-së – një risi, pasi Kosova ende nuk është anëtare e OBT-së.
Pronësia intelektuale: Marrëveshja shkon përtej standardeve minimale ndërkombëtare dhe mbron 114 tregues gjeografikë nga Zvicra dhe Lihtenshtajni, përfshirë “Swiss” për orë, çokollatë dhe kozmetikë, si dhe “Gruyère”, “Emmentaler” dhe “Sbrinz” për djathë.
Qëndrueshmëria: Një kapitull i veçantë i kushtohet zhvillimit të qëndrueshëm, duke u zotuar palët që tregtia dhe investimet të promovohen në mënyrë ekonomike, sociale dhe ekologjikisht të qëndrueshme.
Për zbatimin e marrëveshjes do të krijohet një Komision i Përbashkët që do të mbikëqyrë aplikimin e saj dhe do të shërbejë si forum konsultimi për heqjen e pengesave tregtare.
Përfitimet ekonomike janë të qarta, por bëhet fjalë për më shumë se kaq: ne mbështesim zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcojmë stabilitetin dhe kontribuojmë në perspektivën e saj evropiane – në interesin tonë ekonomik, të sigurisë dhe të politikës së migracionit.
Në fund, Kosova ishte deri më tani i vetmi vend në Evropë që mungonte në hartën tonë të tregtisë së lirë. Mbyllja e kësaj boshllëku është një hap i drejtë dhe i domosdoshëm.
Komisioni ynë e ka miratuar njëzëri këtë vendim federal dhe ju fton që ta ndiqni atë dhe të miratoni këtë marrëveshje të rëndësishme të tregtisë së lirë.
Lexoni po ashtu:
Parlamenti i Zvicrës miraton unanimisht marrëveshjen për tregti të lirë të Kosovës me EFTA
E-Diaspora
-
KQZ lejon votimin në përfaqësitë diplomatike edhe me dokumente të skaduara Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që në votimin e 27 dhjetorit 2025, në përfaqësitë... -
Vritet një grua e moshuar nga Kosova në Buchs ZH: tre arrestime deri tani -
Krishtlindja dhe Viti i Ri: Saktësia teologjike e gjuhës në traditën katolike dhe etërve të Kishës -
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi” -
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane
Jeta në Zvicër
-
Ndërhyrjet e pazakonta të policisë dhe zjarrfikësve në Zvicër gjatë vitit 2025 Një chihuahua që luan heronjtë në Valais, një dem i Neuchâtel që mbjell telashe duke u... -
Fqinjët flasin për 71 vjeçaren nga Kosova që u vra në Zvicër -
Të paktën 2000 persona janë të shtrirë në shtrat në Zvicër me simptoma të gripit -
Fjalori zvicerano-gjerman që duhet të dini për Krishtlindje -
9 vende skijimi në Zvicër me borë të garantuar












