Kosova

Prokuroria aktivizohet edhe në Podujevë

Hetimet lidhen me procesin zgjedhor për Kuvendin e Kosovës dhe vijnë në një kohë kur autoritetet kanë paralajmëruar rritje të vëmendjes ndaj çdo dyshimi për manipulim të votave apo shkelje të integritetit të procesit zgjedhor

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave në komunën e Podujevës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, autorizimi është dhënë për Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në kuadër të dyshimeve për kryerjen e veprave penale që lidhen me cenimin e të drejtave të votimit, transmeton albinfo.ch.

Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë këtij procesi ekzistojnë dyshime për parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në Podujevë.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me natyrën e mospërputhjeve apo numrin e personave që mund të jenë përfshirë në këtë fazë të hetimeve.

Hetimet lidhen me procesin zgjedhor për Kuvendin e Kosovës dhe vijnë në një kohë kur autoritetet kanë paralajmëruar rritje të vëmendjes ndaj çdo dyshimi për manipulim të votave apo shkelje të integritetit të procesit zgjedhor.

Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta.

Përgjatë procesit të rinumërimit, votat për disa kandidatë ndryshuan – me raste deri në 6 mijë për një individ – ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.

Për disa zyrtarë shtetërorë, ky ka qenë “procesi më i komprometuar zgjedhor” në Kosovë, pasi vendi është lavdëruar shpesh nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për organizim të proceseve zgjedhore të drejta dhe transparente.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka përfunduar procesin e rinumërimit të premten në mbrëmje, ndërsa i ka publikuar rezultatet përfundimtare të nesërmen.

Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, ndërsa partia serbe ka thënë se do të ushtrojë ankesë.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se palët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e ankesës për 48 orë pas shpalljes së rezultateve. Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Lista Serbe i fitoi nëntë mandate në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Pas certifikimit të rezultateve, hapet rruga për formim të institucioneve të reja. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje pritet ta formojë pa probleme Qeverinë e re.

Megjithatë, ai e ka pranuar vetë një ditë më parë se do të duhet të krijohet një raport i ri mes pushtetit dhe opozitës për çështje tjera madhore, siç është ajo e pozitës së presidentit apo miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për të dyja proceset duhet siguruar dy të tretat e votave.